Shteti që ua ndalon shkollën shtatzënave - Bota Sot
Shteti që ua ndalon shkollën shtatzënave

Afrika

Shteti që ua ndalon shkollën shtatzënave

Më: 10 mars 2019 Në ora: 17:43
Tanzani

Prej se presidenti i Tanzanisë, John Pombe Magufuli, i njohur me nofkën “Buldozeri”, ka ardhur në pushtet para tre vjetësh, qeverisë së tij i ka dalë nami i zi për nxjerrjen e urdhëresave të çuditshme.

Vetëm pak ditë pasi mori pushtetin në fund të vitit 2015, anuloi festën simbolike të ditës së pavarësisë dhe urdhëroi që të gjitha fondet e parapara për të, të shkonin për një rrugë të njohur e të lënë në gjysmë që shpie drejt qytetit kryesor, Dar es-Salaam.

Kjo pasoi me një numër largimesh të zyrtarëve të lartë qeveritarë në kuadër të asaj që është quajtur kryqëzatë kundër korrupsionit. Dhe afrikanëve i pëlqyen vendimet e tij – së paku kështu duket bazuar në reagime në rrjetet sociale. Kështu u krijua një hashtag me shprehjen “Çfarë do të bënte Magufuli?”, duke i nxitur edhe presidentët e tjerë që të merrnin veprime të ngjashme ose të vepronin sikur se lideri i Tanzanisë.

Në prag të vitit 2019, anketimet treguan se opinioni publik është i ndarë për të dhe regjimin e tij. Dhe në vazhdim ju paraqesim pesë prej ndalesave të tija kritike që formësuan imazhin e tij dhe të qeverisë së tij në planin lokal dhe ndërkombëtar.

Udhëtimi jashtë vendit

Në javën e parë në zyrën presidenciale në nëntorin e vitit 2015, Magufuli ndaloi të gjitha udhëtimet jashtë vendit për nëpunësit qeveritarë. Në raste emergjencash, aprovimi do të duhej të jepej prej vetë “Buldozerit” ose prej drejtorit të shërbimit civil. Vendimi ishte mirëpritur prej opinionit publik, meqë shumëkush konsideronte se po keqpërdoreshin fondet publike për udhëtime jashtë vendit, disa prej të cilave nuk i sillnin kurrfarë dobish vendit, pos qejfit për zyrtarët lokalë.

Madje ishte raportuar më parë se zyrtarët publikë fluturonin me bileta të klasit ekonomik. Sot e kësaj dite, udhëtimet jashtë vendit vazhdojnë të jenë të ndaluara për shumicën e zyrtarëve, dhe megjithëse presidenti më nuk merret me lejen, zyrtarët ende duhet të kërkojnë leje prej autoriteteve të afërta me zyrën e tij monitoruese. Në një raport të bankës qendrore në fillim të vitit 2017 mësohej se Qeveria kishte kursyer 430 milionë dollarë, duke kufizuar udhëtimet jashtë vendit ndërmjet nëntorit 2015 dhe nëntorit të vitit 2016. Vetë presidenti nuk ka udhëtuar jashtë Afrikës Jugore prej se ka marrë timonin e presidencës. Ai ka udhëtuar vetëm në fqinjësi, në Ugandë, Keni dhe Ruandë.

Udhëtimi i tij më i gjatë deri tani ka qenë deri në Etiopi për të marrë pjesë në një takim të Unionit Afrikan në janarin e vitit 2017. Ai vazhdon të ngulmojë se do të shmangë udhëtimet jashtë vendit për të kursyer para.

Transmetimi i debateve parlamentare

Gjatë dhjetë vjetëve para ardhjes së “Buldozerit” në pushtet, administrata e pararendësit Jakaya Kikwete, ishte dridhur prej ekspozimit të aferave korruptuese të emetuara drejtpërdrejt në televizion.

Debatet parlamentare për “skandalin Richmond” – kur një kontratë i ishte dhënë një firme elektrike amerikane dhe kishte rezultuar me dorëheqjen e kryeministrit Edward Lowassa më 2008 - ishin emetuar drejtpërdrejt. Ngjashëm kishte ndodhur edhe me “skandalin Escrow” më 2014, që kishte detyruar dy ministra dhe kryeprokurorin, njerëz të biznesit, politikanë dhe gjykatës të ekspozoheshin si pjesë e aferës. Këto afera bënë që debatet parlamentare të shikoheshin më së shumti prej qytetarëve të Tanzanisë. Por në fillim të vitit 2016, Qeveria e “Buldozerit” kufizoi emetimin për televizionin publik TBC dhe më vonë ua ndaloi edhe televizioneve private. Emetuesit tani mund të emetojnë vetëm kohën e interpelancave. Nuk lejohet emetimi i debateve të pastajme.

Opozita dhe organizatat e shoqërisë civile kundërshtuan vendimin, duke besuar se ishte bërë qëllimshëm për ta distancuar Parlamentin nga publiku. Nape Nnauye, ministër informacioni atëherë, e kishte mbrojtur vendimin, duke vlerësuar se kostoja mujore prej 1.8 milionë dollarësh për emetimin e debateve ishte shumë e lartë për TBC-në. Ai kishte thënë gjithashtu se shtetet e Commonwealthit kishin bërë ngjashëm për të kursyer para.

Nxënëset shtatzëna

Për të qenë të drejtë, kjo nuk ishte ndalesë e nisur prej “Buldozerit” – megjithëse ai kishte bllokuar përpjekjen për të hequr ndalesën e shkollimit për nxënëset shtatzëna. Është normë të përzihen nga shkolla vajza shtatzëna në Tanzani në katër dekadat e fundit.

Për vite me radhë te aktivistët e të drejtave të njeriut – dhe disa politikanë brenda partisë në pushtet CCM dhe opozitës – kanë kërkuar ndryshim, duke bërë thirrje që vajzat të mundë të kthehen në shkollë pas lindjes.

Një moment kyç për aktivistët e fushatës erdhi më 2015 kur manifesti i CCM-së premtonte se nënat tinejxhere do të lejoheshin në shkollë. Çështja ishte ngritur pastaj edhe në Parlament në majin e vitit 2017 me opozitën dhe Komisionin e çështjeve shoqërore dhe zhvillimit të komunitetit, që i rekomandonin Qeverisë se ishte e udhës që të ndryshohej kjo politikë. Sidoqoftë, pasoi një debat i nxehtë dhe ndau Parlamentin në dy kampe.

Në mesin e atyre që i kishin rezistuar ndryshimit ishte edhe zonja e parë dhe deputetja Salma Kikwete. Një muaj më vonë në një ngjarje për përurimin e një rruge të re, ku po merrte pjesë edhe zonja e parë, president “Buldozeri” deklaroi se nxënëset shtatzëna nuk do të lejoheshin në shkolla. Vendimi është kritikuar me të madhe dhe Banka Botërore vjet tërhoqi një hua arsimi prej 300 milionë dollarësh, duke i kërkuar si kusht ndryshimin e kësaj politike. Është interesante se arkipelagu gjysmautonom i vendit, Zanzibari, lejon vajzat shtatzëna të ndjekin mësimet.

Tubimet politike

Me të marrë drejtimin e vendit, Magufuli bëri të qartë se nuk dëshiron të shohë politikanët e vendit duke i rënë trup e tërthor vendit në kërkim të mbështetjes masive publike nëpër tubime. Ai vlerësoi se qytetarët duhet të lihen rehat që ta “rindërtojnë vendin”, dhe se liderët politikë duhet të presin deri në zgjedhjet e ardhshme më 2020 për të mbajtur tubime.

Sidoqoftë, ndalesa ka prekur partitë politike opozitare që i shfrytëzonin tubimet publike për të mobilizuar përkrahje. Partia kryesore Chadema njoftoi se do të sfidonte vendimin, duke ftuar qytetarët të dilnin në protesta më 2016, por shumë shpejt u tërhoq. Prej atëherë, policia i ka përndjekur disa politikanë opozitarë, të cilët akuzohen se sfiduan urdhrin – shumica prej të cilëve po përballen tani me drejtësinë.

Kritikët e kanë akuzuar Magufulin edhe për shtypjen e lirisë së shprehjes, duke iu kërkuar të gjithë blogerëve që të regjistrohen dhe të paguajnë tarifa si licencë për publikim të shkrimeve. Janë shtrënguar edhe ligjet për mediat, dhe shumë gazeta dhe radiostacione janë mbyllur për shkak të “nxitjes”. “Buldozeri” ka paralajmëruar shpesh për lajme të rreme në prag të fushatës kritike ndaj Qeverisë, duke thënë se ka kufizime të lirisë së shprehjes. “Do të doja t’u thosha pronarëve të mediave – kujdes, hapni sytë. Nëse mendoni se gëzoni atë liri të shprehjes, nuk shkon deri në atë pikë”, deklaronte presidenti më 2017, duke ua kujtuar gazetarëve ligjet e reja dhe kodin e ri të sjelljes që monitorohet nga Ministria e Informacionit.

Eksportimi i arit dhe bakrit

Në gusht 2016, Magufuli shpalli ndalesën për eksportimin e koncentrateve minerare metalike. Minatorët në Tanzani po dërgonin substanca metalike në Azi dhe Evropë për shkrirje, por përmbajtja dhe cilësia gjithnjë kanë qenë temë diskutimi i nxehtë. Minatorët vlerësonin se kishte vlerë të ulët tregtare. Në mars 2017, kompania më e madhe e minierave të arit, “Acacia Ltd”, me seli në Londër, ishte akuzuar se kishte shkelur ndalesën.

“Buldozeri” urdhëroi që të konfiskoheshin të gjithë 250 kontejnerët e saj në portin Dar es-Salaam. Ai pastaj formoi dy ekipe që hetuan rastin. I pari hetoi përmbajtjen e kontejnerëve, i dyti vlerën. Dhe dy ekipet shkaktuan tërmet politik, kur vlerësuan se firma britanike kishte deklaruar vlerë më të ulët se realja e xeheve, duke iu shmangur taksave.

Pas këtyre të dhënave, “Buldozeri” e ndëshkoi kompaninë me një gjobë prej 190 milionë dollarësh për shtatëmbëdhjetë vjetët e operimit në vend. “Acacia” mohoi shkeljet, përderisa partneri kanadez, “Barrick Gold” shprehu gatishmëri për bisedime. Në tetor 2017, “Barrick” i ofroi Qeverisë një shumë prej 300 milionë dollarësh për ta zgjidhur kontestin dhe se në të ardhmen do të ndante barabar të gjitha “përfitimet ekonomike” nga operacionet e “Acacia” në Tanzani me Qeverinë në të ardhmen. Por marrëveshja nuk është arritur ende – dhe negociatat ende po vazhdojnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...