OAK takon rektorin e UP-së- diskuton mundësitë e bashkëpunimit

Aktuale

OAK takon rektorin e UP-së- diskuton mundësitë e bashkëpunimit

Më: 1 dhjetor 2020 Në ora: 17:17
OAK

Mundësitë e bashkëpunimit, ndërlidhja e studentëve me tregun e punës, bashkëpunimi në hartimin e kurrikulave, aftësimi profesional dhe përshtatja me nevojat e tregut të punës dhe mundësitë që studentët të përfundojnë praktikat profesionale në bizneset anëtare të Odës së Afarizmit të Kosovës, ishin disa nga temat kryesore të diskutimit ndërmjet OAK dhe rektorit të Universitetit të Prishtinës Naser Sahiti.

Në takim u potencua nga OAK se nevojat e tregut të punës aktualisht janë në shpërputhje me plan-programet universitare nga të cilat dalin kuadrot nga UP për të cilat nuk ka nevojë tregu i punës dhe si pasojë e kësaj numri i të papunësuarve në nivel vendi shkon duke u rritur.

OAK kërkoi nga rektori i UP-së që kurrikulat të modifikohen dhe t’iu përshtaten nevojave të tregut të punës.

Po ashtu në kuadër të këtij takimi u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në mes dy palëve. Anëtari i bordit të OAK-së Hysni Zogaj përmendi faktin se praktika profesionale është jashtëzakonisht dobiprurëse për gjeneratat e reja pasi u mundëson studentëve që përveç teorisë të mësojnë edhe pjesën praktike.

Ndërsa rektori i UP-së Naser Sahiti potencoi faktin se është shumë e nevojshme rritja e bashkëpunimit të ndërsjellë si dhe një prej çështjeve me të cilën janë duke u marrë aktualisht është përafrimi i plan-programeve mësimore me nevojat e tregut të punës.

E prodekania për Buxhet dhe Financa Mihane Berisha ka thënë se një iniciativë e tillë për modifikimin e plan-programeve është shumë e mirëseardhur, pasi që studentët po dëshpërohen pas përfundimit të studimeve dhe mos punësimit të tyre.

Në këtë takim OAK u përfaqësua nga Skënder Krasniqi-kryetar i bordit, Hysni Zogaj- anëtar i bordit, Qëndresa Ibrahimi-kordinatore dhe Fjolla Smaili-zëdhënëse për media.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat