PZAP ende pa vendim për ankesat e subjekteve politike – sot afati i fundit

Aktuale

PZAP ende pa vendim për ankesat e subjekteve politike – sot afati i fundit

Më: 26 janar 2021 Në ora: 08:30
Foto ilustrim

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ende nuk ka marrë ndonjë vendim lidhur me ankesat e subjekteve politike pas moscertifikimin e listave me kandidatët për deputetë nga Komisioni Zgjedhor i Zgjedhjeve.

Kështu ka bërë të ditur, Kryesuesi i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Mul Desku.

“Ende nuk është marrë ndonjë vendim, sot është afati i fundit”, pohoi ai.

Theksojmë se të premten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka certifikuar listat e kandidatëve për deputetë të gjashtë subjekteve politike, në mesin e tyre edhe listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.

KQZ-së, nuk ka certifikuar këto lista, për shkak se këto parti nuk i kanë zëvendësuar emrat e kandidatëve që në listat sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kanë pasur dënime për vepra penale në tri vitet e fundit.

Ndryshe, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), janë dorëzuar nëntë apele nga partitë e ndryshme politike. Shumica e këtyre ankesave kanë të bëjnë me mos-certifikimin e kandidatëve në listat zgjedhore, për kandidatë për deputetë.

Ankesa në PZAP, kanë dorëzuar edhe LVV dhe AAK.

Ndërkohë janë certifikuar listat e subjekteve politike LDK, PDK, Lista serbe, Lista “Romani Iniciativa”, JGP, PREBK, SDU, Partia Balliste, IRDK, KDTP, PAI, NDS, VAKAT, FJALA e disa parti dhe lista tjera.

KQZ ka certifikuar listën e LDK-së dhe të PDK-së, pasi këto dy parti kishin zëvendësuar nga një kandidat që kishte qenë i dënuar. Po ashtu, KQZ ka certifikuar edhe Listën Serbe.

Theksojmë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt, ndërsa subjektet politike kanë 10 ditë kohë për fushatë zgjedhore.

Garës për kryeministër të Kosovës i kanë hyrë Albin Kurti (LVV), Avdullah Hoti (LDK) dhe Enver Hoxhaj (PDK).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat