Pacolli e Gashi përplasen për deponinë në Pejë

Aktuale

Pacolli e Gashi përplasen për deponinë në Pejë

Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 14:04
Deponia në Pejë

Ministrja e Mjedisit Fitore Pacolli dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Arben Gashi kanë diskutuar në seancën e Kuvendit të Kosovës për gjendjen e krijuar nga zjarri në deponinë e mbeturinave në Pejë, ku pati mospajtime lidhur me përgjegjësinë institucionale për menaxhimin e situatës.

Pacolli tha se shqetësimi për gjendjen në deponi është i drejtë, por theksoi se përgjegjësia kryesore për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e saj i takon Komunës së Pejës.

Pacolli: Përgjegjësia për deponinë në Pejë i takon komunës së Pejës

“Shqetësimi është plotësisht e drejtë. Është e domosdoshme të sqarohen kompetencat ligjore dhe përgjegjësia institucionale. Deponia është nën menaxhimin e drejtpërdrejtë të komunës së Pejës dhe për aq kohë që kjo deponi mbetet nën administrimin komunal përgjegjësia primare për mirëmbajtje, keqmenaxhimin bien mbi komunën e Pejës. As ministria as kompania nuk kanë kompetenca. Jemi në kontakt me kompaninë”, tha ajo.

Ndaj kësaj deklarate reagoi deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili tha se në këtë situatë nuk ka rëndësi se cili institucion është përgjegjës për deponinë, por mbrojtja e jetës dhe shëndetit të qytetarëve.

Ai kërkoi ndërhyrje urgjente dhe ndarjen e një fondi emergjent për ndaljen e zjarrit, duke theksuar se përgjegjësia për gjendjen e krijuar mund të trajtohet më vonë nga organet e drejtësisë.

Gashi kërkon ndërhyrje urgjente

“Mesa di unë deponia është ndërmarrje publike rajonale, ku mblidhen edhe mbeturina të Pejës, Istogut, Deçanit, Klinës, po nuk ka rëndësi, jeta e qytetarëve është në rrezik. Nuk po më intereson hiç a është e komunës, a është e qeverisë apo e kujt, me rëndësi është jeta e njerëzve. Fond emergjent, çka doni bëni, aty duhet të ndalet zjarri, kush e ka fajin shkoni nëpër gjykata, le të shkon në burg kushdo që ka faj, nuk jam duke e trajtuar politikisht, nuk jam duke e sulmuar, po kërkoj mbrojtjen e njerëzve”, tha Gashi.

Në përgjigje të tij, ministrja Pacolli tha se gjendja aktuale është pasojë e keqmenaxhimit shumëvjeçar dhe se problemet e grumbulluara ndër vite nuk mund të zgjidhen brenda një periudhe të shkurtër.

Ajo kritikoi Gashin se nuk e kishte ngritur më herët këtë shqetësim, ndërsa përgjegjësinë për situatën ia atribuoi udhëheqjes komunale të Pejës.

Pacolli kritikon Gashin që nuk e ka ngritur më herët këtë shqetësim

“Sikur ta kishe nisur këtë diskutim vite më përpara, kur ka pasur alarm se po keqmenaxhohet deponia, atëherë nuk e ke ngritur zërin. Keqmenaxhimi disavjeçar të ka sjell këtu sot, ne nuk mundemi me riparua brenda një periudhe të shkurtër. Po duhesh ta adresosh kujt i takon, komuna duhet të merr përgjegjësi për këtë gjendje. Është kryetari i partisë së juaj që ka udhëhequr me komunën e Pejës tash e sa vite”, tha Pacolli.

Ndryshe, deponia e mbeturinave në Sferkë të Pejës është përballur prej muajsh me zjarre dhe ndotje, duke shkaktuar shqetësime te banorët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat