Gjendja nga vërshimet, flasin nga zonat e përmbytura

Aktuale

Gjendja nga vërshimet, flasin nga zonat e përmbytura

Më: 9 janar 2021 Në ora: 11:12
Klinë

Pas reshjeve të mëdha të shiut gjatë ditës së djeshme në shumë zona të Komunave të Kosovës janë përmbytur.

Zonat më të prekura duket se kanë qenë ato të Rrafshit të Dukagjinit, pasi që shumë lumenj kanë dalë nga shtrati i tyre dhe kanë përmbytur, shtëpia, biznese dhe toka, por që kanë bllokuar dhe rrugë kryesore.

Komuna e Suharekës ka qenë njëra ndër zonat të cilat kanë hasur në vërshime dhe dëme të shumta, për të cilën ka folur kryetari i Komunës, Bali Muharremaj.

“Gjendja në Suharekë është nën kontrolle, dëmet e shkaktuara do t’i vlerësojmë sot ose të hënën pasi lumi ka dal nga shtrati dhe ka dëmtuar shumë tokat bujqësore dhe rrugët”, tha Muharremaj.

Gjithashtu tregoi që ka qenë në teren deri në orët e vona të mesnatës me ekipet ndihmese.

Ndërsa dëme të mëdha ka shkaktuar edhe në Komunën e Klinës, në të cilën ka dëmtuar shumë biznese dhe toka, për të cilën ka folur edhe kryetari i Komunës, Zenun Elezaj për “Express”.

“Kemi formuar dy komisione, njëra do të bëjë vlerësimin e dëmeve të bizneseve dhe tokave bujqësore dhe tjetri me vlerësimet e dëmeve të shkaktuara në shtëpitë dhe rrugët e fshatrave”, tha Zenunaj.

“Lumi Bistrica dhe Drini i Bardhë dhe gjatë javës së kaluar kanë kaluar nivelin dhe kanë shkaktuar dëme në restorantet në afërsi të tyre, rregulli i shtretërve të këtyre lumenjve i takon Ministrisë së Ambientit.”

Gjithashtu si pasoje e reshjeve të pandërprera të shiut, në Komunën e Gjakovës janë evakuuar nëntë familje të fshatit Brekoc, pasi shtëpitë e tyre janë konsideruar si të rrezikuara nga përmbytjet.

“Gjendja është nën kontrolle, mbrëmë janë evakuuar nëntë familje me rreth 70 anëtarë, komisioni është formuar ditën e djeshme dhe ka qëndruar gjatë gjithë ditës në teren, vlerësimi i dëmeve të shkaktuara do të bëhet në ditët në vazhdim ”, tha Ardian Gjini.

Por, Drejtoresha e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, Letafete Latifi, ka paralajmëruar se gjendja e vërshimeve në Kosovë do të vazhdojë të jetë kritike dhe e rrezikshme nga nivelet e ujërave nëpër lumenj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat