40 Burgje dhe 40 vrasje të bujshme politike / Nuk shpëton Thaçi nga specialja me propagandë politike të mbrojtjes 

Aktuale

40 Burgje dhe 40 vrasje të bujshme politike / Nuk shpëton Thaçi nga specialja me propagandë politike të mbrojtjes 

Nga: Idriz Morina Më: 6 shkurt 2022 Në ora: 19:47
Hashim Thaçi në Hagë

Mbrojtja e Hashim Thaçit të premten u pozicionua në goditjen politike të gjykatës speciale, Dhomave të Specializuara të Hagës, nëpërmjet një propagande më tipike për totalitarizmin.

Në fund të fundit do të ishte punë e saj, se ku e përqendron mbrojtjen, çfarë qasje, apo çfarë argumente çmon më shumë, por të abuzohen në atë mënyrë paratë e taksapaguesve të Kosovës, ku mundohen që ta linçojnë pikërisht punën e prokurorëve amerikan, pa të cilët nuk mund të paramendohej arrestimi i Hashim Thaçit dhe të tjerëve, është përveçse e papranueshme, edhe e dënueshme. E dënueshme pagesa nga fondet qeveritare, jo ato private.

E dënueshme edhe në aspektin politik, dhe goditje për diplomacinë e Kosovës, që mbështetet në përfitimin e Amerikës dhe lojalitetin ndaj saj.

Në fund të fundit le të besojmë, në atë që kanë thënë miqtë tanë, se gjykata speciale është rast për pastrimin e luftës së UÇK-së.

Mbrojtja e Thaçit, e dorëzuar përballë provave të prokurorisë?!

Mbrojtja po kërkon me çdo kusht lirimin, përkatësisht mbrojtjen në liri të Thaçit dhe grupit të tij, ky insistim, që po merrë kaq shumë vëmendje, sa tashmë ka gjetur ‘prova’ të jashtme, që mendojnë se gjykata duhet të mbështetet tek ‘ato’, të bën të besosh se mbrojtja është e dorëzuar para provave juridike që do t’i ofrojë prokuroria, kur të fillojë procesi gjyqësor.

Kjo qasje me kaq ashpërsi e saj, të bën të mendosh, se tashmë rrugën e shpëtimit grupi mund ta ketë, nga lirimi i përkohshëm, dhe ndoshta arratisja e atyre që mund të arratisen.

Pse mund të mendojë kështu mbrojtja, janë dyshimet e bazuara për provat e siguruara nga prokuroria për dhunën e ushtruar në 40 burgje në Kosovë dhe Shqipëri, ku besohet se të gjitha kanë ndodhur, pa vendime të një gjykate ushtarake, me përjashtim të fare pak rasteve.

Prandaj, shtrohen pyetje legjitime edhe nga opinioni, se a ka prova shfajësuese për vrasjen e gazetarit Ali Ukajt, për vrasjet e bashkëveprimtarëve të vet në LPK, Behajdin Hallaqit e Shaban Shalës, për vrasjen e ministrit të Mbrojtjes Ahmet Krasniqit, eprorit Sadri Ramqaj, publicistit dhe bashkëpunëtorit të Presidentit Rugova Enver Malokut, veprimtarit të LDK-së e përkthyesit Haki Imerit, gazetarit Shefki Popovës, shkrimtarit e publicistit Xhemail Mustafës -këshilltar i Presidentit Rugova, Kryetarit të Klinës Ismet Rracit, truprojës së Presidentit Rugova Besim Dajakut e gazetarit të “Bota sot” Bekim Kastratit, e deri tek vrasja e Tahir Zemajt dhe të tjera raste, për të cilat nuk e dimë nëse është i dyshuar se është përfshirë në vrasje të tyre ish-presidenti Thaçi; pastaj të plagosurit si Sabri Hamiti, Ejup Visoka, Gani Geci dhe të tjera raste, në të cilat besohet se është i përfshirë me urdhër ose vendimmarrje, Hashim Thaçi.

Vrasja e mbi 100 veprimtarëve të LDK-së

Avokatët dhe disa media të Thaçit në Kosovë nëse mendojnë se janë prova shfajësuese këto vrasje dhe plagosje, dhe se ashtu mund ta arrijnë qëllimin politik, duke ushtruar presion publik, është tepër e rrezikshme dhe sfiduese për vetë demokracinë, e cila është e varur në plotëni nga sundimi i rendit dhe ligjit, para së gjithash.

Janë mbi 40 vrasje të figurave dhe aktivistëve të njohur, dhe mbi 100 të veprimtarëve, që askush nuk mund të dyshojë në ta, ndërsa sipas disave, si Sali Berishës ish-kryeministrit të Shqipërisë, numri shkon në rreth 200 vrasje politike. Ndërsa, me numrin e vrasjeve për motive të hakmarrjes, qërimit të hesapeve të së kaluarës apo të ndonjë armiqësie të kotë, si dhe me vrasjen e vetë vrasësve, pra të ekzekutorëve, pastaj të dëshmitarëve, nuk ka një numër të saktë, por e tejkalon numrin e vrasjeve me motive politike, karrieriste.

Rrahjet

Gjykimi bazohet në dëshmitarë dhe veprime të drejtpërdrejta dhe të tërthorta të Thaçit.

Është ‘sekret publik’, se kur janë arrestuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, i ka rrahur personalisht Gjergj Dedajn dhe të tjerë, pa zgjedhur femra dhe meshkuj, pastaj zyrtarë të LDK-së si Jakup Kastratin e Cen Deskun...

Nuk mund ta shfajësojnë nga provat dhe dyshimet e tilla të bazuara me deklarata politike dhe propagandistike, avokatët që po e zhgërryejnë buxhetin e Kosovës, me punë joprofesionale.

Si duket mbrojtja e ka hetuar, se klientët e tyre Thaçi dhe Veseli nga procesi i Hagës mund të zhvishen lakuriq nga ‘gradat e patriotizmit’, epitetet dhe nga ajo pak përkrahje që u ka mbetur, dhe po mundohen me metodat e propagandës jo profesionale, t’i shfajësojnë paraprakisht nga akuzat.

Rreth 400 dëshmitarë

Gjykata speciale besojmë thellësisht se nuk merret me politikë, asaj i interesojnë provat. Nëse do t’i interesonte politika, ajo do të shkonte në favor të Thaçit dhe ‘ndërmarrjes kriminale’.

Sipas burimeve, shumë prej informatave të cilat janë publikuar, janë rreth 400 dëshmitarë që do të dëshmojnë, ndërsa vetëm shtatë deri më tani janë refuzuar, në procesin ndaj Thaçit, dhe të tjerëve. Por, edhe vetëm një dëshmitar qenësor nëse mbijeton, ai mund të dënohet.

Po ashtu një dokument është “Komunikata 59” e vitit 1998, që vlerësohet se është një fletërrufe, e cila shënon fillimin e luftës së Thaçit, ndaj kundërshtarëve politikë. Në vitin 2001 besohet se e ka realizuar atë komunikatë ekipi i Hashim Thaçit, e cila u mbyllë tragjikisht me vrasjen e Bekim Kastratit e Besim Dajakut, dhe plagosjen e Gani Gecit.

Aktakuza kundër katër të akuzuarve Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Ata akuzohen për rreth 100 vrasje, 1998 - 31 dhjetor 2000.

Le të veprojë drejtësia, le ta ndiejnë dorën e Zotit dhe shtetit familjet e viktimave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat