Të akuzuarit nuk vijnë në seancë, avokatët thonë se nuk u kishin shkuar ftesat, dështon gjykimi për afër 1 milion dollarë të falsifikuara

Aktuale

Të akuzuarit nuk vijnë në seancë, avokatët thonë se nuk u kishin shkuar ftesat, dështon gjykimi për afër 1 milion dollarë të falsifikuara

Më: 2 qershor 2021 Në ora: 23:51
Seanca

 Ka dështuar të vazhdojë gjykimi ndaj të akuzuarve për falsifikim të parave, Ramadan, Vigan e Fidan Latifi, si dhe Fatmir Bunjaku e Xhevdet Rexhepi.

Ata po akuzohen për veprën penale të falsifikimit të parave, ku shuma e parave të falsifikuara sipas prokurorisë është 988,800.00 dollarë amerikanë.

Shkak për dështimin e seancës së paraparë të mbahej të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka qenë mungesa e të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Medije Bytyqi kërkoi nga avokatët e pranishëm sqarime lidhur me mos prezencën e të mbrojturve të tyre.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ramadan Latifi, avokati Besnik Berisha tha se klienti i tij nuk ka marrë ftesë për seancën e së mërkurës.

“Unë vetëm sot kam kontaktuar me klientin tim, mirëpo me njoftoi se ftesë për seancën e sotme nuk kanë pranuar, të gjitha herët tjera kur kanë pranuar ftesë, ata kanë qenë në gjykim, përveç Viganit që ka qenë në trajtim mjekësor”, tha avokati Berisha.

Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Bunjaku, avokati Shemsedin Pira tha se klienti i tij nuk ka pranuar ftesë për seancën e së mërkurës.

“Është e vërtetë se në seancat e mëparshme i akuzuari Fatmir Bunjaku gjithnjë kur ka pranuar ftesën ka qene prezent, asnjëherë nuk ka tentuar që t’i bishtëroj gjykimeve dhe po të ishte i njoftuar me rregull jam shumë i sigurt se do të ishte prezent”, tha Pira.

Në mungesë të kushteve ligjore, kjo seancë është shtyrë dhe pritet të mbahet më 26 korrik 2021, me fillim nga ora 9:30.

Aktakuza për këtë rast ishte ngritur nga prokurorja e EULEX-it, Natasha Vicary dhe prokurorja Ikramije Bojaxhiu, më 7 prill 2014, ndërkaq plotësimin e saj, më 22 gusht 2018, e ka bërë prokurorja Javorka Prilincevic.

Në këtë plotësim të akuzës thuhet se të akuzuarit Ramadan, Vigan e Fidan Latifi, me 11 shtator 2012, rreth orës 23:00 e deri në orën 23:30, në restorantin “RIMI COM”, në Gjilan,  janë takuar me të akuzuarin Fatmir Bunjaku të cilit ia kanë dorëzuar 988,800.00 dollarë, në bankënota prej 100 dollarë, të cilat para kishin qenë të falsifikuara.

Sipas akuzës, dorëzimi i parave ishte bërë me marrëveshje që 25% nga vlera e vërtetë e parave të falsifikuar, një automjet “BMW X6”, si dhe një shumë përkatëse e parasë të iu takoj të akuzuarve Latifi, në mënyrë që i akuzuari Bunjaku t’i vë në qarkullim si të vërteta, e pas kësaj sipas akuzës, ai i kishte dërguar në shtëpinë e tij.

Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “falsifikim i parasë”.

Ndërkaq, në aktakuzë thuhet se më 12 shtator 2012, rreth orës 11:00, në hotelin “Kristal”, në Gjilan, i cili gjendet në afërsi të stacionit policor, janë takuar Fatmir Bunjaku dhe Xhevdet Rexhepi, i cili ka ardhur me blerësin e parave dhe janë marrë vesh që paratë e falsifikuara, të cilat i akuzuari Bunjaku i ka pranuar nga të akuzuarit Latifi t’i vënë në qarkullim.

Sipas akuzës, ata kanë shkuar në shtëpinë e familjes Bunjaku së bashku me blerësin, ku i Bunjaku çantën me para në shumë prej 988,400.00 dollarë amerikan e ka fshehur në një fuqi metalike të mbuluar me gjësende tjera në një aneks i cili gjendet në oborr para shtëpisë së familjes Bunjaku.

Në aktakuzë thuhet se 400 dollarë amerikanë, po të njëjtën ditë janë konfiskuar nga i akuzuari  Rexhepi gjatë kontrollimit të automjetit të cilin e ka përdorur.

Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “falsifikim i parasë”.

Ndërkaq, në aktakuzën fillestare të ngritur më 7 prill 2014, thuhet se në një moment të panjohur në vitin 2012, në Prishtinë, Ramadan Latifi, kishte siguruar para të falsifikuara, të paktën 988,800.00 dollarë amerikanë në kartëmonedha 100 dollarëshe, me qëllim që t’i vë në qarkullim ato si të vërteta.

Ndërsa në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se me 11 shtator 2012, në Gjilan, Ramadan Latifi në bashkëkryerje me Vigan Latifin e Fidan Latifi kanë vënë në qarkullim para në shumë prej  të paktën 988,000.00 dollarë amerikanë në kartëmonedha 100 dollarëshe te Fatmir Bunjaku.

Kurse në pikën e tretë të aktakuzës thuhet se më 11 shtator 2012, Fatmir Bunjaku, kishte siguruar para të falsifikuara në një shumë që ishte të paktën 988,800.00 dollarë amerikanë në bankënota prej 100 dollarësh nga Ramadan e Vigan Latifi, me qëllim që t’i vë ato në qarkullim si të vërtetë.

Ndërkaq, në pikën e fundit të aktakuzës thuhet se me 12 shtator 2012, Fatmir Bunjaku në bashkëkryerje me Xhevdet Rexhepin kanë tentuar të vënë në qarkullim para të falsifikuara në shumë të paktën 988,800.00 dollarë amerikanë në bankënota 100 dollarëshe.

Për këto veprime të akuzuarve, aktakuza fillestare i ngarkonte ata me veprat penale të “sigurimit të parave t’i falsifikuara për t’i vënë në qarkullim si të vërteta” në kundërshtim me nenin 244, paragrafin 2 të KPK-së, “shpërndarje të parave të falsifikuara” në kundërshtim me nenin 244, paragrafin 1 të KPK-së  në lidhje me nenin 23 të KPK-së dhe në “tentim për t’i vënë në qarkullim para të falsifikuara” në kundërshtim me nenin 244, paragrafin 1 të KPK-së dhe në lidhje me nenin 20 dhe 23 të KPK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat