Është implementuar faza e dytë e projektit Romacted 2 "Promovimi i qeverisjes së mirë dhe fuqizimit të romëve në nivel lokal" në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe Bashkimit Evropian, i cili synon zgjerimin e përfshirjes së komunitetit rom në nivel lokal.
Projekti Romacted 2 ngërthen katër faza kryesore si, përmirësimi i aftësisë komunale, përgjegjshmëria, përgjithshmëria dhe përmirësimi i shërbimeve
Derisa në këtë projekt janë edhe 10 komuna të cilat kanë fituar nga kjo, si Gjakova, Graçanica, Mitrovica, Fushë Kosova, Ferizaj, Istogu, Obiliqi, Prizreni, Kamenica dhe Lipjani.
Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power, ka thënë se Romacted 2 si projekt i jep rëndësi komunitet rom në nivel komunal.
Power: Romacted 2 përqendrohet në nivel komunal
"Projekti Romacted 2 është me përqendrim të veçantë në nivel komunal. Po ashtu ka politika në nivel evropian e kombëtar për integrimin e romëve, gjithashtu kemi integruar masat e politikave dhe rolin vendimtar që kemi pasur në angazhimin dhe gjithë përfshirjen e romëve. Gjithashtu niveli vendor është shumë i rëndësishëm për shkak të zbatimit të ligjeve, politikave dhe programeve që mund të sjellin ndryshime pozitive për qytetarët. Pas deklaratës së vitit 2019, ka një sukses tek integrimi i komunitetit rom. Romacted nuk është projekt humanitar për të ofruar ndihmë të drejtpërdrejtë për komuniteti rom, por punon drejtpërdrejt me pjesëtarët e komuniteteve për t’i shikuar nevojat dhe prioritetet e të gjithëve", tha ai.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka përmendur faktet e diskriminimit që i bëhen komunitetit rom, ndërkaq shton se si qeveri kanë si qëllim ndaljen e këtij problemi. Derisa ka folur edhe për një projekt të përbashkët me Ministrinë e Arsimit për financimin e bursave për studentët e komuniteteve rome.
Krasniqi: Këto grupe të cenueshme duhet të kenë mbështetje
"Si ministri jemi të interesuar që të shfrytëzojmë bazën ligjore që t’iu ofrojmë mjete shtesë komunave dhe qytetarëve që të përfitojnë nga këto mekanizma ligjorë që të drejtat e tyre të jenë më lehtë të implementuar dhe të kemi një qasje më të barabartë... Ligji për vetëqeverisje lokale ka disa pjesë të ligjit që kanë qenë të dykuptimta ose jo lehtë të implementueshme për arsye të ndryshme. Si Qeveri jemi shumë të interesuar që këto grupe që janë lehtë të cenueshme të kenë mbështetje më të madhe institucionale. Kemi një qasje që nuk është shumë e implementuar në zgjedhjen ad-hoc të problemeve, mirëpo duhet të kemi një linjë të zgjidhjes së problemeve afatgjate që nënkupton edhe implementimin e saj me kohë. Dua ta ndaj me ju një program që është për brezin e ri të studenteve dhe edukatoreve të radhëve të komuniteteve egjiptian, ashkali dhe rom. Me Ministrinë e Arsimit kemi arritur marrëveshje e cila parasheh financimin e bursave për studentë, është programi i parë që financon bursa për studentë dhe të komuniteteve të cilat kanë fokus krijimin e një brezi të ri të edukatoreve nga radhët e komuniteteve”, tha ai.
Menaxherja e projektit Romaced 2,Marina Vasic, ka thënë se ky projekt ka filluar të implementohet në janar 2021. Gjithashtu ajo tha se çështja e cila është trajtuar me më shumë prioritet është pjesëmarrja e vajzave të komunitetit rom në shumë çështje.
Vasic: Romacted 2 është një program i përbashkët
“Romacted 2 është një program i përbashkët dhe ka ardhur si pasojë e bashkëpunimit të gjatë me Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës, kemi pasur programe të shumta që kanë zgjeruar regjione të shumta, por madje edhe Evropa në përgjithësi për të implementuar dhe për të bërë komunitetin rom pjesë të programit tonë. Kjo është e përbashkëta e programit dhe të shikojmë se si mund të përmirësojmë situatën e romëve në përgjithësi. Ne kemi kontribuar edhe me partneritet të hapur mes qeverisë për të kontribuar për një përfshirje më të mirë të komunitetit rom që natyrisht është në vijë me qasjen e të drejtave të njeriut të Bashkimit Evropian. Kur them për vajzat e komunitetit rom, them për të gjitha të rejat dhe kjo ka qenë njëra ndër çështjet e trajtuara në fazën e parë të projektit, kurse te pjesëmarrja politike kemi pasur partneritet për studime të kësaj çështjeje dhe shkollën rom-ashkali për Kosovën dhe kjo do të mbyllet në javën e tretë të prillit”, tha ajo.
Derisa më pas janë shfaqur edhe video-mesazhe të kryetarëve të komunave duke folur mbi rëndësinë e projektit.