Mbi 80 zyrtarë policorë u arrestuan vetëm brenda tre muajve

Aktuale

Mbi 80 zyrtarë policorë u arrestuan vetëm brenda tre muajve

Më: 13 prill 2022 Në ora: 23:20
Foto ilustrim

Aksione të shumta policore janë kryer gjatë këtyre muajve të fundit.

Por përpos këtyre aksioneve të cilat shpesh herë rezultuan me konfiskim narkotikësh, arrestimin e personave të dyshimtë për vepra penale dhe kriminale, pati edhe zyrtarë policorë të arrestuar.

Inspektorati Policor i Kosovës njësoj sikurse në vitet e kaluara, edhe këta muaj bëri hetimin e shumë rasteve në të cilat ndërlidheshin zyrtarët policorë.

Hetimet e këtyre rasteve çuan në arrestimin e 87 zyrtarëve policorë, brenda një periudhe tre mujore.

Kjo është bërë e ditur në një përgjigje të dhënë nga Inspektorati Policor i Kosovës.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se gjatë periudhës kohore 01.01.2022 – 30.03.2022, Inspektorati Policor i Kosovës, përkatësisht Departamenti i Hetimeve, me autorizim të Prokurorit ka arrestuar tetëdhjetë e shtatë (87) zyrtar policor.”.

Po ashtu është theksuar se veprat më të shpeshta që kanë çuar në arrestimin e këtyre zyrtarëve ishin: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar publik, lëndim i lehtë trupor si dhe marrje e ryshfetit.

E hetimet në kuadër të veprave të lartcekura u bënë edhe gjatë vitit të kaluar.

Vetëm në vitin 2021, Inspektorati Policor i Kosovës kishte pranuar dhe menaxhuar 2 mijë e 13 ankesa.

Kësisoj numri i ankesave që IPK pranoi në 2021 ishte më i lartë sesa në 2020 ku numri i ankesave drejtuar për zyrtarët policorë ishte 1 mijë e 658.

“IPK gjatë vitit 2021 ka pranuar dhe ka menaxhuar me 2013 ankesa dhe informata që në krahasim me vitin e kaluar ka një ngritje të numrit të ankuesve (vitin e kaluar IPK ka trajtuar 1658 ankesa). Prej tyre 1331 ankesa që janë klasifikuar si shkelje disiplinore e profilit të ultë janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë për hetime të brendshme dhe verifikim të së kaluarës në Policinë e Kosovës.”

Nga këto ankesa drejtuar në Inspektoratin Policor të Kosovës, nga 163 raste me elemente të veprës penale, 106 janë dërguar me kallëzim penal nga Departamenti i Hetimeve në prokuroritë kompetente, ndërkaq me raport të veçantë janë dërguar 54 raste.

“Gjithsej gjatë vitit 2021 si subjekt i hetimit nga IPK-ja kanë qenë 213 punonjës të PK-së. E shprehur në përqindje i bie që vetëm 2.3% e punonjësve të PK-së janë hetuar nga IPK-ja me dyshimin se kanë kryer vepra penale.”, u tha në përgjigjen e inspektoratit.

Në përgjithësi përgjatë vitit 2021, Inspektorati Policor i Kosovës kishte ndërmarrë këto masa dhe rekomandime: 38 arrestime; 85 suspendime; 6 transfere.

Në të njëjtën kohë, Inspektorati kishte hetuar 33 raste të veprave penale me elemente të korrupsionit dhe veprave tjera kundër detyrës zyrtare.

Misioni i Inspektoratit Policor të Kosovës është që përmes ushtrimit të veprimtarisë së tij, të sigurojë një shërbim policor të përgjegjshëm, demokratik dhe transparent, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara”, u theksua nga IPK.

Duhet përkujtuar që të shumta ishin rastet kur edhe zyrtarët policorë të arrestuar, janë liruar pas disa orëve apo ditëve.

Hetimi mbi rastet në të cilat dyshohet se ishin kyçur vazhdojnë të jenë aktive, kurse Policia e Kosovës vazhdon të cilësohet si një nga institucionet më të besueshme tek qytetarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat