Sulmi në veri/ Kërkohet mobilizim maksimal i Policisë për parandalimin e aventurave të rrezikshme të Beogradit

Aktuale

Sulmi në veri/ Kërkohet mobilizim maksimal i Policisë për parandalimin e aventurave të rrezikshme të Beogradit

Nga: A.SH Më: 17 prill 2022 Në ora: 20:44
Foto nga sulmi i Policisë së Kosovës në veri

Dy ditë radhazi është sulmuar Policia e Kosovës nga grupet kriminale në veri të Mitrovicës.

Këto sulme i kanë dënuar si krerët vendor ashtu edhe ata ndërkombëtar duke bërë thirrje për mos përshkallëzim të situatës.

Lidhur me këtë analisti Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se politika jonë bartë mbi vete mëkate sepse asnjëherë nuk ushtruan sovranitetin sa duhet në veri.

“Edhe pse tashmë kanë kaluar më shumë së 20 vite nga dëbimi i Serbisë nga Kosova, minoriteti serb edhe pse ka më shumë të drejta se çdo minoritet tjetër në botën demokratike, është bërë instrument në dorë të Beogradit zyrtar, e nuk po integrohet. Pushtetet tona të deritashme bartin mëkate të mëdha mbi supe, se kurrë nuk e ushtruan sa duhet sovranitetin në veri të vendit. Sikur të ishte bërë kjo gjë me kohë, do të kishim një situatë më ndryshe sot”, ka thënë ai.

Sipas tij, këto sulme ndaj Policisë janë tregues se duhet një mobilizim maksimal i organeve tona për mbrojtur shtetin.

“Për shumë vite mbi lumin Ibër, vepruan kriminelët Rojat e Urës të cilët bënë ligjin sipas kutit të tyre , duke e ndarë Mitrovicën në dysh, dhe shpesh rrahën dhe maltretuan shqiptarët. E në anën tjetër nuk u shuan as strukturat paralele kriminale serbe, të cilat së bashku me shërbimet sekrete të tyre, shkaktuan shumë incidente dhe shpërthime me bomba për ta destabilizuar Kosovës. Çdo tentim i organeve tona për të vu rendin dhe ligjin u përcollën me rebelime të minoritetit serb, të cilët me akte të dhunës tentuan t’i pengojnë organet tona në ushtrimin e detyrës. Kjo çka po ndodh tash, me sulme kundër policisë tonë në këtë kohë kur kemi luftën në Ukrainë, dhe kërcënimet për luftë të Putinit dhe Vuçiqit , janë tregues se duhet një mobilizim maksimal i organeve tona për mbrojtur shtetin, si dhe të gjithë faktorëve relevant, që mos të lejojmë ndonjë aventurë të rrezikshme të Beogradit”, shprehet tutje ai.

Tutje thotë, se me këto sulme Serbia përveç destabilizimit, po dëshiron edhe Asociacionin për të cilin kushtetuta jonë e ka hedhur poshtë.

"Për dy ditë radhazi në kufi po sulmohet policia në krye të detyrës, me bomba dhe me armë të tjera. Dihet se këto nuk janë provokime të lehta, se Serbia po synon që të bënë faktike Asociacionin, me kompetenca ekzekutive,të papranishëm për Kosovën. Veriu i vendit moti është bërë qendër e krimit të organizuar dhe kontrabandës, të cilat ka ardhur koha të ndalen. Sikur na çudit pak fakti se si struktura e KFOR-it e cila është kompetente për mbrojtjen e kufirit të Kosovës nuk po vepron, ndaj këtyre akteve destabilizuese, e që ishte dashur të jenë shumë më aktiv, për të mos lejuar ndonjë eskalim të rëndë të situatës, jo vetëm në veri të vendit. Veprimet e tilla kriminale janë të patolerueshme për secilin shtet sovran dhe demokratik. Qeveria duhet të koordinon punët si brenda me të gjitha partitë politike në Kuvend, gjithashtu t’i koordinon qëndrimet e saj politike edhe me miqtë tanë amerikan dhe të Evropës, duke ia bërë të ditur Vuçiqit, se nuk do të tolerohen ne pa kufij dhuna”, deklaron Mulliqi.

Në fund shton se Serbia dhe presidenti Vuçiq, njëjtë si Millosheviqi, njohin vetëm gjuhën e forcës.

“Edhe kjo Serbi dhe presidenti Vuçiq, njejtë si Millosheviqi, njohin vetëm gjuhën e forcës. Serbia edhe mund të krijon situata destabilizuese në veri, por mos të harron se kurrë më nuk ka, mundësi për të pushtuar Kosovën. Shqiptarët janë shumë më të fortë se në vitet e 90-ta, të shekullit të kaluar. Serbia atëherë e humbi luftën, dhe do ta humbë sërish. Ne kemi brenda NATO-në, ushtrinë dhe policinë tonë, e para se gjithash kemi popullin tonë, që ka krijuar tashmë një përvojë edhe kur bëhet fjalë për luftën. Ne, kemi qenë dhe jemi gjithmonë për paqe, por nëse na imponohet lufta dimë të mbrojmë çdo pëllëmb të Kosovës. Sulmet e ditëve të fundit në veri të Kosovës, u dënuan nga Ambasada amerikane në Prishtinë, Bashkimi Evropian dhe NATO”, përfundon analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat