Në vendimin për Kurtin, Gjykata Supreme vë në pikëpyetje aktgjykimin e Kushtetueses

Aktuale

Në vendimin për Kurtin, Gjykata Supreme vë në pikëpyetje aktgjykimin e Kushtetueses

Më: 29 janar 2021 Në ora: 16:57
Albin Kurti

Edhe pse Gjykata Supreme ia ka ndaluar kandidimin për deputetë të dënuarve për vepër penale në tri vitet e fundit, kjo gjykatë ka vënë në pikëpyetje aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që ishte bazë e këtij vendimi.

Supremja të premten vendosi që kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurtit dhe disa kandidatëve të partive të ndryshme t’u ndalohet kandidimi për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit, bazuar në aktgjykimin që Kushtetuesja kishte nxjerrë në vendimin për deputetit Etem Arifi në të cilin vendosi se cilido person që është i dënuar për vepër penale në tri vitet e fundit nuk ka të drejtë të garojë për deputet.

Megjithatë, në arsyetimin që ka dhënë Supremja për vendimin e së premtes është vënë në pikëpyetje ky aktgjykim. Kjo gjykatë ka thënë se vlerësim i saj është që e drejta për të zgjedhur është e drejtë e garantuar përveç në rastet kur një e drejtë e tillë është hequr me vendim gjyqësor dhe me atë dënim plotësues “heqja e të drejtës për t’u zgjedhur” mbështetet në interpretimin sistematik të dispozitave të Kodit Penal.

Në shpjegimin që ka dhënë Supremja, ka cekur nenin 63 për dënimin plotësues - dispozitën ku përcaktohet se “Gjykata ia heq kryerësit të veprës penale të drejtën për t’u zgjedhur prej një deri në katër vjet, nëse ai person, me qëllim që të zgjidhet, kryen ndonjë nga veprat penale kundër të drejtave të votimit ose vepër tjetër penale për të cilën është paraparë dënimi me së paku dy vjet burgim”. Në bazë të kësaj, Supremja ka shtruar pyetjen se “nëse secili shtetas që kryen vepër penale nuk mund të zgjidhet, atëherë cili është qëllimi i këtij dënimi?”

Supremja ka thënë se me këtë logjikë zhvlerësohet edhe qëllimi i dënimeve tjera plotësuese si “ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbim publik dhe ndalimi i ushtrimit të profesionit, i veprimtarisë ose detyrës”.

Supremja më tej ka kërkuar që të bëhet e përshtatshme ligjërisht që në mënyrë taksative të përcaktohet nëse çdo vepër penale paraqet kufizim për t’u zgjedhur.

Edhe pse ka vënë në pikëpyetje aktgjykimin e Kushtetueses, Supremja ka thënë se në rastin konkret është e detyruar që vlerësimin e saj ta interpretojë në frymën e vendimeve të Kushtetueses.

Supremja po ashtu ka thënë se deri tash i ka dhënë prioritet dispozitave të Kodit Penal të Kosovës, respektivisht dënimeve plotësuese si kufizim i vetëm i të drejtës për t’u zgjedhur. Megjithatë, nga aktgjykimi i Kushtetueses, kjo ka ndryshuar dhe Supremja ka vendosur ta pranojë si të drejtë përfundimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që ua ndaloi kandidimin kandidatëve të dënuar për vepër penale me vendim përfundimtar në tri vitet e fundit.

Sa i përket vendimit për ankesën e Vetëvendosjes, Supremja ia pranoi ankesën kandidatëve Liburn Aliu dhe Labinotë Demi-Murtezi pasi ka vlerësuar se është bërë gabim në afatin trevjeçar të përcaktuar.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat