Konjufca: Masakra e Poklekut dhe e Çikatovës - dëshmi të qarta të gjenocidit serb

Aktuale

Konjufca: Masakra e Poklekut dhe e Çikatovës - dëshmi të qarta të gjenocidit serb

Më: 17 prill 2022 Në ora: 13:19
Vjosa Osmani dhe Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, bëri homazhe dhe vendosi lule pranë komplekseve memoriale në Poklek e Çikatovë të Vjetër të Drenasit, në nderim të të rënëve për liri. 

Në fshatin Poklek të Drenasit, 23 vite më parë, kishte ndodhur një nga masakrat më të mëdha në historinë e re të Kosovës. Aty forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe vranë dhe masakruan mbi 54 anëtarë të familjes Muqolli dhe Elshani, shumica prej tyre gra, pleq dhe fëmijë. 

Në shënimin e përvjetorit të kësaj masakre, kryetari Konjufca, para familjarëve të viktimave të luftës dhe qytetarëve të tjerë, theksoi se masakra e Poklekut është njëra prej masakrave më mizore, e kryer nga shteti i Serbisë ndaj popullit të pambrojtur të Kosovës, si dhe njëra nga dëshmitë e qarta të gjenocidit të ushtruar mbi popullin tonë.

“Masakra e Poklekut është njëra prej masakrave më barbare dhe më mizore që e ka bërë Serbia në Kosovë dhe mbi popullin tonë të pambrojtur. Në këtë masakër të mos harrojmë që janë 24 fëmijë të vrarë e të djegur dhe 25 gra. Kjo masakër është njëra prej dëshmive më të qarta të gjenocidit që e ka bërë Serbia mbi popullin tonë”, theksoi Konjufca.

Kryetari Konjufca po ashtu theksoi se rasti i Poklekut është një plagë ende e hapur për të gjithë ne.

“Kjo masakër dhe të gjitha masakrat e tjera anekënd Kosovës na e kujtojnë edhe njëherë se duhet të jemi në nivelin dhe përgjegjësinë më të lartë, që të mos ndalemi kurrë duke e ngritur zërin për gjenocidin që ka ndodhur në Kosovë, e po ashtu që të kërkojmë që drejtësia më në fund të vihet në vend”, theksoi kryetari Konjufca.

Më pas, krerët e institucioneve vazhduan homazhet edhe te “Shtëpia Muze”, në të cilën ishin vrarë dhe djegur shqiptarë civilë të paarmatosur e të pambrojtur, ku edhe sot e kësaj dite shihen gjurmët e krimit, si dëshmi e qartë e gjenocidit serb.

Po ashtu, në të njëjtën ditë, forcat serbe vranë edhe 24 shqiptarë në fshatin Çikatovë e Vjetër. Me këtë rast, kryetari Konjufca në një fjalë rasti theksoi se masakra e Çikatovës së Vjetër është kryer nga shteti serb.

“Masakra e Çikatovës së Vjetër është kryer prej aparatit shtetëror të Serbisë, ushtrisë, policisë dhe paramilitarëvë të Serbisë mbi popullin tonë, prandaj kërkojmë drejtësi për të gjitha masakrat e ndodhura”, theksoi Konjufca.​

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat