Dosja e rëndë e Shaban Kilajt – kërcënonte me “qerim hesapesh” policin

Aktuale

Dosja e rëndë e Shaban Kilajt – kërcënonte me “qerim hesapesh” policin

Më: 17 mars 2022 Në ora: 17:21
Shaban Kilaj

Shaban Kilaj, një person i akuzuar për dallavere me viza amerikane, vazhdon të thirret si njëri që ka lidhje me amerikanë. Një aktakuzë e para disa viteve, atë e ngarkonte për vepra penale që lidheshin pikërisht me viza amerikane.

Një dosje e rëndë penale e Shaban Kilajt ekziston në shtet.

Por, veprat e tij nuk kanë qenë pengesë që ai të ndërtojë një relacion të afërt me prokurorin e Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti.

U raportua të mërkurën për takimet e të dënuarit Kilaj me prokurorin e krimeve të rënda, Armend Hamiti, i cili i ka hyrë garës për Kryeprokuror të Shtetit.

Përveç problemeve me drejtësinë, Kilaj ka lidhje edhe me pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Raportet me njerëzit e qeverisë dëshmohen në një seri komunikimesh të Kilajt nëpërmjet e-mailit në të cilat është i përfshirë edhe Luan Dalipi, shefi i Kabinetit të kryeministrit Kurti. Korrospodenca përfshin edhe emrat e Genc Nimonit, shefit të kabinetit të ministrës së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe pjesëtarë të tjerë të kabinetit Kurti. E-mailit diskutojnë për ndërtimin e një policie sekrete ushtarake.

Këto dëshmi do të publikohen në vazhdimin e radhës së hulumtimit të Paparacit. Kilaj, ka refuzuar t’i komentojë raportet e tij me prokurorin Hamiti.

Prokurorja Drita Hajdari e ndoqi penalisht Kilajn bashkë me tre të tjerë, Xhevat Krasniqin, Burim Hoxhën dhe Januz Kastratin, për kontrabandë me migrantë, keqpërdorim të detyrës zyrtare, falsifikim të parasë dhe kanosje.

Shaban Kilaj, veçanërisht, akuzohej nga Prokuroria e Shtetit për kryerjen e tri veprave penale. Prokurorja Drita Hajdari e ndoqi atë penalisht për kontrabandë me migrantë, falsifikimit të parasë dhe kanosjes.

Në aktakuzën e asokohe prokurores së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kilaj përfshihej në kontrabandimin e katër personave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ngjarja kishte ndodhur në vitet 2010-2011.

Sipas aktakuzës, në bashkëpunim me zyrtarë qeveritarë të kohës, Kilaj kishte kontrabanduar migrantë për në ShBA duke përdorur vizitën zyrtare të ish-zëvendëskryeministrit, Hajredin Kuçi.

“Të pandehurit Shaban Kilaj dhe Xhevat Krasniqi në vitin 2010 dhe 2011 në Prishtinë, sipas marrëveshjes paraprake, e me qëllim që vetes t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm janë marrë me kontrabandim të migrantëve”, thuhet në aktakuzë.

Pasi kishte siguruar ftesën zyrtare nga një studio ligjore në ShBA adresuar ish-zv/kryeministrit Kuçi, i akuzuari Kilaj kishte përfshirë emrat e katër personave që nuk bënin pjesë në listën e vizitës zyrtare të qeveritarëve në ShBA dhe kishte parashtruar kërkesë në Ministrinë e Punëve të Jashtme për përfshirjen e emrave përfitues si pjesëtarë të delegacionit qeveritar për në ShBA.

Kilaj, sipas aktakuzës së Prokurorisë, kishte përfituar 15 mijë euro nga përfituesit e vizave.

E njëjta aktakuzë, e ngarkonte Shaban Kilajn edhe për veprën penale të falsifikimin e parasë. Ai akuzohej për prokurimin e 800 dollarëve të falsifikuar amerikanë përgjatë vitit 2012. Dollarët e falsifikuar u ishin gjetur të akuzuarit në banesën e tij në Prishtinë.

Në muajin gusht të vitit 2012, Shaban Kilaj kishte kërcënuar hetuesin policor Lutfi Krasniqin. Ishte zotuar se do ta bënte policin e Kosovës të “paguante shtrenjtë” për kinse shantazhet ndaj tij.

“Të gjitha këto ke me i pagu shtrenjtë”, i shkruante ai, policit kosovar.

Në një gjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë të zhvilluar përgjatë vitit 2013, Kilaj u dënua për tri veprat penale. Gjykata e shpalli Kilajn fajtor për kontrabandë me migrantë, falsifikim të parasë dhe kanosje.

Ai u dënua me tri vite e pesë muaj burgim.

Apeli, vërtetoi fajësinë e Kilajt. Ndërsa, Gjykata Supreme ndryshoi aktgjykimin e shkallës së parë ndajtij, por aktgjykimi ia vërtetoi fajësinë për tri veprat penale me të cilat ngarkohej dhe e dënoi atë sërish me burgim. Megjithatë, Supremja ia zbuti Kilajt dënimin me burg në saktësisht tri vjet në vuajtje të dënimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat