Intelektuali francez Le Cardinal letër qeverisë franceze: Le të mos e zhgënjejmë Kosovën, ndihmojeni të anëtarësohet në BE, NATO, OKB...

Aktuale

Intelektuali francez Le Cardinal letër qeverisë franceze: Le të mos e zhgënjejmë Kosovën, ndihmojeni të anëtarësohet në BE, NATO, OKB...

Nga: I. M. Më: 6 mars 2022 Në ora: 14:22
Jean-Yves Le Drian ministër për Europë dhe Politikë të Jashtme

Një intelektual francez, që ka pasur rastin të njihet me Kosovën dhe shqiptarët, që në vitet e ‘80-ta i kërkon ministrit francez Jean-Yves Le Drian ministër për Europë dhe Politikë të Jashtme në qeverinë franceze, që ta ndihmojë Kosovën në proceset e integrimit, si në BE, NATO, OKB e tjera, dhe që t’i hiqen vizat.

François Le Cardinal, një ish-ligjërues në kolegje në Francë së bashku me gruan e tij, për dy vite kishin jetuar në Kosovë, ndërsa kishin ligjëruar në Universitetin e Prishtinës, ku kishin pasur rastin të njihen me regjimin shtypës të Jugosllavisë komuniste ndaj shqiptarëve. Kjo miqësi kishte vazhduar me respektimin ndaj shqiptarëve, duke përcjellur fatin tonë edhe në vitet e luftës.

Në letër ky intelektual, ia bënë të ditura vuajtjet e shqiptarëve nga regjimi i Serbisë, adhurimin që kanë shqiptarët për Perëndimin dhe rreziqet që po vijnë nga pushtimi rus në Ukrainë.

Le Cardinal, i thotë ministrit se përkrahja e Kosovës në këto procese, përkatësisht mos bllokimi i Kosovës do ta nderonte Francën.

Lexojeni letrën e plotë:

Tema: Situata ndërkombëtare në Kosovë

Zotëri Ministër,

Bashkëshortja ime dhe unë ishim ligjërues francez në Universitetin e Prishtinës mes viteve 1987 dhe 1989 dhe patëm kaluar dy vite shumë të bukura atje falë mikpritjes së popullit shqiptar, përkundër situatës shumë të vështirë politike. Që atëherë kemi qëndruar në kontakt me shumë miq, shumë prej të cilëve vuajtën rëndë gjatë luftës së viteve 1998-1999 e që ngjarjet tragjike që po ndodhin aktualisht në Ukrainë janë një kujtesë e dhimbshme e asaj kohe. Fundjavën e kaluar pritëm studente të reja kosovare përmes Erasmus në qytetin Caen dhe u treguam regjionin tonë (jam Breton si ju, por "migrova" vullnetarisht, në Normandi).

Zotëri Ministër, duhet bërë diçka për Kosovën. Është një Shtet që i ka plotësuar të gjitha kërkesat e parashtruara (luftimin e krimit dhe korrupsionit, zgjidhjen e problemeve kufitare, funksionimin demokratik, zgjedhjet e lira) e së cilës ka katër vite që i është premtuar liberalizimi i vizave gjë që nuk është bërë, ndërkaq të gjithë fqinjëve të saj, duke qenë larg këtyre objektivave, iu janë hequr vizat. Të ftuarat tona të vikendit të kaluar është dashur të shkojnë deri në Shkup për të kërkuar vizat. Kjo nuk është normale.

Franca do të ishte e nderuar të mos e bllokonte më tej këtë kërkesë legjitime. Ajo do ta nderonte veten edhe më shumë duke bërë gjithçka që mundet për të nxitur njohjen e Kosovës si shtet nga partnerët e saj evropianë që ende nuk e kanë bërë dhe anëtarësimin në instancat ndërkombëtare (UNESCO, OKB, EU, NATO). Një nga profesorët francezë që kishte ligjëruar para nesh në Prishtinë, kur u intervistua nga një gazetë lokale, kishte thënë: “Të gjithëve po ju tregoj se Kosova është në Evropë!". Fatkeqësisht, dyzet vjet më vonë, kjo klithmë që buron nga zemra është ende aktuale dhe mosnjohja e Kosovës, në çdo kuptim të fjalës, është mungesë e madhe. Tani është koha të bëjmë diçka: shqiptarët e Kosovës janë evropianë të pasionuar dhe të orientuar nga atlantiku, ata kanë mirënjohje të madhe ndaj Bill Clintonit dhe NATO-s, shpëtimtarë të tyre në vitin 1999. Ata nuk duhet të zhgënjehen.

Më në fund, kriza ukrainase na shtyn të çojmë përpara mbrojtjen dhe integrimin europian duke përshpejtuar procesin e kandidaturës për vendet e Ballkanit Perëndimor "zonën gri". Unë që votova për LREM në të gjitha zgjedhjet që nga 2017, u zhgënjeva shumë nga pozicionimi i Nathalie Loiseau në zgjedhjet e Parlamentit Evropian dhe nga ngurrimi i vendit tim ndaj kërkesave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, në veçanti. Kush do të na thotë se nesër, Evropa jonë e dashur, nuk do jetë në radhë të copëtohet nga konfliktet që do të ishin më të rënda se ato të viteve 1990, të cilat zoti Putin do t’i ketë përgatitur dinakërisht? Z. Dodik, z. Vuçiq tashmë po ankohen për miqësinë e tyre të pashëndetshme. Sot duhet të zgjedhim një anë: atë të lirisë dhe vlerave demokratike. Kosova e Albin Kurtit kërkon që t’i jepet mundësia ta bëjë këtë. Le të mos e zhgënjejmë.

Kjo është hera e parë, z. Ministër, që po i shkruaj një ministri! Është për t’ju njoftuar se këto çështje shpirtërisht më shqetësojnë dhe kam besim në ju se do të shtyni përpara çështjen e Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Ju lutem të pranoni, z. Ministër, shprehjen e respektit tim të thellë.

François Le Cardinal

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat