Presidenti slloven: Kosova dhe Serbia t’i besojnë dialogut dhe t’i respektojnë marrëveshjet, Osmani ka një thirrje për BE-në

Aktuale

Presidenti slloven: Kosova dhe Serbia t’i besojnë dialogut dhe t’i respektojnë marrëveshjet, Osmani ka një thirrje për BE-në

Më: 29 nëntor 2021 Në ora: 07:41
Borut Pahor dhe Vjosa Osmani

(E plotësuar 12:45) -  Pahor kërkon të formohet Asociacioni, Osmani: Nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, dje u shpreh i shqetësuar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa tha se gjatë vizitës së tij në Prishtinë do të kërkojë të zbatohet gjithçka që është rënë dakord në Bruksel. Por pas takimit me të, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Serbia nuk i ka implementuar shumicën e marrëveshjeve.

Presidentja Osmani tha se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk është implementuar për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Një marrëveshje që nuk është implementuar është sepse, parakusht është që duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ka thënë se Asociacioni nuk është në përputhje me Kushtetutën”, tha Osmani, duke theksuar se nuk mund të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive.

“Serbia nuk i ka implementuar as 2/3 e marrëveshjeve”, tha Osmani paraprakisht, duke vënë në pah se Serbia ende refuzon t’i shkatërrojë të gjitha strukturat ilegale dhe të mos i financojë ato. “Janë duke e terrorizuar popullatën”, shtoi presidentja.

Ndërsa presidenti slloven, Pahor, tha se çështjet më të rëndësishme mund të zgjidhen përmes dialogut, por theksoi se kushti i parë është që të respektohen marrëveshjet e arritura. Edhe marrëveshja për Asociacionin, Pahor tha se duhet të respektohet nga Kosova.

“Çështjet më të rëndësishme mund të zgjidhen me dialog. Kushti i parë është që të respektohen marrëveshjet. Ne e kuptojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por për palën e tretë që nuk është nënshkruese e kësaj marrëveshjeje… Derisa të mos merreni vesh ndryshe, kjo marrëveshje duhet respektuar. Është e sigurt se gjithmonë duhet t’i kthehemi dialogut”, tha Pahor.

Pas takimit me Osmanin, presidenti slloven takohet me Kurtin

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, është pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti.

Pahor theksoi se BE-ja duhet t’i liberalizojë vizat për Kosovën, ndërsa inkurajoi që institucionet të përqendrohen në dialogun me Serbinë.

Presidenti slloven dje ka qëndruar në Beograd. Kjo është vizita e dytë e Pahor në Kosovë brenda një periudhe të shkurtër.

Image

***

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahour, ka thënë se Ballkani i Hapur nuk është alternativë e përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Ai tha se në fillim e ka mirëpritur këtë iniciativë edhe si mënyrë për rregullimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por tash, sipas tij, ka shumë kundërshti.

“Kam parë se ka shumë kundërshtime, kur ka ardhur te kjo iniciativë më është dukur shumë me elegante për rregullimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, tha ai në konferencën e përbashkët për medie me presidenten Osmani.

Më e prerë në qëndrim u shpreh e para e shtetit, Vjosa Osmani.

“Ballkani i Hapur është hapësirë për shtrirjen e hegjemonisë serbe dhe nuk ka as një element të bashkëpunimit rajonal”, tha ajo.

Osmani: BE-ja të kërkojë nga Serbia të ndalë retorikën e saj destabilizuese në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë të përbashkët me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor ka thënë se  Sllovenia ka mbështetur përpjekjet e Kosovës për pavarësi, siç e ka mbështetur edhe pas luftës dhe në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik.

Osmani ka thënë se janë të interesuar që ta thellojmë këtë bashkëpunim me Slloveninë.

“Kosova e ka rrugën e saj të qartë e ajo është rruga e integrimit euroatlantik, për ne nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së dhe NATO-s”, ka thënë Osmani.

Osmani ka përmendur edhe çështjen e liberalizimit të vizave, duke thënë se Bashkimi Evropian e ka humbur kredibilitetin sa i përket kësaj çështje.

“Liberalizmi i vizave është vonuar dhe kjo e dëmton kredibilitetin e BE-së. Heqja e vizave duhet jo të ndodh sa më shpejt. E falënderoj presidentin Pahor për mbështetjen në këtë çështje”, u shpreh Osmani.

Lidhur me dialogun, presidentja Osmani u shpreh se Kosova gjithnjë ka qenë pala konstruktive në këtë proces, por përshtypja jonë është se Serbia nuk është e interesuar që të arrijë një marrëveshje ligjërisht obligueshme me Kosovën.

“Njohja reciproke është ajo që duhet të jetë në qendër të këtij procesi. Për fat të keq fqiu ynë nuk e dëshiron një Ballkan Perëndimor stabil dhe në paqe prandaj edhe po përdor retorikë dhe veprime që po e destabilizojnë rajonin tonë. Shpresojmë që BE-ja do të jetë e qartë me Serbinë dhe të kërkoj që të ndërpres retorikën destabilizuese jo vetëm në raport me Kosovën por edhe me shtetet tjera të rajonit”, tha Osmani.

Osmani theksoi se Serbia po vazhdon që përmes strukturave ilegale në veri po vazhdon të destabilizojë Kosovën, e po ashtu edhe rritja e ndikimit rus paraqet kërcënim për destabilizim të mëtejmë të rajonit.

Presidentja Osmani shtoi se për të luftuar këto tendenca destabilizuese kemi nevojë për përkrahjen e miqve tanë.

Presidenti slloven: Kosova dhe Serbia t’i besojnë dialogut dhe t’i respektojnë marrëveshjet

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka kërkuar të tejkalohet gjitha mosmarrëveshjet në dialogun Kosovë-Serbi dhe të vazhdohet tutje për arritjen e marrëveshjes finale.

Ai në një konferencë të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani, tha se Sllovenia do të mbështesë dialogun dhe perspektivën e Kosovës në procesin euro-integrues.

Megjithatë, ai tha se dy palët duhet të respektojnë edhe marrëveshjet e arritura.

“Kushti i parë është t’i besohet dialogut dhe respektohen marrëveshjet”, tha ai.

LIVE: Osmani dhe Pahor në konferencë për media

Deklarimet për media të presidentit Pahor dhe Osmani

Nis takimi Osmani-Pahor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor.

Gjatë këtij takimi do të zhvillohen edhe bisedime plenare ndërmjet delegacioneve të dy homologëve.

Pas takimit me dyer të mbyllura, presidentët do të mbajnë konferencë të përbashkët për medie.

Image

Në vizitën e tij në Kosovë, presidenti Pahor do të zhvillojë takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Presidentja Osmani pret në takim Presidentin e Sllovenisë

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, po qëndron sot për vizitë në Kosovë.

Ai është takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, para pak minutash, ndërsa në orën 11:20 pritet që të takohet me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Pahor do të vizitojë edhe kontingjentin slloven në kuadër të KFOR-it, ku do të takohet me komandantin Ferenc Kajari.

Image

Presidenti slloven sot në Kosovë

Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor sot do të arrijë për një vizitë në Kosovë.

Ai me këtë rast do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Takimi i Pahorit me Osmanin do të mbahet në ora 10:00, ndërsa me Kurtin në ora 11:20.

Pahor do të vizitojë edhe kontingjentin slloven në kuadër të KFOR-it, ku do të takohet me komandantin Ferenc Kajari.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat