Reagon i akuzuari për 53-milionëshin e “Bechtel Enka”

Aktuale

Reagon i akuzuari për 53-milionëshin e “Bechtel Enka”

Më: 4 shkurt 2022 Në ora: 22:43
Eset Berisha, Pal Lekaj

Eset Berisha, ish-këshilltari i ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij dhe deputetit të AAK-së për çështjen e 53 milionë eurove ndaj kompanisë “Bechtel Enka”.

Berisha nëpërmjet një postimi në Facebook tha se nga fakti se është pritur dita e fundit e kalimit të afatit për përfundimin e hetimeve, flet për vete se çfarë substance mund të ketë kjo aktakuzë, sepse aktakuzat e forta sipas tij, përpilohen shpejt dhe dorëzohen në gjykatë.

Ai shprehet se “në shtetin tonë të dashur, jemi mësuar me këso aktakuza kuturu, mbase me këtë është përmbushë një detyrë e dikujt”.

“Një luftë e pashpallur ndaj meje nga strukturat kishte filluar në vitin 2019, kur u zgjodha drejtor i autoritetit të aviacionit. Atëkohë këta njerëz kishin filluar denoncime me emër dhe anonime për mënyrën e përzgjedhjes time, agjencia antikorrupsion më kishte hetuar në tri departamente për rastin e njëjtë, prokuroria edhe në dy raste tjera, dhe në fund më kishin ruajtur për ‘kurban” për të mbuluar rastin më të madh të pasluftës, të cilin vet e kishin krijuar që nga viti 2015”, deklaroi ai.

“E sa i përket akuzave, nuk e di se si prokurorët do të arsyetojnë ngritjen e aktakuzës ndaj një këshilltari politik të ministrit, kur dihet se këshilltarët sipas ligjit nuk kanë kompetenca ekzekutive, administrative apo mbikëqyrëse. Pra, me gjuhë të thjeshtë, këshilltari politik nuk mundet të keqpërdorë pozitën dhe funksionin me nenshkrim te kontratave edhe po deshi, sepse nuk i ka ato kompetenca, nuk ka dokument që mund të nënshkruan apo vulos”.

“E ai që ka përpiluar dokumentin për arsyeshmërinë e pagesës dhe e ka nënshkruar me dorën e vet, është ftuar nga prokuroria si dëshmitar dhe asnjëherë si i dyshuar, edhe pse në bazë të dokumentit të tij qeveria e ka aprovuar vendimin për pagesën e 53 mil”, shkroi Berisha.

“Prokuroria nuk ka hetuar as të tjerët që kanë aprovuar vendimin, e këtë kontratë e kishte apovuar qeveria apo edhe atë që e ka nënshkruar vet kontratën, si drejtor i prokurimit.
Këso akuza janë serioze sepse mbajne vulen e organeve me të cilat kufizohen të drejtat e njeriut, e bile rrezikohet seriozisht edhe siguria e individit dhe e familjes, si në rastin tim.
Por, kujt i intereson kjo!? Raste penale spektakolare janë inicuar edhe më parë, janë zhvilluar procedura dhe në fund janë mbyllur pa bujë, pas shumë vitesh nëpër gjykata”.

“Edhe kjo aktakuzë do ta ketë fatin e njëjtë, sepse qëllimi nuk ishte për të hetuar dhe zbuluar. P.S. Folësit të qeverisë: drejtësia ende nuk e ka thënë fjalën e fundit për rastin e shkarkimit tim, do të ketë ky vend gjyqtar, që kur vendosin një cështje mbështeten në prova sic i obligon ligji, e jo në përshkrim të deklaratave të palëve në 12 faqe, e me gjysë faqe arsyetim të aktgjykimit”.

Prokuroria Speciale ka ngritur sot aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt, Nebih Shatrit, ish-zyrtar në MI dhe Eset Berishës, ish-shef i kabnetit të Pal Lekajt, për ndarjen e 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë- Hani i Elezit.

Në qershor të vitit 2018, Qeveria Haradinaj kishte ndarë 53 milionë euro shtesë për “Bechtel & Enka” për autostradën e Shkupit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat