Kurti takohet me Ministren e Shtetit të Bavarisë

Aktuale

Kurti takohet me Ministren e Shtetit të Bavarisë

Më: 1 prill 2022 Në ora: 14:39
Melanie Humel, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Ministren e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Bavarisë, Melanie Humel.

Kryeministri kosovar kërkoi hapjen e zyrës ekonomike bavareze në Prishtinë me qëllim të shtimit të investimeve.

Kurti ka kërkuar mbështetjen edhe në fushën e arsimit ngase sipas tij modeli gjerman i sistemit dual të arsimit është treguar i suksesshëm.

Ka theksuar edhe numrin e shqiptarëve të cilët jetojnë në Gjermani dhe të cilët janë duke shërbyer si urë lidhëse ndërmjet dy popujve.

“Në Bavari jeton numër shumë i madh i mërgatës sonë dhe kjo lidhje e fortë është një shans i mirë për shtimin e investimeve të Bavarisë, por edhe të Gjermanisë në përgjithësi. Si rezultat të parë të bashkëpunimit të afërt me mërgatën në Gjermani është marrëveshja e mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe “Besa Foundation” në fushën e Arsimit dhe Aftësimit Profesional” ka thënë ai.

Kurse ministrja Huml përgëzoi kryeministrin kosovar për të arriturat dhe progresin në Kosovë dhe shprehu përkrahjen dhe angazhimin e mëtejmë të Bavarisë për një perspektivë më të qartë për rrugën e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian dhe euro-atlantik.

Gjithashtu, ajo përshëndeti renditjen e Kosovës përkrah botës demokratike në sanksionimin e Rusisë, pas invazionit dhe agresionit në Ukrainë, si edhe për gatishmërinë për të pranuar 5 mijë refugjatë.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve, ministrja Huml theksoi nevojën për kthimin e vëmendjes dhe riorientimin e investimeve në këtë rajon.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat