1 vjetori si presidente, Osmani thotë se Serbisë iu ofruan tri opsione për zgjedhjet, por nuk u pranuan

Aktuale

1 vjetori si presidente, Osmani thotë se Serbisë iu ofruan tri opsione për zgjedhjet, por nuk u pranuan

Më: 4 prill 2022 Në ora: 14:13 Përditësuar në ora: 16:09 më 04.04.2022
Vjosa Osmani

“Kosova duhet të ketë kryeprokuror që drejtësinë e ka udhërrëfyes”, thotë presidentja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë për media ka folur edhe për emrin për kryeprokuror të shtetit, i cili do t’i propozohet nga Këshilli Prokurorial.

Ajo tha se zyrtarisht, ende nuk i është propozuar një emër, por shtoi se kushdo që emërohet, drejtësinë duhet ta ketë udhërrëfyes.

“Sikurse për çdo emërim tjetër, por në veçanti në këtë emërim integriteti duhet të dëshmohet, jo vetëm të flitet për të,  integriteti për gjatë tërë karrierës së personit që do të propozohet, për gjatë tërë karrierës në sistemin e drejtëisë duhet të dëshmohete dhe në këtë drejtim do të bashkëpunoj edhe me shoqërinë civile për t’i trajtuar brengat që i kanë ngritur por edhe me akterët e tjerë që Kosovë të ketë kryeprokuror dikë që e ka drejtësinë dhe vetëm drejtësinë udhërrëfyes në punën e vet”, tha ajo.

Osmani tha se do të bashkëpunojë me të gjithë akterët për t’u siguruar që gjatë këtij procesi do të ruhet ligjshmëri.

“Mungesa e suksesit, mungesa e respektimit të parimeve të depolitizimit, të mungesës së ndikimeve politike dhe të tjera në sistemin e drejtësisë, natyrisht se paraqet pengesa edhe në çdo fushë tjetër, në qoftëse nuk kemi sistem të drejtësisë funskional, ku të gjitha janë të barabartë para ligjit, ku profesionalizmi dhe integrimteti janë parimet themelore mbi të cilin merren vendimet, atëherë natyrisht se ne nuk mund të synojmë as investime të jashtme, as krijim të vendeve të reja të punës, as suksese në fushat e tjera, prandaj do të bashkëpunojmë me të gjithë akterët për t’u siguruar që do të ruhet integriteti, ligjshmëria dhe të gjitha parimet e tjera në këtë proces”, u shpreh tutje Osmani.

Osmani në 1-vjetorin si presidente: Jam përpjekur në përmirësimin e imazhit të vendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për zgjedhjet në Serbi gjatë konferencës për punën e saj njëvjeçare si kryetare e shtetit.

Ajo tha se Serbia ka vazhduar me lloj-lloj propagandash gjatë kësaj periudhe e cila ka synuar që t’i paraqesë institucionet e Kosovës, si institucione që kinse kanë shkelur të drejtat e serbëve për të votuar.

“Është për fat të keq të Serbisë dhe gjithë rajonit që nuk ka një ndryshim pozitiv në kontekst të mentalitetit që udhëheq Serbia. Po vazhdon një mentalitet i viteve ’90 ku Serbia vazhdon t’i shoh shtetet e tjera në rajon në veçanti Kosovën, Malin e Zi e Bosnje dhe Hercegovinën si shtete të përkohshme. Po besoj që tashmë e kanë të qartë që këto shtete janë të përhershme dhe pavarësisht rolit destabilizues që Serbia si satelit i Rusisë e luan në rajonin tonë, askush nuk e ka ndërmend që të heqë dorë nga e drejta jonë për të ekzistuar si vend i lirë, sovran dhe i pavarur".

“Serbia ka vazhduar me lloj-lloj propagandash gjatë kësaj periudhe, propagandë e cila ka synuar që t’i paraqesë institucionet e Kosovës si institucione që kinse e kanë shkelur të drejtën e serbëve për të votuar. E vërteta është shumë larg kësaj sepse në fakt ka qenë Serbia ajo që ka ndaluar të drejtën e serbëve për të votuar. Institucionet e Kosovës u kanë dhënë të drejtë qytetarëve serbë që kanë dy shtetësi që të votojnë qoftë nëpërmjet zyrës ndërlidhëse, qoftë nëpër postës, apo duke e nënshkruar një marrëveshje bilaterale e cila do të respektonte në tërësi praktikat më të mira ndërkombëtarë në këtë drejtim. Pra kanë qenë tri opsione të cilat nuk janë pranuar nga ana e Serbisë, pra Serbia është ajo që ka mohuar mundësinë e votimit me postë, mundësinë e votimit në zyrën ndërlidhëse dhe parandaloi nënshkrimin e marrëveshjes bilaterale e cila do të ishte në përputhje me praktikat e vendeve demokratike dhe me praktikat e pranuara nga komisioni i Venecias”.

Osmani tutje falënderoi policinë e Kosovës dhe AKI-në për rolin e tyre në ruajtjen e paqes dhe sigurisë së qytetarëve gjatë së dielës.

“Si presidente, roli im ka qenë që të sigurohem që modaliteti të jetë në përputhje të plotë me kushtetutën e Kosovës, me ligjet e vendit dhe të respektoj në plotni sovranitetin e vendit. Ajo që kishte ardhur si propozim i Serbisë, nuk i ka respektuar asnjërën nga këto parime, ka qenë në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet. Falënderoj policinë e Kosovës dhe AKI-në për rolin e tyre për të ruajtur paqen dhe sigurinë e qytetarëve gjatë ditës së djeshme, për një organizim dhe angazhim të tyre të vazhdueshëm e cila ka kontribuar që si institucione ta mbrojmë sovranitetin tonë në këtë situatë”, tha presidentja,

Osmani: Shpresoj që presioni i bashkësisë ndërkombëtare të kthehet tek Serbia

Sot janë bërë një vit me Vjosa Osmanin në krye të shtetit.

E me këtë rast, ajo ka mbajtur një konferencë për media.

Osmani ndër të tjera në këtë konferencë u shpreh se shpreson që presioni i bashkësisë ndërkombëtare të kthehet tek Serbia.

“Shpresoj që presioni i bashkësisë ndërkombëtare të kthehet tek Serbia, për të kërkuar nga ta dëshmi konkrete se janë proevropian, deri më tani e kemi parë të kundërtën”, u shpreh ajo.

Presidentja Osmani në konferencë për media

Ka nisur konferenca e presidentes Vjosa Osmani.

Presidentja Osmani thërret sot konferencë për media

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar konferencë për medie në një vjetorin e marrjes së pozitës së saj.

Sipas njoftimit, konferenca do të mbahet në orën 15:00 tek kabineti i Presidentes.

Njoftimi i plotë:

Presidentja Osmani mban sot konferencë për media në orën 15:00

Sot (e hënë, 04.04.2022), në orën 15:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani mban konferencë për media.

Vendi: Kabineti i Presidentes;

Mirëpresim ekipet tuaja!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat