SBAShK-u thotë se realizimi i kërkesave të tyre është në interes të partive politike

Aktuale

SBAShK-u thotë se realizimi i kërkesave të tyre është në interes të partive politike

Më: 17 janar 2021 Në ora: 16:03
Foto ilustrim

Tash që po fillon mësimi i gjysmëvjetorit të dytë shkollor, dhe kur jemi në prag të zgjedhjeve, SBAShK-u ka bërë të ditur që nuk do të bëjnë marrëveshje me asnjë subjekt politikë, por që realizimi i kërkesave të tyre është në interes të cilësdo parti, kështu bëri të ditur në një prononcim për Ekonomia Online, u.d. nënkryetarit të SBAShK-ut, Lutfi Mani.

Ai tha që nuk kanë ndërmend të bëjnë asnjë marrëveshje dhe asnjë kontratë me asnjë parti politike por nuk përjashton mundësinë që partitë politike të vinë dhe të shpalosin programet e tyre.

“Nuk e kemi ndërmend me nënshkru asnjë marrëveshje, asnjë kontratë me asnjë parti politike sepse ajo pastaj po bëhet pengesë edhe për partinë politike, por edhe për neve po na penalizon për arsye sepse më pas po na thonë që kemi shkruar me këtë apo atë parti, të gjitha partitë politike janë të mirëseardhura me ardhë e me bisedu sepse në SBAShK janë të gjithë anëtarët e të gjitha partive politike pa dallim komuniteteve, të gjithë janë anëtarë të SBAShK-ut dhe ne kemi dëshirë që cila parti ka program të mirë me pa me analizu,  por asnjë partie politike nuk i kemi thënë kurrë dhe nuk do i themi që SBAShK-u ju mbështet, sepse sado që kryesia e SBASHK-ut të mbështetë dikë, është anëtarësia ajo që vendos dhe anëtarësia është e gjitha partive dhe e popullit”, tha Mani.

Tutje ai tha që beson që kërkesat e SBAShK-ut, që çdo punëtori të arsimit t’i paguhen nga 100 euro shtesë në muaj me arsyetimin se e kanë rrezikuar shëndetin duke punuar në shkolla gjatë pandemisë, si dhe realizimi i kontratave kolektive të përhershme për punëtorët e arsimit,  janë në interes të partive politike.

“Unë besoj që çdo kërkesë e SBASHK-ut, është në interes edhe të partive politike nëse realizohet por mbi të gjitha është në interes të nxënësve dhe të prindërve, kur them të nxënësve dhe të prindërve ne të gjithë në çdo fushatë zgjedhore thonë që do kemi shkolla të mira, do kemi kushte të mira në shkolla e do kemi mësimdhënës të mirë dhe të kualifikuar e të trajnuar, por pasi të kryhen zgjedhjet sikur diçka po harrohet”, deklaroi tutje Mani.

Mes tjerash  Lutfi Mani, uroj të gjithë nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit për fillimin e mësimit të gjysëmvjetorit të dytë, dhe njëherit tha që të gjitha përgatitjet janë bërë për nesër.

“Nesër uroj fillim të mbarë të vitit shkollor të gjithë nxënësve, mësimdhënësve, prindërve se edhe ata e kanë mundin e madh me i përcjell fëmijët deri tek shkolla dhe dashtë Zoti që as tek nxënësit as tek mësimdhënësit këtë gjysmëvjetori mos të kemi të sëmurë të prekur nga pandemia, gjithçka është bërë me  përgatitjet edhe nga Ministria e Arsimit, edhe nga drejtoritë komunale edhe nga SBAShK-u dhe kemi bërë thirrje të gjithë mësimdhënësve që të paraqiten në vendet e punës, të marrin mësimin”, u shpreh Mani.

Tutje ai tha që pa marrë parasysh bisedimeve në mes të MASh dhe SBAShK-ut dhe kërkesave të reja që vazhdimisht dalin, e rëndësishme sipas tij është që të shkoj mbarë ky vit, dhe kjo është dëshirë e spektrit politik dhe jo-politik në Kosovë.

“Fillimisht thashë që viti shkollor do të fillojë pa asnjë problem dhe të gjithë mësimdhënësit do të jenë në shkollë, kjo është praktikë sindikale që për mos me thënë që po shpallet grevë ose po bëhet diçka, sepse nuk është gjithmonë greva gjithmonë mjet sa herë që përmendet, por ne i kemi procedurat tona që grevën nuk ka drejtë me shpall as kryetari e as kryesia, por organ mes dy kongreseve është këshilli i përgjithshëm,  i cili merr pëlqimin ose mbështetjen e gjithë anëtarësisë dhe anëtarësia vet deklarohen, mbushen formularët dhe aty i dinë kushtet dhe tregojnë se a pranojnë apo jo”, tha mes tjerash nënkryetari Mani, për Ekonomia Online.

Ai shpreson që nuk do ketë nevojë të shkohet fare në grevë, për faktin që kanë kontakte me Ministrinë e Arsimit dhe e konsideron si të kryer, pasi sipas tij kontrata që është në funksion sot është identike me kontratën e re që është dërguar dhe kontrata është në afat tri-vjeçar, dhe kjo kontratë është në fund të afatit të saj, madje ai thotë që komisionet kanë punuar në këtë aspekt dhe deri sa është draft atëherë komisionet kanë të drejtë me ba ndryshime, apo plotësime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat