​Seanca e Kuvendit të Kosovës vazhdon punimet nesër në orën 14:00

Aktuale

​Seanca e Kuvendit të Kosovës vazhdon punimet nesër në orën 14:00

Më: 22 nëntor 2021 Në ora: 15:24

(E plotësuar 20:24) - Ka përfunduar seanca e sotme plenare e Kuvendit të Kosovës, e cila do të vazhdojë nesër duke filluar nga ora 14:00, ku në rendin e ditës janë për shqyrtim gjithsej tetë pika.

Deputetët do të shqyrtojnë raportin vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për 2020, raportin vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT për 2020.

Në rend dite do të jetë edhe propozim-vendimi i Qeverisë për miratimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “KOSMONTE FOODS”.

Ndërkaq, deputetët do të bëjnë edhe emërimin e kryetarit dhe katër anëtarëve të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës. 

Në seancën e nesërme do të bëhet edhe formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, prej tyre dy nga radhët e komunitetit shqiptar dhe një nga radhët e komuniteteve jo shumicë, përzgjedhja e kandidatëve për anëtarë jo-ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, si dhe zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 76 vota pro e kanë miratuar raportin vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për 2020. Përplasje mes deputetëve e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka pasur pikërisht për gjendjen e mjedisit.

Ministri Liburn Aliu prezantoi të gjeturat e këtij raporti, e që tha se sa i përket cilësisë së ajrit të dhënat flasin për tejkalimin e vlerave maksimale të lejuara për disa parametra të veçantë dhe kjo kryesisht gjatë sezonit të dimrit.

Ai tha se aktualisht në Kosovë nuk ka program dhe as monitorim të rregullt të cilësisë së dheut, teksa shtoi se sfidë mbetet menaxhimi efikas i mbeturinave.

Aliu: Në Kosovë gjatë 2020 janë lëshuar 228 licenca për shfrytëzim të gurit

“Shfrytëzimi i resurseve natyrore, shfrytëzimi i gurit dhe i resurseve të tjera minerare që realizohet përmes gurthyesve, e cila është një nga format më të shpeshta të shfrytëzimit të resurseve natyrore në Kosovë gjatë vitit 2020 janë lëshuar 228 licenca për shfrytëzim të gurit dhe 204 licenca për hulumtime të rezervave të gurit. Të dhënat flasin se ka edhe operatorë ilegal që merren me këtë veprimtari”, tha Aliu. 

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka kërkuar të di se cili është plani i ministrisë për të përmirësuar gjendjen në mjedis.

Hoxha: Cilët janë hapat konkretë se unë dëgjova më shumë një gjendje se çfarë jemi duke e përjetuar

“Cilët janë hapat konkretë, se unë dëgjova më shumë një gjendje se çfarë jemi duke e përjetuar në mjedisin kosovar, por jo edhe ndonjë hap konkret se çfarë do të bëjmë. Çfarë do të bëjmë në idenë e cilësisë së ajrit që e kemi për çdo vit problematike e sidomos në Prishtinë që kështu prijmë në hartat dhe këto statistikat botërore në kohën e dimrit, pikërisht për shkak të termocentralit, për shkak të ngrohjes me qymyr dhe për shkak të pamundësisë së shtrirjes së rrjetit të ngrohjes me kongjenerim dhe mënyra të tjera”, tha Hoxha. 

Ministri Liburn Aliu, tha se gjendja në mjedis është e rëndë dhe se do të dëshironte të kishte edhe debate të tjera që flasin për këtë temë. Ai pati kritika sa i përket rezervave të ujit, për çka kritikoi qeveritë e mëparshme.

Aliu: Është menduar qysh të ndahen kapacitetet

“Nga këto kapacitete ujore që i kemi këto 500 milionë metra kub ujë, 350 është vetëm Ujmani. Kjo ka qenë brengë në vazhdimësi, por nuk është menduar asnjëherë për shtimin e kapaciteteve, madje është menduar qysh të ndahen kapacitetet, si të ndahet Ujmani. Prej pendave që kemi ne sot e kemi veç një pendë të re në Malishevë, e cila është e zbrazët çdo herë. Kjo ka qenë mënyra si është trajtuar uji në vendin tonë. E kur flasim tash për hidrocentralet te rasti konkret do të mund të flasin për lejet mjedisore dhe ujore që janë lëshuar, kemi vendim të gjykatës dhe kemi vendim për mos dhënien e lejes mjedisore të fundit për Lumëbardhin 2, po flas për këto të Deçanit”, tha ai.

Ministri Aliu tha se nuk do të dërgojë në qeveri draftin hapësinor për Parkun nacional “Bjeshkët e Nemuna”, teksa tregoi arsyet për këtë.

Aliu: Unë nuk e sjell atë plan, e kthej mbrapshtë

“Qe po ju tregoj sa është zona ndërtimore brenda parkut nacional, është 13 mijë hektarë, a di sa i bie kjo? Pra, parku nacional është në territorin e Gjakovës, Junikut, Deçanit, Pejës dhe Istogut. Shtrirja e këtij parku është në territorin e këtyre pesë komunave, sikur ta mbledhim këtyre pesë komunave zonat urbane sa i kanë, krejt të mblidhen dhe të shumëzohen për dy, zona ndërtimore e parkut nacional “Bjeshkët e Nemuna” është më e madhe se kjo. I bie dy Peja, dy Gjakova, dy Deçana, dy Junika dhe dy Istoga. Paramendojeni tash sa uji duhet për ta, paramendojeni ata gypat që marrin ujë prej burimeve duhet marrë për ta bërë ndërtimin famoz të fshatrave turistike. Unë nuk e sjell atë plan, e kthej mbrapshtë edhe e rishikojmë, e rishikojmë dhe duhet ta draftojmë ndryshe, por dua t’ju them kjo ka qenë logjika dhe mënyra qysh është punuar, e nuk është e lehtë të ndryshohet”, tha ai.

***

​Kuvendi miraton raportin vjetor të Auditimit të Buxhetit për 2020

Kuvendi i Kosovës me 79 vota pro ka miratuar sot raportin vjetor të Auditimit të Buxhetit të Kosovës për 2020. Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për buxhetin e vitit 2020.

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, ka prezantuar raportin e ZKA-së për buxhetin e Kosovës për 2020, e që tha se kanë dhënë opinion të kualifikuar.

Spanca tha se fokus kryesor gjatë auditimit të buxhetit ka qenë cilësia e raportimit financiar, pajtueshmëria e transaksioneve financiare me ligjet dhe rregulloret, efektiviteti i sistemit të kontrollit të brendshëm të organizatave buxhetore përfshirë kontrollet e sigurisë së informacionit dhe kontrollit të aplikative të sistemit informativ të menaxhimit financiar, si dhe zbatimi i rekomandimeve.

Spanca: Organizatat buxhetore në fushën e raportimit financiar po bëjnë përmirësime të lehta

“Konkluzioni i përgjithshëm i auditimit është se organizatat buxhetore në fushën e raportimit financiar po bëjnë përmirësime të lehta nga viti në vit, ndonëse shpaloset lidhur me informatat financiare kanë ende mangësi të theksuara. Po ashtu, gjetjet në fushën e pajtueshmërisë janë mjaftë të përhapura dhe domethënëse. Gjendje më e rënduar ekziston te ndërmarrjet publike ku si raportimi financiar ashtu edhe pajtueshmëria me kuadrin ligjor vazhdojnë të kenë të meta serioze. Sa i përket sistemit informativ për menaxhimin e financave të Kosovës përkundër përmirësimeve të ndërmarra ende nevojitet të forcohen mekanizmat e sigurisë në mënyrë që sistemet e informacionit të jenë më të mbrojtura”, tha Spanca.

Ajo tha se për pasqyrat financiare të qeverisë është dhënë opinion i kualifikuar, kjo për arsye se të hyrat ishin mbi vlerësuar për 42 milionë euro.

Spanca: Për pasqyrat financiare të qeverisë është dhënë opinion i kualifikuar

“Për pasqyrat financiare të qeverisë është dhënë opinion i kualifikuar, kjo për arsye se të hyrat ishin mbi vlerësuar për 42 milionë euro për shkak se të hyrat vetjake të bartura nga viti paraprak ishin përfshirë në planin buxhetor të vitit 2020. Shpenzimet prej 18 milionë euro me ligjin e buxhetit ishin klasifikuar nëpër kategori jo adekuate, por keq klasifikime ishin bërë edhe në rastin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, kompensimin e pagave jubilare përcjellëse, shujtave dhe shpenzime të tjera të procedurave gjyqësore. Po ashtu, në pasqyrën e shpalosjeve në shtojcat lidhur me pasuritë kapitale mbi 1 mijë euro, pasuritë nën 1 mijë euro, stoqet, detyrimet dhe llogaritë e arkëtueshme të raportit financiar vjetor të buxhetit të shtetit kishte prezantime të gabuara në shuma të konsiderueshme”, tha Spanca.

Ajo bëri të ditur se në auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë për 2020 janë dhënë 654 rekomandime.

Deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani, tha se është shqetësuese vazhdimi i pagesës në shumë mbi 1 milion euro për zyrtarët e komunitetit serb, e për të cilët nuk ka evidenca se shkojnë në vendin e punës.

Rrahmani: Në mungesë të evidencave për vajtje-ardhje në punë janë paguar mbi 1 milion euro

“Gjatë vitit pagesat e zyrtarëve të komunitetit serb apo ish-pjesëtarëve të mbrojtjes civile në mungesë të evidencave për vajtje-ardhje në punë janë paguar mbi 1 milion euro, e që ky trend po vazhdon që nga viti 2015, e po bëhen pagesa kundërligjshëm duke shkelur ligjin. Nga këtu i bëj ftesë edhe Prokurorisë që të merret qoftë edhe me personat të cilët përgatisin këto paga për shkak që nuk kanë asnjë bazë ligjore që të jepen këto paga pa një evidencë të ardhjes në punë të këtyre punëtorëve”, tha Rrahmani.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka folur rreth rastit të vjedhjes së 2.1 milionë eurove nga Thesari i shtetit, për çka tha se pushteti aktual nuk ka bërë asgjë për ta zbardhur këtë rast.

Bajrami: Nuk ka pasur gjetje që sistemi i Thesarit nuk është i qëndrueshëm

“Asnjëherë më herët Thesari nuk ka dhënë rekomandime edhe nuk ka pasur gjetje që sistemi i Thesarit nuk është i qëndrueshëm. Në anën tjetër ju bëj me dije gjithashtu që nuk flitet për dobësi të sistemit sepse nuk ka pasur sulm nga jashtë, sulmi ka qenë nga brenda dhe është bërë nga faktori njëri, përkatësisht nga zyrtari i cili ka punuar në Thesar e që ka qenë i punësuar që nga viti 2011. Flas edhe në cilësinë e ish-ministres së Financave nuk ka pasur asnjë riorganizim në Thesar, do të thotë Thesarin ashtu siç e kemi gjetur ashtu e kemi lënë, por është e vërtetë ka ndodhur ky transaksion i paligjshëm”, tha Bajrami.

Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar që të miratohet Ligji i pagave, pasi tha se nuk ka zgjidhje tjetër, teksa tha se Kuvendi sot nuk e ka zvogëluar pagën e Auditorit të Përgjithshëm, por e ka rritur.

Tahiri: Ne në fakt sot nuk e kemi zvogëluar rrogën e Auditorit të Përgjithshëm, ne e kemi rritë

“Ne në fakt, sot nuk e kemi zvogëluar rrogën e Auditorit të Përgjithshëm, ne e kemi rritë. Për shkak se në qoftë se shkojmë te tabela e koeficienteve në Ligjin e Pagave koeficienti i Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës ka qenë koeficienti 8 që në esencë i bie që është dashur të ketë rrogën 1 mijë e 912 euro, që në bazë të koeficientit dhe Ligjit të pagave që unë e kam udhëheq është kjo shumë. Pra, në fakt ne nuk e kemi zvogëluar, por në bazë të Ligjit të Pagave e kemi rrit”, tha ai.

Në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës me 79 vota pro ka miratuar raportin vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsion për 2020. Komisioni për Legjislacion dhe Komisioni për Buxhet kanë rekomanduar që ky raport të miratohet.

Tahiri për uljen e rrogës së Auditores së Përgjithshme: Në fund të vitit rroga do i del vetëm 200-300 euro më pak

Deputeti nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar kërkesën nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, si dhe miratimin nga deputetët për ulje të pagës, duke thënë se shtesat do të bëjnë që auditroja të merr pagë pothuajse të njëjtë.

“Mas 1 viti, auditorja do vjen në kuvend, pyetja ime është kjo:  Nëse është  zvogëluar paga bazë dhe nëse auditorja duhet me na tregu sa do ta merr rogën e plotë me shtesa, dhe nëse me shtesa zvogëlohet për 200 apo 300 euro , më falni çka kemi bo ne?”, tha Tahiri.

“Ne e kemi bo një politikë që nuk duhet ta bëj auditori i përgjithshëm, dhe unë pas një viti nëse jemi këtu do të lypi llogari se a a kanë qenë të hyrat e auditores së përgjithshme 2080 euro apo ne e kemi zvogëluar vetëm pagën bazë dhe pastaj me shtesa del pothuajse e njëjta”, u shpreh tutje deputeti në seancë.

“Mos sillni populizëm se në fund të vitit rroga do i del vetëm 200 apo 300 euro më pak për shkak të shtesave”.

Kuvendi miraton rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike

Deputetët kanë miratuar rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, për auditimin e buxhetit vjetor të Republikës së Kosovës, për vitin 2020.

Nga 82 deputetë të pranishëm në sallë, votuan 79 prej tyre, të gjithë pro miratimit.

E pranishme në sallë ishte edhe Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e cila paraqiti para kuvendit të gjeturat e raportit vjetor të auditivit nga buxheti i Kosovës.

​Kuvendi nuk e voton raportin vjetor të ZRRE-së për 2020

Në mungesë të kuorumit në vendimmarrje nuk është votuar raporti vjetor i Zyrës së Rregullatorit për Energji për 2020, ku në votim kanë marrë pjesë vetëm 56 deputetë.

Mos miratimin e këtij raporti e kanë rekomanduar Komisioni për Ekonomi, Ndërmarrësi dhe Tregti, si dhe Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Partitë opozitare kanë qenë kundër që ky raport të mos miratohet, madje e kanë quajtur si një arsye që pozita të shkarkojë Bordin e ZRRE-së.

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, deputeti Ferat Shala, tha se raporti i ZRRE-së duhet të miratohet pasi që i plotëson të gjitha kriteret ligjore.

Shala: Do të duhej ky raport të miratohet

“2020 ka qenë njëri ndër vitet më të suksesshme në pjesën legjislative dhe vendimmarrëse të Rregullatorit të Energjisë ku në këtë vit parimisht është bërë shkëputja dhe funksionalizimi i bllokut rregullues me Shqipërinë dhe sot vetëm ky fakt do të mjaftonte që ne të gjithë një zëri të ishim pro, sepse nuk është bërë pa punën dhe konsistencën profesionale të ekipeve të ZRRE-së do të duhej ky raport të miratohet... Mjafton të shihni pasqyrimin e të dhënave për humbjet në veri dhe mënyrën e menaxhimit të tyre, mjafton të shihni analizën dhe përgjigjet nga 200 lëndë që iu kanë dhënë konsumatorëve privat, 77 për qind prej tyre janë në favor të biznesit privat, mjafton të shihni tabelat ku parimisht janë dhënë sinjale për stabilizimin strategjik të sektorit të energjisë dhe interkoneksionin me Shqipëri”, tha Shala.

Edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se ky raport duhet të miratohet pasi që ka qenë përmbajtjesor dhe i detajuar.

Lekaj: Mund të them që ka qenë përmbajtjesor dhe i detajuar

“Mund të them që ka qenë mjaftë përmbajtjesor, i detajuar dhe pasqyrat financiare kanë qenë mjaftë transparente dhe mund të them që mund ta vlerësoj ndër raportet e mira të një institucioni të pavarur. Nuk e di pse rekomandimi është që të mos votohet ky raport. Ne e kuptojmë deri diku përcaktimin politik dhe vizionin e qeverisë, mirëpo kur është diçka e shkruar ashtu siç duhet e sidomos kur te këto agjencione të pavarura ne përpara na del politika e jo profesionalizmi, unë nuk di si ta quaj këtë. Prandaj, ne e përkrahim në plotëni”, tha Lekaj.

Ushtruesja e detyrës së shefit të Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se është pasaktësi të thuhet se mos miratimi i raportit është për shkak se kërkojnë shkarkimin e Bordit të ZRRE-së.

Kusari: Pasaktësi është të thuhet se kërkojmë që mos të miratohet raporti pasi kërkojmë shkarkimin e bordit

“Pasaktësi është të thuhet se kërkojmë që mos të miratohet raporti pasi që kërkojmë shkarkimin e bordit. Rikujtoj deputetët që mundohen të na tregojnë diçka të paqenë se Bordi i ZRRE-së është votuar në këtë Kuvend në vitin 2021, do të thotë Bordi është i kompletuar, ky Kuvend ka kompletuar Bordin dhe nuk ka të bëjë me asnjë lloj shkarkimi apo tendence. E dyta, arsyet dhe argumentet për mos miratim të raportit kanë të bëjnë me mos zbatim të metodologjisë në rekomandimin për tarifat, llogaritjen e gabuar të tarifave, janë çështje përmbajtjesore të cilat sjellin vendimin tonë për mos miratim të raportit për vitin 2020”, tha Kusari-Lila.

Ndaj deklarimeve të Kusari-Lila ka reaguar deputeti Ferat Shala, i cili tha se e vetmja mundësi që i hap rrugë shkarkimit të bordit është mos miratimi i raportit.

Shala: E vetmja mundësi për shkarkimin e bordit është mos miratimi i raportit

“E vetmja mundësi që hap hapësirë për shkarkimin e bordit është mos miratimi i raportit në mënyrë që është praktikë e njohur tashmë e këtyre kolegëve që po e praktikojnë. Ky është qëndrimi jonë”, tha Shala.

Në debat është përfshirë edhe deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili tha se presin të shohin se si do të veprojë ZRRE në lidhje me licencimin e operatorit të shpërndarjes së energjisë eklektike në veri.

Gashi: Këto tri tema unë pres me kuriozitet maksimal që t’i shoh

“Njëri prej problemeve që presim me kuriozitet ta shohim se si do të veprojë ZRRE, pra dora e zgjatur e qeverisë në këtë rast lidhur me licencimin e operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike në komunat e veriut. Pra, ka disa tema shumë delikate, shumë të ndjeshme të cilat duhet t’i trajtojë ZRRE, të cilat ne po presim t’i shohim dhe t’i japim vlerësimet tona... Pra, këto tri tema unë pres me kuriozitet maksimal që t’i shoh, si do të reflektohet inflacioni në çmimin e energjisë elektrike, si do ta trajtojë mbikëqyrjen e KEDS-it nga ana e ZRRE-së dhe si do ta trajtojë problemin me operatorin, i cili është dashur të licencohet që sa kohë dhe Kosova vazhdon të paguajë dhjetëra milionë euro për komunat në veri, të cilat nuk paguajnë energji elektrike, sepse ZRRE deri tash nuk ka pasur Bord për ta licencuar operatorin në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel”, tha Gashi.

Në mungesë të kuorumit në vendimmarrje ka dështuar të votohet edhe raporti vjetor i Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2020, ku vetëm 50 deputetë kanë marrë pjesë në votim.

Paraprakisht mos miratimin e këtij raporti e kanë rekomanduar dy komisione parlamentare, Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal dhe Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere.

***

Me 64 vota për, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar propozim-vendimin për caktimin e pagës së Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, ku paga e auditorit do të jetë 2 mijë e 800 euro bruto nga 3 mijë e 800 sa ka qenë deri më tash.

Kërkesa për zbritje të pagës ka ardhur nga vet auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca.

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja, tha se paga prej 2 mijë e 800 euro e Auditorit të Përgjithshëm do të zbatohet deri në miratimin e ligjit përkatës që rregullon pagat e funksionarëve të lartë publikë.

Muja: Auditorit të Përgjithshëm i caktohet paga mujore bruto në shumën prej 2 mijë 800 euro

Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës i caktohet paga mujore bruto në shumën prej 2 mijë 800 euro. Niveli i pagës së Auditorit të Përgjithshëm sipas pikës një të këtij vendimi zbatohet deri në miratimin e ligjit përkatës që rregullon pagat e funksionarëve të lartë publik”, tha ai.

Deputeti i LVV-së Armend Muja, i ka dhënë mbështetje kërkesës së auditores, derisa ka ftuar edhe zyrtarët e tjerë që të ndjekin këtë model.

Muja: Grupi Parlamentar i LVV-së e mbështet fuqishëm këtë kërkesë të pazakonshme në Kosovë

Grupi Parlamentar i LVV-së e mbështet fuqishëm këtë kërkesë të pazakonshme në Kosovë. Paga e auditorit të përgjithshëm të Republikës së Kosovës ka qenë 3 mijë e 800 euro me shtesa, auditorja e re ka kërkuar që t’i ulet paga, sepse ka menduar që është në interes edhe për shkak të parimit të ri të mirëqeverisjes, po edhe ruajtjes së buxhetit të auditorit. Ne e kemi mbështetur fuqishëm. Inkurajojmë që edhe zyrtarët e tjerë të ndjekin modelin e ngjashëm”, tha Muja.

Mbështetje i ka dhënë edhe Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku deputeti Avdullah Hoti, kërkoi që sa më parë të rregullohen pagat e zyrtarëve të lartë nëpërmjet Ligjit për paga.

Hoti: Ne e mbështesim këtë propozim

“Ne e mbështesim këtë propozim dhe bëjmë thirrje që sa më parë kjo çështje dhe plot të tjera, pagat e zyrtarëve të lartë nëpër institucione të rregullohen me Ligjin për pagat në sektorin publik. Por, gjithashtu unë pres që ky vendim të mos i prekë pagat e auditorëve të tjerë brenda ZKA-së, duke qenë se këta auditorë janë kudër deficitar për institucionet publike”, tha ai. 

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me vota unanime kanë miratuar kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale për miratimin e taksave vjetore për vitin 2021.

Taksa investive për vitin 2021 do të jetë prej 0.32 përqind, ndërsa taksa operacionale prej 0.065 përqind.

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, tha se si komision i rekomandojnë Kuvendit që të miratohet e njëjta.

Muja: Kuvendit i rekomandon që të miratohet kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës

Kuvendit i rekomandon që të miratohet kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për caktimin e taksës investive prej 0.32 përqind dhe taksës operacionale prej 0.065 përqind për vitin 2021”, tha ai.

Mbështetje i kanë dhënë edhe të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës, ku kjo kërkesë mori 75 vota.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat