Masakra në fshatin Irzniq

Aktuale

Masakra në fshatin Irzniq

Nga: Adem Lushaj Më: 4 prill 2022 Në ora: 15:24
Pamje nga rivarrimi i të masakruarve në Irzniq

(29 mars 1999)

Një ditë pas disfatës në Betejën e Pozharit, forcat serbo-sllave nisën një ofensivë brutale dhe vrastare kundër familjeve Dervishaj dhe Dacaj në fshatin Irzniq. Këto familje nuk kishin dalë nga shtëpitë e tyre. Aksioni i policisë serbe ishte barbar. Asgjë nuk u kursye.

Lartësia e barbarisë ishte kremtimi i kufomave. Në këtë aksion kriminal mbetën të vrarë Zeqë Dervishaj, Hajdin Dervishaj. Tahir Dervishaj, Himë Dervishaj dhe Shkurte Dervishaj . Tahir Dacaj dhe Hajdar Dacaj.

Irzniqi është një nga fshatrat e mëdha të komunës së Deçanit. Janë më shumë se treqind shtëpi dhe rreth tre mijë banorë. Para luftës së fundit kishte zyrën e vendit në të cilën gravitonin 16 fshatra. Dikur kishte një nga kooperativat bujqësore më të suksesshme, jo vetëm në bashki, por në nivel kombëtar. Po ashtu, ky fshat kishte edhe shkollën e mesme “Sami Frashëri”, e cila nuk u rihap pas luftës. Sot ka shkollën fillore "Avni Rrustemi", e cila tani mban emrin "Maxhun Çekaj" dhe shtëpinë e shëndetit mjekësor.

Fshati kishte traditë të lëvizjes së hershme për liri dhe pavarësi. Në luftën e fundit ishte shndërruar në një nga qendrat e rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; prandaj gjithmonë ishte në shënjestër të forcave serbe. Gjatë luftës në këtë fshat janë vrarë 20 persona, ndërsa infrastruktura banesore dhe tjera janë shkatërruar deri në 90 për qind. Në prag të luftës së vitit 1998, shteti serb kishte filluar ta shtonte prezencën ushtarake. Disa prej tyre ishin pozicionuar në objektin e klinikës së fshatit, disa të tjerë në objektin e shkollës dhe në disa shtëpi private.

Më 29 mars 1999, një ditë pas humbjeve në betejën e Pozharit, forcat serbe kishin nisur sulmet nga qendra e fshatit Irzniq në drejtim të fshatit Kodrali. Ky sulm i furishëm që shënjestroi lagjet Dacaj dhe Dervishaj, shkaktoi shtatë vdekje mes shumë familjeve që po qëndronin ende në shtëpitë e tyre.

Image
Kapakët e librit "Krimet Serbe në Kosovë"

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat