“Zaevi nuk u dorëhoq rastësisht”/ Alarmon Tërmkolli: Zhvillimet në Maqedoni janë shqetësuese, ja si do të ndikojnë në Kosovë

Aktuale

“Zaevi nuk u dorëhoq rastësisht”/ Alarmon Tërmkolli: Zhvillimet në Maqedoni janë shqetësuese, ja si do të ndikojnë në Kosovë

Nga: A.ZH Më: 6 nëntor 2021 Në ora: 19:29
Melihate Tërmkolli

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Melihate Tërmkolli, ka thënë se ngjarjet e fundit në Maqedoninë e Veriut janë shqetësuese, pasi dorëheqja e kryeministrit Zoran Zaev, ka krijuar konfuzion me hapësirë për interpretime të shumta.

Ajo ka thënë se njoftimet e opozitës në krye me VMRO-DPMNE, me të majtën dhe opozitarët shqiptarë, janë shqetësuese, pasi ata njihen për largimin e Maqedonisë së Veriut nga NATO dhe tërheqjen e njohjes për Kosovën shtet, përcjell Bota sot.

Sipas saj, dorëheqja e Zaev-it nuk ishte e rastësishme.

Ish-deputetja ka kritikuar zyrtarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, që nuk kanë bërë asnjë lloj reagimi për zhvillimet atje.

Reagimi i saj, dërguar në “Bota sot”:

A po shkon Maqedonia e Veriut drejt ç’njohjes së Kosovës dhe largimit nga NATO?!

Ngjarjet e fundit në Maqedonië e Veriut janë shqetësuese për shumë arsye. Së pari, dorëheqja e Kryeministrit Zaev, pas humbjes në shumë komuna në zgjedhjet lokale dhe pa konsultim me BDI-në si partner qeverisës ka krijuar një konfuzion duke lënë hapësirë për interpretime të shumta. Është e qartë se fitorja e opozitës maqedonase dhe asaj shqiptare në komunat më të mëdha, ndonëse shumicën e komunave e ka fituar BDI, është fakti i pranuar nga të gjithë. Por çështja kryesore që shtrohet tani është nëse Zaevi dha dorëheqje për shkak të humbjes së zgjedhjeve lokale, për shkak të presioneve të punës apo për shkak të ndërhyrjes së Serbisë edhe këtu, me pretendime destabilizuese për qëllimet e saj të njohura tashmë dhe të provuara pothuaj njësoj si në Mal të Zi, në Bosnjë e në Kosovë, po se po.

Është e qartë poashtu se shumëkujt, si forcave antishqiptare në Maqedoninë e Veriut ashtu edhe jashtë saj u ka penguar fakti që për herë të parë shqiptarët avancojnë pozitën e tyre në këtë shtet në masën më të lartë deri tani. Kryetari i Kuvendit, shqiptar, shqiptare gjysma e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, me marrëveshje që edhe mandati i Kryeministrit të ushtrohet për një kohë nga një shqiptar, janë shenja të mjaftueshme për të besuar se dorëheqja e Zaev-it nuk është e rastësishme.

Njoftimet për krijimin e një shumice të re parlamentare në krye me VMRO-DPMNE, me të majtën dhe opozitarët shqiptarë, në rrethanat aktuale në rajon, duhet të ishin më se shqetësuese për të gjithë. Është i njohur qëndrimi i të majtës maqedonase për largimin e Maqedonisë së Veriut nga NATO dhe tërheqjen e njohjes për Kosovën shtet.

Opozita aktuale shqiptare në Maqedoninë e Veriut, si pjesë e mundshme e këtij koalicioni, do të duhej t’i ketë parasysh këto argumente. Në këtë kuptim, duke luftuar Ali Ahmetin nuk guxojnë ta luftojnë Kosovën, NATO-n dhe mbi të gjitha vetë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Tabloja e gjendjes është shumë e qartë ashtu siç shpejt do të qartësohet edhe dirigjenti i përpjekjeve për një vatër të re krize në rajon, në funksion ekskluziv të interesave të Serbisë dhe Rusisë.

Habitë fakti që zyrtarë të Shqipërisë e as të Kosovës nuk kanë bërë asnjë lloj reagimi për zhvillimet në Maqedoninë e Veriut. Mbase edhe e bëjnë, post festum!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat