​Rusia financon institucionet shëndetësore ilegale serbe në Kosovë, eksperti e quan instrumentalizim për qëllime elektorale

Aktuale

​Rusia financon institucionet shëndetësore ilegale serbe në Kosovë, eksperti e quan instrumentalizim për qëllime elektorale

Më: 21 shkurt 2022 Në ora: 21:49
Foto ilustrim

Rusia është duke financuar institucionet ilegale serbe në Kosovë. Këtë e ka bërë publike vetë drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë gjatë një takimi me drejtorët e institucioneve shëndetësore ilegale serbe nga Kosova, të mbajtur në Beograd.

Eksperti i sigurisë Agim Musliu, investimet e Rusisë në Serbi dhe përmes saj në strukturat ilegale serbe në Kosovë, i sheh si qëllime të Rusisë për destabilizim të Ballkanit, ndikim në zgjedhjet në Serbi dhe instrumentalizim për qëllime elektorale.

“Rusia është duke përdorur çdo instrument të saj për të ruajtur ndikimin në Ballkan, veçanërisht në Serbi, përmes përkrahjes së madh që është duke i dhënë Presidentit serb Vuçiq për të fituar zgjedhjet e 3 Prillit në Serbi dhe për të qëndruar në pushtet. Ndërsa përmes investimeve ruse në strukturat ilegale serbe në Kosovë, Rusia ka për qëllim destabilizimin e Ballkanit dhe përdorimin e shëndetësisë si instrument presioni ndaj serbëve të Kosovës për të mbështetur Vuqiçin dhe partinë e tij në zgjedhjet serbe. Në të kundërtën çfarë logjike kanë investimet në shëndetësi nga një vend si Rusia i cili ka një sistem të dobët shëndetësor për veten e saj dhe i cili ka kolapsuar nga pandemia Covid” deklaroi Musliu.

Sipas Musliut, qëllimi final i Rusisë përmes instrumentalizimit të përkrahjes ruse është “shëndrrimi i Vuqiçit në një ‘kali të Trojës’ brenda Ballkanit dhe BE-së, e cila mund të arrihet gjatë procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkim Evropian. Për më tepër tani me rritjen e tensioneve në Ukrainë, Rusia ka për qëllim që të ruaj edhe zona tjera për nxitjen e tensioneve dhe zgjedhjet në Serbi janë moment ideal për Putinin që të vendos kontroll të plotë në Serbi.”

Qeveria e Serbisë me vite të tëra financon projekte në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë. Financimi i disa prej këtyre projekteve bëhet edhe nga Federata Ruse.

Institucionet shëndetësore në mjediset e populluara me shumicë serbe në Kosovë, të cilat vazhdojnë të funksionojnë në kuadër të sistemit paralel të Serbisë, i cili vepron ilegalisht në Kosovë edhe këtë herë janë financuar nga Rusia, e cila me çdo kush përmes Serbisë, po tenton të shtrijë ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor, e veçanërisht në kohë para-fushate për zgjedhjet e Serbisë, të planifikuara të mbahen më 3 prill 2022.

Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti janë caktuar mjete të konsiderueshme financiare për prokurimin e pajisjeve më të reja mjekësore për institucionet tona shëndetësore në Kosovë, me forca të përbashkëta të ‘Zyrës për Kosovë’, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Federatës Ruse”, bëri të ditur Petar Petkoviq me anë të një postimi në rrjetin social Facebook. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat