“Marigonë, engjëll, mua sot më bënë “vrasës””, Xhevdet Pozhari rrënqeth me shkrimin dedikuar 18 vjeçares së vrarë

Aktuale

“Marigonë, engjëll, mua sot më bënë “vrasës””, Xhevdet Pozhari rrënqeth me shkrimin dedikuar 18 vjeçares së vrarë

Nga: M.L. Më: 23 gusht 2021 Në ora: 23:51
Xhevdet Pozhari

Analisti Xhevdet Pozhari,përmes një postimi në Facebook ka shkruar përsëri për vajzën 18 vjeçare nga Ferizaj e cila dyshohet se u vra mizorisht nga njeriu me të cilin bashkëjetonte.

Në një reagim më herët Pozhari kishte thënë se vajzat nuk duhet t`i pëlqente vetura e shtrenjtë por “gomari” që e nget atë.

Kjo deklaratë ngjalli reagime të ashpra në opinion e madje analisti u krahasua edhe me të dyshuarin për vrasjen e 18 vjeçares, Dardan Krivaqa.

Në shkrimin e tij ai ka thënë se Marigona e vrarë, nga sot u bë bija e tij.

Postimi i plotë

Marigonë, bijë - nga sot ti u bëre edhe bija ime!

Nëse do të kisha një vajzë, nuk do të doja asgjë më shumë e as më pak se ti. Me të njëjtën pastërti, energji, bukuri, të njëjtat ëndrra për jetë... Do t'ia mbaja dorën përgjithmonë përballë secilës furtunë.

Marigonë, engjëll, do të bisedonim pafund për secilin shqetësim. Pa droje, pa e vra kokën nëse i pëlqen ose jo botës. Por, e pranoj - do ta vëzhgoja çdo lëvizje tënde nga frika se mos i ndodh diçka flokut tënd, e lëre më me shumë. Rinia e ka shenjë njohëse vrullin dhe i ka hije edhe të gabojë.

Bija ime, Marigonë! Në moshën 18 vjeçare nëse do të ishe dashuruar, tu kisha përgjëruar edhe disa vite, së paku derisa ta kryesh fakultetin apo të mësosh ndonjë zeje që të bëhesh e zonja e vetës, të qëndrosh me familje. Jo ta braktisësh dashurinë, por ta ndash atë edhe me ne, derisa të bindeshim se ai njeri vërtetë e meriton kurorën e shpirtit tonë.

Marigonë, na fal bijë! Ne dështuam t'ju mbrojmë nga koha e ligë. Veçanërisht ata që nuk e kanë kuptuar se lehtë është të bëhesh "babë" dhe "nënë", por nuk ka ma rëndë se të jesh prind.

Në këtë botë ka shumë ligësi, Marigonë! Ike me gjithë pastërtinë tënde, ndërsa neve na la dhembje dhe vuajtjen pse nuk arritëm të të mbrojmë.

Marigonë, engjëll, mua sot më bënë "vrasës" veç pse gjykova ashpër ata që do të duhej të mbrojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat