(E plotësuar 11:21) - Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë për mediumin britanik SkyNews, ka folur për agresionin rus në Ukrainë dhe mundësinë që Putini të destabilizojë edhe Ballkanin. Kurti ka përmendur lidhjet e forta të Rusisë me Serbinë dhe takimin e fundit në nëntor të vitit të kaluar të Putinit me Vuçiqin në Rusi. Kryeministri kosovar e ka quajtur presidentin rus, president despotik që e urren NATO-n.
“Ballkani s’është imun nga efektet e situatës në Ukrainë, sepse në Ballkan kemi një shtet që s’ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe s’është rreshtuar me BE-në për ta dënuar agresionin rus dhe ajo është Serbia ne kemi kufi të gjatë me Serbinë që s’e njeh Kosovën. Rusia me Serbinë kanë lidhje të forta dhe këto lidhje janë kulturore dhe ushtarake e ekonomike. Serbia ka 14 aeroplanë luftarakë Mig29, donacione nga Rusia dhe Bjellorusia”, ka thënë Kurti.
Tutje, shefi i qeverisë e ka quajtur presidentin rus, president despotik që do të provojë të transferojë luftën në Ballkanin Perëndimor.
“Të gjitha kompanitë ruse kanë degët e tyre në Serbi, dhe qytetarët e Kosovës janë të shqetësuar që presidenti despotik Vladimir Putin do të provojë ta transferojë luftën edhe në Ballkanin Perëndimor për ta shdërruar në betejë të tij me demokracitë perëndimore”, tha ai.
Kryeministri Kurti ka shprehur edhe njëherë dëshirën që Kosova të anëtarësohet në BE dhe NATO pas zhvillimeve të fundit.
“Ne qëndrojmë të vendosur dhe vigjilent dhe s’jemi të frikësuar, ne duam të anëtarësohemi në BE dhe NATO, ne kemi NATO-n në Kosovë por sa më parë që anëtarësohemi në NATO do të kemi stabilitet më të madh të rajonit. Presidenti Putin në nëntorin e kaluar ka pritur presidentin e Serbisë, Vuçiq në Soçi, dhe i ka shfaqur një hartë të Kosovës të përqëndruar në veriun e Kosovës sepse aty ka struktura ilegale që operojnë atje praktikisht janë në koordinim të afërt për atë kryeqytetet e BE-së duhet të kërkojnë nga Beogradi ta dënojnë agresionin e Rusisë në Ukrainë. Për këtë BE dhe NATO duhet të angazhohen më shumë në Ballkanin Perëndimor. Prandaj unë ju bëj thirrje 5 shteteve mosnjohëse të BE-së që ta njohin Kosovën dhe në këtë mënyrë do të kontribuojnë në paqe, stabilitet dhe siguri”, tha ai.
I pyetur për deklaratat e Putinit se kosovarët kanë marrë pjesë në luftë krah ukrainasëve në rajonet lindore, Kurti tha se kjo shfaq tendencën e Putinit që ta shndërrojë luftën hibride në luftë klasike.
“Kjo shfaq synimin e tij, s’ka kosovarë që kanë shkuar të luftojnë në Donbas, është Rusia që ka aneksuar Donbasin dhe Krimenë. Më herët e ka përmendur një herë në muaj tani Putini po e përmend Kosovën çdo javë sepse ai e urren NATO-n e urren perëndimin ai është lider despotik që është i hidhëruar dhe nostaligjik që do të shndërrojë luftën hibride në luftë klasike, ka luftë hibride edhe në Ballkan, dhe Sputniku ka qendrën në Beograd për tërë rajonin”, tha Kurti për mediumin britanik.
***
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka demantuar sot ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, i cili ditë më parë ka thënë se qytetarë të Kosovës kanë shkuar të luftojnë në Donbas të Ukrainës.
Kurti sot në një intervistë për Sky News demantoi Lavrovin, duke thënë se nuk ka asnjë qytetar të Kosovës që ka shkuar të luftojë në Donbas.
“Ai [Sergei Lavrov] dëshiron që ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor dhe kjo është pse ai thotë gjëra ta pavërteta. Nuk asnjë qytetar që ka shkuar të luftojë në Donbas, e cila është aneksuar nga Rusia së bashku me Krimenë. Le të mos harrojmë që presidenti Putin ka ardhur në pushtet vetëm dy muaj pas çlirimit të Kosovës, ku ai kishte aneksuar Abkhazinë, Osetinë Jugore dhe Gjeorgjisë në të njëjtin vit kur ne e shpallëm pavarësinë më 17 shkurt 2008”, tha Kurti.
Kryeministri më tej shtoi se presidenti rus dikur e kishte përmendur Kosovën një herë në vit, kurse tashmë e përmend pothuajse çdo javë.
“Ai thjeshtë e urren NATO-n dhe Perëndimin. Putini luftën hibride dëshiron ta shndërroj në luftë. Qendra e Sputnikut është në Beograd për vendet e Ballkanit. Kjo është pse NATO dhe BE duhet të përfshihet më shumë Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ndër të tjera, Kurti.
***
Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot në një intervistë për SkyNews ka folur për gjendjen në Ukrainë, ndërkaq theksoi se as Ballkan nuk është imun ndaj situatës atje.
Kurti, theksoi se e njëjta situata si në Ukrainë, ka qenë edhe në pranverën e 1999 në Ballkan.
“Tashmë këtë e kemi parë edhe në Ballkan në pranverën e vitit 1999. Mbi 860 mijë qytetarë ishin larguar nga Kosova. Qindra masakra të ndodhura, mbi 12 mijë civilë të paarmatosur janë vrarë dhe rreth 20 mijë gra janë përdhunuar. Tashmë po e shohim agresionin rus në Ukrainë, ku secili lider është duke e dënuar. Tashmë jemi në përkrahje të popullit ukrainas për respektim të integritetit territorial”, tha ai.
Sipas tij, Ballkani nuk është imun nga gjendja në Ukrainë, sepse në Ballkan ka shtet që nuk kanë vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse dhe nuk ka dënuar veprimin e Rusisë, e ky shtet është Serbia, fqinji i Kosovës.
“Kjo ka shumë lidhje me Rusinë, si kulturore dhe historike në një anë dhe ekonomike e ushtarake”, tha ai.