Aleanca e Bizneseve të Kosovës: Hyrja me tre doza dëmtoi bizneset, kanë rënë lëvizjet në kufi

Aktuale

Aleanca e Bizneseve të Kosovës: Hyrja me tre doza dëmtoi bizneset, kanë rënë lëvizjet në kufi

Më: 28 janar 2022 Në ora: 18:08
Agim Shahini

Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten, (21 janar)masat e reja anti-Covid ku sipas vendimit qytetarët që hyjnë në Kosovë duhet të jenë të vaksinuar me tre doza.

Ky vendim hasi në shumë kundërshtime.

Kryetari i Aleancës së Bizneseve të Kosovës, Agim Shahini, ka treguar se sa janë dëmtuar bizneset e vendit nga masat e reja të vendosura nga qeveria për menaxhimin e situatës së COVID-19.

Ai ka thënë se masat e vendosura në pikat kufitare të vendit, paraqesin ndikim negativ për të gjithë bizneset që dëshirojnë të operojnë edhe jashtë.

“Këto rregulla i vlerësojmë se janë të ngarkuara me një kërkesë të panevojshme dhe kaq të madhe. Kjo pasi një person që i ka dy vaksina kundër COVID-19 pse do të duhej t’i kërkohej testi, si dhe kundërta pse duhet t’i kërkohen dy vaksina një personi që e ka testin për COVID-19.Këtë drejtim nuk është problemi vetëm tek bizneset, sepse, maunet dhe shoferët mund të lëvizin. Por, qytetarët dhe biznesmenët që mund të lëvizin për të kontraktuar mall duhet të iu nënshtrohen këtyre rregullave”.

Shahini ka deklaruar se probleme kanë pranuar edhe nga bizneset që vijnë drejtë Kosovës nga vendet fqinje.

“Kemi kërkesa të vazhdueshme të njerëzve e shohim edhe në kufi se është numri i vogël i qytetarëve dhe bizneseve që lëvizin në të dyja anët. Kemi pranuar reagime nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe nga Lugina e Preshevës. Mendoj se duhet të kemi një mirëkuptim për vendet fqinje sa i përket masave, pasi marrim atë çka ne mundemi të ofrojmë, në të kundërtën po vetizolohemi”.

Ai ka theksuar se i kanë bërë thirrje Qeverisë Kurti që të lirojnë sa më shpejtë këto masa.

Edhe të tjerë kanë kundërshtuar masat.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, vlerëson se ekzekutivi duhet të ndryshojë masën për hyrjen në Kosovë me dozë të tretë të vaksinës ndaj COVID-19 dhe e njëjta masë të zëvendësohet me bërjen e testeve rapide falas në kufi.

“Masat e fundit dhe sidomos kërkesa për dozën e tretë të vaksinës ka qenë e panevojshme në këtë fazë, pasi edhe me dy vaksina qytetarët po arrijnë të infektohen sërish me COVID-19. Kam kërkuar që kjo masë të ndryshohet dhe të ofrohen teste rapide në kufij falas, pasi edhe saktësia e tyre është e lartë dhe e shpejtë”.

Reshitaj theksoi se kjo masë është e pavend, pasi qytetarët në vend ende nuk janë vaksinuar në shumicë me këtë dozë.

“Ka ende diskutime në arenën ndërkombëtare se a duhet të vaksinohen të gjithë qytetarët me dozën përforcuese dhe të mos harrojmë që këto doza janë të domosdoshme për kategoritë më të rrezikuara. Kur ne si vend nuk kemi arritur që të vaksinojmë në masë qytetarët me tri doza dhe t’u kërkojmë qytetarëve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera, është e pavend”, tha Reshitaj.

Më tej deputetja vlerëson se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike do të duhej të bënte hulumtime rreth varianteve të COVID që janë të pranishme në Kosovë.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se ka pranuar mesazhe dhe thirrje nga Kukësi, Lugina e Preshevës, Shkupi e Tetova në lidhje me kërkesën për tre doza të vaksinës për të hyrë në Kosovë.

Hoti e ka quajtur shqetësuese mungesën e koordinimit të qeverisë së Kosovës me qeveritë në Tiranë, Shkup dhe me Luginën e Preshevës.

“Këto ditë kam pranuar mesazhe dhe thirrje nga Kukëksi, Lugina e Preshevës dhe Shkupi e Tetova. Kërkesa për tri doza të vaksinës për të hyrë në Kosovë është vërtetë e pakuptimtë. Shqetësuese është mungesa e koordinimit të Qeverisë së Kosovës në marrjen e vendimeve të tilla me Qeverinë në Tiranë dhe atë në Shkup, si dhe me Kryetaren e Preshevës”, ka shkruar Hoti.

Ai ka thënë se vendimi duhet të ndryshohet menjëherë.

Ndërsa, kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se vendimi i marrë nga Qeveria e Kosovës në lidhje me masat Anti-COVID, ka vështirësuar dukshëm lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Komunës së Preshevës.

Kjo javë ka shënuar fluksin më të vogël të lëvizjeve në dy anët e kufirit.

Kjo i faturohet masave të vendosura nga Qeveria e Kosovës për të pasur tri doza vaksinimi për këdo që hyn në territorin e Kosovës.

Zëvendëskomandanti i pikës kufitare të Vermicës, Ismet Hodaj, konfirmoi gjatë ditës së djeshme reduktimin e ndjeshëm të lëvizjeve.

Masat e Qeverisë së Kosovës kundër përhapjes së Covid-19 kanë ndikuar më së shumti te lëvizjet dhe ekonomitë familjare të qytetarëve shqiptarë, të cilët punojnë dhe kryejnë vizita shëndetësore në qytetet e Kosovës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat