"Presidenti Rugova i dërgoi për ushtrime ushtarake Sali Çekajn, Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, por i erdhi kjo porosi nga SHBA-ja"

Aktuale

"Presidenti Rugova i dërgoi për ushtrime ushtarake Sali Çekajn, Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, por i erdhi kjo porosi nga SHBA-ja"

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 29 shtator 2021 Në ora: 14:21
Presidenti historik, Ibrahim Rugova

Duke komentuar rrjedhën e bisedimeve në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që nga fillimi e deri më tani, publicisti Idriz Zeqiraj në një intervistë dhënë për ‘Bota sot’, ka kujtuar kohën e dialogimit të Presidentit historik, Ibrahim Rugova me SHBA.

Zeqiraj thotë se në vitet e 90-ta kur Preisdenti Rugova dërgoi djemtë e Kosovës për ushtrime ushtarake, i erdhi porosia nga SHBA-ja që luftën të mos e filloj Kosova, atë le të bëjë Serbia.

Image
Idriz Zeqiraj

 “Në vitet `90-a, kur Dr. Rugova krijoi institucionet paralele, përfshi edhe Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës, (FARK) dhe Shërbimin Informativ të Kosovës, dërgoi djemtë e Kosovës, për ushtrime ushtarake në Shqipëri. Tre syresh: Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, do të organizonin celulat e rezistencës, përkatësisht, në Dukagjin, Drenicë e Llap. Për rrjedhojë, pushtuesi serbo-sllav, do të arrestonte dhe dënonte ushtarakët dhe kuadrot tjerë. Ndërkohë, Dr. Rugovës i vjen një porosi e prerë, nga SHBA dhe shtetet e Quintit: "Luftën me Serbinë nuk duhet ta fillojë Kosova. Atë lë ta bëjë Serbia. Përndryshe, rrugë e mbarë pa ne"! Për çudë, disa matrapazë e halabakë të PAN-it, edhe sot e akuzojnë Rugovën se nuk e donte luftën”, thotë Zeqiraj.

Kësisoj, ai ka edhe një porosi për Qeverinë Kurti, duke thënë se ‘kurrë mos i thoni jo dialogut, Kosova nuk guxon të fajësohet për bllokimin e dialogut’.

“Në këtë rrjedhë të ngjarjeve politike, një porosi e madhe vlen edhe për Qeverinë Kurti, me shokë: Kurrë mos i thoni jo dialogut me Serbinë. Kosova nuk guxon të fajësohet për bllokimin e dialogut, pavarësisht provokimeve, në vijimësi, të saj, sepse këtë e ëndërron Serbia. Miqtë tanë ndërkombëtarë, presin konstruktivitet nga udhëheqja e Kosovës dhe assesi bojkot të dialogut. Qeveria Kurti dhe krerët shtetërorë e kuvendor, janë të dëlirë dhe e lirë, qoftë nga shantazhi i Serbisë apo i SHIK-ut. Mençurinë dhe guximin e kanë të bollshëm. Ata do të dinë ta mbrojnë tërësinë territoriale të Kosovës tonë. Fillimi është i mbarë. Lë të urojmë për më të mirën”, thekson ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat