Enver Hoxhaj komenton Samitin e Sllovenisë

Aktuale

Enver Hoxhaj komenton Samitin e Sllovenisë

Më: 6 tetor 2021 Në ora: 17:39
Enver Hoxhaj

Për samitin e Ballkanit Perëndimor në Slloveni, ku nuk u dha një datë për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe RMV-së me BE-në, por as një datë për liberalizimin e vizave të Kosovës, ish-kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha për Euronews Albania se ishte më shumë një ngjarje simbolike, ku nuk pati asnjë produkt.

Enver Hoxhaj tha se ky samit ishte i fokusuar në aspektin e mbështetjes ekonomike për pandeminë, pa prezantuar ndonjë projekt politik.

“Në deklaratën e samitit thuhet se BE-ja është partner kryesor i Ballkanit, donator dhe investitor kryesor, mirëpo nuk është projekt politik sikurse ka qenë në të kaluarën”, u shpreh Enver Hoxhaj.

Për Enver Hoxhajn mosdhënia e një datë për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, apo liberalizimin e vizave për Kosovën, është një mesazh dëshpërues për këto shtete, të cilat sipas tij kanë bërë shumë punë ndër vite për të mos merituar këtë qëndrim.

Ky vendim i BE-së, sipas ish-kryeministrit të Kosovës dëmton jo vetëm Ballkanin Perëndimor, por edhe vetë BE-në.

“Bashkimi Evropian nuk e nuk e ka atë fuqi politike, rol dhe mision që kishte para 20 ose 10 vitesh në një botë që po ndryshon çdo ditë. Mund të kishte një rol më të madh, por ka mungesë vullneti për t’u përkushtuar për Ballkanin perëndimor”, u shpreh Enver Hoxhaj.

Për procesin e integrimit foli më herët edhe Nirvana Deliu, eksperte e politikave të BE-së. Ajo tha për Euronews Albania se stanjacioni i procesit integrues mund të ndikojë në ngecjen e reformave të ndërmarra nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ajo kujtoi se sistemet e shteteve të rajonit mbeten “demokraci të brishta” me “institucione jo shumë të fuqizuara” dhe për këtë nevojitet udhëheqje nga BE për pjesën e reformave që janë kërkuar, në të kundërtën ato nuk do të finalizohen.

“Nëse procesi i integrimit ngec dhe ne shohim që nuk marrim ndonjë shpërblim për reformat që bëjmë, do të thotë që mund të ndodhë ajo që quhet si lodhja nga zgjerimi dhe vullneti për të vazhduar me reformat”, tha Deliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat