Gjashtë subjekte politike dorëzojnë tetë ankesa në PZAP

Aktuale

Gjashtë subjekte politike dorëzojnë tetë ankesa në PZAP

Më: 23 janar 2021 Në ora: 17:35
Foto ilustrim

Gjashtë subjekte politike kanë dorëzuar tetë apele në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) pas moscertifikimit nga ana e KQZ-së të subjektit, apo listës së kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Në mesin e partive që janë ankuar janë edhe AAK-ja dhe Nisma Socialdemokrate të cilat kanë paraqitur apele për moscertifikimin e subjektit dhe kandidatëve për deputetë.

Këtë për klankosova.tv e ka konfirmuar Kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku.

“Partia Demokratike e Ashkalive të Kosovës (PDAK) – Për shkak mos certifikimit të listës së kandidatëve për deputet nga ky subjekt politik. Partia e Ashkalive për Integrim – Ka sjellë tre apele, dy janë në emër të subjektit politik dhe njëra në emër të një kandidatit për shkak të mos certifikimit të tij në listë për pjesëmarrje në zgjedhje. PREBK, për shkak te mos certifikimit të një kandidate nga KQZ-ja për pjesëmarrje në zgjedhje. Socialdemokratska Unija – Duda Balje, për shkak te ndodhjes se një kandidate shqiptar ne listën e subjektit te saj”.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Për shkak mos certifikimit të Subjektit dhe kandidatëve për deputet nga ky subjekt politik. Nisma Socialdemokrate – Për shkak mos certifikimit të Subjektit dhe kandidatëve për deputet nga ky subjekt politik”, tha Desku.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e djeshme maratonike, nuk i ka certifikuar listat e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje, AAK-së dhe Nismës për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Kjo për shkak se këto parti nuk i kanë zëvendësuar emrat e kandidatëve në listat garuese të cilët kanë pasur dënime të formës së prerë në tri vitet e fundit.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, gjatë ditës së djeshme, deklaroi se PZAP ka afat prej 72 orësh për të vendosur lidhur me ankesat e mundshme të cilat mund të paraqiten nga partitë politike.

“Pas paraqitjes së ankesave të mundshme PZAP ka afat prej 72 orësh për të vendosur lidhur me ankesat të cilat paraqiten dhe sigurisht se ne si KQZ do të presim për vendimmarrjen e këtij institucioni’’, ka deklaruar Elezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat