ASK: Bie numri i ndërmarrjeve të regjistruara

Aktuale

ASK: Bie numri i ndërmarrjeve të regjistruara

Më: 28 janar 2022 Në ora: 14:46
Ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë, për tremujorin e katërt (TM4) 2021, sipas të cilit, gjatë tremujorit në fjalë del se janë regjistruar 2 mijë e 416 ndërmarrje, apo 18.7 përqind më pak se në periudhën e njëjtë të vitit 2020.

Sipas raportit, gjatë TM$ 2021 ka pasur rënie prej 2.6 përqind në krahasim me TM3 2021.

“Në tremujorin e katërt të vitit 2021 (TM4) gjithsej janë regjistruar 2 416 ndërmarrje. Krahasuar me tremujorin paraprak (TM3 2021) ka rënie për (-2.6%) të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM4 2020) ka rënie për (-18.7%) të ndërmarrjeve të regjistruara”, sipas ASK-së.

Në një komunikatë për media, ASK bën të ditur se aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: Tregtia me shumicë dhe pakicë dhe riparimi i mjeteve motorike, motoçikletave me 646 ndërmarrje të regjistruara (26.73%); Prodhimi me 296 ndërmarrje të regjistruara (12.25%); Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 251 ndërmarrje të regjistruara (10.38%); Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 237 ndërmarrje të regjistruara (9.80%); Ndërtimtaria me 183 ndërmarrje të regjistruara (7.57%), etj.

Në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2 mijë e 314 ndërmarrje të regjistruara në këtë tremujor (95.78 %); me 5 deri 9 të punësuar ishin 58 sosh (2.4%); me 10 deri në 19 të punësuar ishin 29 ndërmarrje të regjistruara (1.2%); me 20 deri 249 të punësuar ishin 15 ndërmarrje të regjistruara (0.6%); ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar, nuk ka asnjë ndërmarrje të regjistruar.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor mbizotëron komuna e Prishtinës me 765 ndërmarrje të regjistruara (31.66%); Ferizaj me 234 ndërmarrje të regjistruara (9.69%); Prizreni me 169 ndërmarrje të regjistruara (7%); Gjilani me 136 ndërmarrje të regjistruara (5.63%); Peja me 125 ndërmarrje të regjistruara (5.17%); dhe Fushë Kosova me 117 ndërmarrje të regjistruara (4.84%); ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat