“Shpërthen” Lumir Abdixhiku ndaj Albin Kurtit: I braktisi njerëzit e vet, qytetarët po vdesin, ai me ministra merret me Shqipëri

Aktuale

“Shpërthen” Lumir Abdixhiku ndaj Albin Kurtit: I braktisi njerëzit e vet, qytetarët po vdesin, ai me ministra merret me Shqipëri

Nga: N.Sh. Më: 12 prill 2021 Në ora: 10:10
Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kritikuar mjaft ashpër kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Kreu i LDK-së, thotë se në kohën kur 80 qytetarë po vdesin në javë, kryeministri me ministra dhe deputetët e tij po merren me zgjedhje e protesta në Shqipëri, gjë që, sipas tij, kjo tregon papjekuri dhe papërgjegjësi.

Abdixhiku shkruan në facebook se, duket se 14 shkurti është kuptuar si fund dhe jo si fillim, prandaj, shton se, me këtë fillim të dobët edhe muajt e mjaltit marrin fund.

Ai kërkon që të mbajnë përgjegjësi, pasi që kryeministri i ka braktisur njerëzit e vet.

Postimi i plotë:

Marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri - nga Kryeministri, ministrat e deputetët e tij - në kohë kur nga 80 bashkëqytetarë në javë na vdesin në Prishtinë; kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri, tregon papërgjegjësi.

Përpjekja për të prekurit e familjet e tyre, për secilin tjetër që sot pret shpëtim - qoftë madje edhe si solidarizim - është një shembull sjellje prej lideri. Është lidership. Këtë punë, këtë shembull, këtë sjellje kjo Qeveri nuk po e jep dot!

Ajo i ka braktisur njerëzit e vet. Në vend të kësaj, në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita, e zgjedhur për të prirë këtu, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet.

Duket se 14 shkurti është kuptuar si fund e jo si fillim. Por me këtë fillim të dobët, të dobët shumë, edhe muajt e mjaltit marrin fund. Keni përgjegjësi, mbani përgjegjësi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat