Amerika goditi kriminelët/ Reagon kryeministri Kurti, flet për aksionin e Policisë së Kosovës në Mitrovicë

Aktuale

Amerika goditi kriminelët/ Reagon kryeministri Kurti, flet për aksionin e Policisë së Kosovës në Mitrovicë

Nga: A.M. Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 21:59
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka mirëpritur vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendosjen e Zvonko Veselinovic-it dhe grupit të organizuar kriminal që vepron në veri të Kosovës në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit.

Kryeministri Kurti në një postim në Facebook, ka thënë se vendimi i  Shteteve të Bashkuara të Amerikës vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës.

Postimi i plotë:

Shumë i mirëseardhur vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për identifikimin e emrave të përveçshëm dhe sanksionet ndaj Zvonko Veselinovic dhe grupit të organizuar kriminal që vepron në veri të Kosovës.

Përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve në mes Kosovës dhe Serbisë, ky grup është dëshmia më e mira se krimi në veriun e Kosovës është realitet i përditshëm që cenon ligjshmërinë e të drejtat, lirinë dhe të mirat e qytetarëve.

Vendimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale. Lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional do t’i luftojmë nëpërmjet bashkëpunimit të zyrtarëve të institucioneve tona pa dallim etnie dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët e partnerët tanë.

Krimi i organizuar është rrezik i sigurisë kombëtare. Republika e Kosovës është e të gjithë qytetarëve të saj. Qeveria e Republikës së Kosovë ka prioritet luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat