Reagon edhe Blerim Latifi për liturgjinë në Kishen Ortodokes serbe

Aktuale

Reagon edhe Blerim Latifi për liturgjinë në Kishen Ortodokes serbe

Nga: N.Sh Më: 10 qershor 2021 Në ora: 16:00
Blerim Latifi

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Blerim Latifi ka reaguar kundër liturgjisë të mbajtur sot në Kishën Ortodokse serbe, që gjendet në oborrin e Universitetit të Prishtinës.

Latifi në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se kjo liturgji nuk duhej të lejohej në asnjë mënyrë, sepse ajo nuk ka asnjë lidhje me besimin fetar.

Sipas Latifit, kjo liturgji ka vetëm mesazhe politike që lidhen krye e këput me trashëgiminë e Millosheviqit.

Postimi i plotë i Latifit, pa ndërhyrje:

Në vitet ’90, të shekullit të kaluar, kur Millosheviqi marshonte me ushtrinë e tij nëpër Kroaci, Bosnje e Kosovë, duke shndërruar në tokë të djeguar secilin fshat e qytet që ngrihej kundër Serbisë së Madhe, prapa tij qëndronin tri institucionet kryesore kulturore serbe: Kisha Ortodokse Serbe, Akademia Serbe e Shkencave dhe Lidhja e Shkrimtarëve të Serbisë. 22 vite pas përfundimit të luftërave të ndyra të Millosheviqit, Kisha Ortodokse Serbe vazhdon të mbaj të njëjtin pozicion në përkrahje të shovinizmit serb.

Dhe dëshmia ma e freskët është liturgjia e sotme e zhvilluar në kishën e ndërtuar nga Millosheviqi në hapësirën e Universitetit të Prishtinës gjatë viteve ’90. Kjo liturgji nuk duhej të lejohej në asnjë mënyrë, sepse ajo nuk ka asnjë lidhje me besimin fetar, por vetëm me mesazhe politike, që lidhen krye e këput me trashëgiminë e Millosheviqit.

Në fakt, ka shekuj që Kisha Ortodokse Serbe mesazhin kristian e kupton vetëm në termat e interesit nacional serb. Nuk ka abuzim më të madh të figurës së Krishtit, sesa të fshehësh nën simbolikën e tij duart e përgjakura të fashizmit serb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat