Krasniqi: Qeveria të reflektojë përballë kritikave të Departamentit Amerikan

Aktuale

Krasniqi: Qeveria të reflektojë përballë kritikave të Departamentit Amerikan

Më: 13 prill 2022 Në ora: 19:10
Memli Krasniqi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar pas publikimit të raportit për të drejtat e njeriut në botë për vitin 2021 nga, Departamenti Amerikan i Shtetit.

Krasniqi në Facebook ka thënë se publikimi i këtij raporti përveç që ka evidentuar shumë dimensione të qeverisjes së paaftë, ka nxjerrë në pah përkeqësimin e një prej shtyllave qendrore të demokracisë, lirisë së shprehjes dhe mediave.

“Raporti për Të Drejtat e Njeriut në Kosovë, i publikuar së fundmi nga Departamenti Amerikan i Shtetit, përveç që ka evidentuar shumë dimensione të qeverisjes së paaftë të cilat i kemi thënë vazhdimisht edhe ne si opozitë, ka nxjerrë në pah përkeqësimin e një prej shtyllave qendrore të demokracisë, lirisë së shprehjes dhe medieve”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij kjo është e papranueshme për një shoqëri të lirë dhe demokratike, dhe ka ftuar qeverinë që të reflektojë karshi kritikave të DASH-it.

“Kjo është e papranueshme për një shoqëri të lirë e demokratike. Mendësia e kërcënimit të mediave nga qeveritarët, nuk ka të bëjë asgjë as me traditën tonë politike, as me mënyrën tonë të kooperimit dhe as me aspiratat për të cilat qëndrojmë politikisht. Prandaj, duke mbështetur pa asnjë rezervë punën e lirë të gazetarëve, ne ftojmë qeverinë që të reflektojë përballë kritikave të Departamentit Amerikan të Shtetit, si dhe të japë shembullin e respektimit të lirisë së medias e të ndalojë kërcënimin ndaj tyre. Ky është një prej obligimeve themelore që do të duhej ti kishte një qeveri demokratike”, ka shtuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat