Pas 22 viteve gruaja e vrarë në Reçak figuron e zhdukur

Aktuale

Pas 22 viteve gruaja e vrarë në Reçak figuron e zhdukur

Më: 15 janar 2021 Në ora: 16:00
Pamje nga Reçaku

Le të jetë Reçaku turpi i Serbisë”, është kjo porosia që dha sot Bedrie Syla, pas rrëfimit për masakrën e Reçakut nga ana e saj, e cila më 15 janar në vitin 1999, humbi vëllain, axhën, djalin e axhës e shumë kushërinj të afërt.

Si çdo fillim vit tjetër, edhe këtë janar Bedrija ndodhet në Reçak mes familjarëve e bashkëfshatarëve tjerë duke ngushëlluar njëri-tjetrin për humbjen e më të dashurve në mënyrë çnjerëzore, para syve të tyre.

“Më kanë vrarë vëllaun, Muhamet Ismaili, axhën, Shyqri Syla, djalin e axhës, Sheremet Syla dhe thuajse të gjithë kushërinjtë”, thotë ajo duke u munduar të fsheh emocionet dhe të përshkruajë ditën më të kobshme për banorët e Reçakut që kur forcat serbe i rrethuan, ata ndodheshin në gjumë.

“Vëllau ka qenë brenda shtëpisë e ne kemi qenë në një zonë pak ma larg. Vëllau ishte me fëmijët e tij dhe plotë kushërinj. Ne çka kemi qenë me fëmijë më të vogël kemi ikë pak më larg dhe vetëm kur kemi dëgjuar në mëngjes herët zhurmat e tanket që po gjuajnë drejt Reçakut. Prej mëngjesit kemi qëndru duke mendu se çka do të bëhet. Ka qenë ora rreth 5 e gjysmë. Vëllau ishte 44 vjeçar”, thotë ajo.

Pas 22 viteve gruaja e vrarë në Reçak figuron e zhdukur

Bedrija thotë se sot u ka mbetur vetëm të kujtojnë këto humbje e maltretimet që kanë përjetuar.

“Tash na ka mbet veç me kujtu. Kjo datë është emocion e mërzi, ne kemi me vdek të gjithë, por vdekja në këtë mënyrë është shumë e dhimbshme. Plus 100 maltretime që u kanë bërë”, tha ajo.

Bedrija foli edhe për gruan e vrarë të zhdukur në këtë masakër, Sahide Metushi, së cilës sot e asaj dite nuk i është gjetur trupi, e që ishte e afërme e saj (Bedrijes).

“Sahidja ishte duke shkuar te disa kushërinj më larg që të mbrohej nga sulmi dhe thuhet se u pa nga disa dëshmitarë e vrarë në mes të rrugës, mirëpo më pas nuk e kishin parë më askush edhe pas 22 viteve vazhdon të mos i jetë gjetur trupi”, tha ajo.

Bedrie Hyseni kishte ardhur sot për vizitë në këtë datë të shënuar me shpresën se një ditë drejtësia do të triumfojë e vrasësit do të dënohen.

Një vizitor i rregullt i memorialit të dëshmorëve të Reçakut është edhe Agim Beqa. Beqa është edhe banor i komunës së Shtimes. Ai e përkujton masakrën e Reçakut dhe frikën që përjetuan atë ditë.

“E përkujtojmë çdo herë, është një masakër që nuk harrohet. Historia duhet t’i mbajë mend emrat që janë të shkruar këtu e që humbën jetën atë ditë. Masakrën e kemi përjetuar rëndë. Kam qenë në shtëpi dhe më kujtohet shumë mirë ishte ora 5 e gjysmë e mëngjesit i kemi dëgjuar krismat e mëdha të armëve. Jemi zgju me një frikë e habi të madhe se çka kishte ndodhë. Menjëherë si kemi dalë jashtë u interesuam se çka ka ndodhë dhe kuptuam për vdekjet e shumë banorëve të këtij fshati. Është dhimbje e madhe edhe pse nuk kemi humb pjesëtarë të afërm të familjes ne bashkëndjejmë me familjarët e të rënëve”, tha Beqa.

Në 22 vjetorin e masakrës së Reçakut, në memorialin e të rënëve të 15 janarit 1999, bën homazhe të parët e vendit.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, bashkë me ish-kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, bënë homazhe të dëshmorët dhe vlerësuan këtë masakër si “vulosje të qëllimeve të Serbisë për shfarosjen e popullit shqiptar”. Homazhe bënë po ashtu, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Hradinaj, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Këtë masakër, sot e ka përkujtuar edhe ambasadori i Britanisë në Kosovë, Nicolas Abbott. Ambasadori përmes një postimi në “Facebook”, ka kutjuar viktimat e Reçakut dhe theksoi se është e rëndësishme për fmailjarët dhe shoqërinë që drejtësia për të rënët të vihet në vend. Ambasadori italian, Nicola Orlando, deklaroi sot se për viktimat e Reçakut duhet domosdoshmërinë drejtësi.

Masakra e Reçakut u bë sot e 22 vite më parë. Ushtria serbe vrau barbarisht duke rrahur e masakruar 44 civil – banorë të atij fshati (një grua dhe 43 meshkuj) dhe duke zhdukur një grua tjetër të cilës që nga ajo ditë ende nuk i është gjetur trupi e që besohet të jetë vrarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat