Vrasja misterioze e Sali Çekut, trupi nuk iu tërhoq tri ditë / “Veterani” një javë para ekzekutimit alarmonte se ishte i rrezikuar

Aktuale

Vrasja misterioze e Sali Çekut, trupi nuk iu tërhoq tri ditë / “Veterani” një javë para ekzekutimit alarmonte se ishte i rrezikuar

Nga: Idriz Morina Më: 19 prill 2022 Në ora: 10:48
Sali Çekaj - "Veterani"

Një nga vrasjet më misterioze mund të konsiderohet ajo e kryeheroit Sali Çekut. Ai bashkë me Agim Ramadanin e bën historinë, e pavdekshme të thyerjes së kufirit Shqipëri-Kosovë, çlirimit të tij, të mbajtur me ushtri nga Serbia, përkatësisht jugosllavitë, që nga përfundimi i Luftës së Parë Botërore, përveç pak viteve që ishte i hequr, kur ishte krijuar një qeveri e vetme Shqipëri-Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore, që njihet si “Koha e Shypnisë”.

Vazhdimësia institucionale e armatosur

Për gati 75 vjet pra, ai kufi ishte i paprekshëm. Dhe pas 52 vitesh ai kufi u thye përfundimisht, që e kishte ndarë Kosovën nga Shqipërinë, më fuqishëm se sa me një perde të hekurt.

Ai kufi nuk u thye rastësisht, dhe pikërisht në atë vend. Ishte terreni nga ku me dhjetëra herë Sali Çekaj me ushtarët e tij, kishte dalur e hyrë, që kur i solli armët e para, pas përfundimit të stërvitjeve të grupeve të para në Shqipëri, në Surrel në vitin 1991.

Sali Çekaj ishte udhëheqës i grupit të parë dhe të grupit të dytë, që kishin stërvitur në Shqipëri në vitin 1991, ndërsa në grupin e dytë, kishte stërvitur edhe heroi Adem Jashari.

Image
Sali Çeku me pjesëtarët e Grupit të parë të stërvitur në Shqipëri

Pikërisht nga kjo zonë, edhe në fundvitin e 1991-shit kishte hyrë me një grup edhe Sali Çekaj, me Adem Jasharin dhe 30 veta të tjerë. Salihu ishte udhëheqës i të gjitha grupeve, që kishin futur armë dhe ishin stërvitur atje, si Grupit të Drenicës në krye me Adem Jasharin, Grupit të Llapit në krye me Zahir Pajazitin, dhe Grupit të Dukagjinit, të cilin e udhëhiqte personalisht vetë Salihu.

Kur filloi lufta në vitin 1998, Sali Çeku e njihte thuajse çdo zonë kufitare, nëpërmjet së cilës kishte hyrë dhe ishte tërhequr gjatë gjithë atyre viteve.

Grupet që u stërvitën në Shqipëri, në krye me Sali Çekajn shërbyen në një mënyrë edhe si bërthamë për formimin apo si rrjet për furnizimin me ushtarë të UÇK-së nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. Bashkë me ushtarakët që ishin formues të strukturës ushtarake të Ministrisë dhe trupave komanduese, u bën vazhduesit e organizimit gati dhjetëvjeçar të forcave të armatosura të Republikës.

Me fillimin e sulmeve të NATO-s, u krijuan kushtet për të hyrë, nëpërmjet çlirimit të tokave, dhe jo më që luftimet të bëheshin në brendësi të territorit të Kosovës. Forcat e okupatorit duhej të mundeshin që nga kufiri.

Image
Salih Çeku me Agim Ramadanin

Thyerja e kufirit

Me një plan ushtarak të përpiluar me profesionalizëm, me vëzhgime të vazhdueshme, Salihu dhe Agim Ramadani vendosën të nisin një operacion për thyerjen e kufirit në Koshare, me qëllim pushtimin e kazermës ushtarake aty, dhe dëbimin e forcave serbe.

Me 9 prill 1999, në orët e hershme të mëngjesit filloi sulmi, i gjithë-suksesshëm nën komandën e Agim Ramadanit, dhe me mbështetjen ushtarake sipas planit u arrit fitorja.

Por, në ditën e tretë të luftimeve do të vritej në rrethana të paqarta Agim Ramadani, kryeheroi tjetër i Kosovës, që siç vlerësojnë miqtë e tij, po të ishte ai gjallë, gjërat në Kosovë do të kishin rrjedhur krejtësisht ndryshe.

Dyshimet

Por, vetëm një javë pas vrasjes së Agimit me 18 prill do të vritej Sali Çeku, trupi i të cilit, sipas dëshmive të atyre që e kanë tërhequr, rezulton të ketë mbetur 72 orë.

Sipas njërit prej eprorëve në UÇK në Koshare, i cili edhe ka pasur lidhje farefisnore me Salihun, Hisen Berishës, Salihu është vrarë me 18 prill.

Berisha e ka përkujtuar dje në faqen e tij në FB, me 18 prill Salihun, duke e shënjuar kështu si datë të saktë të vrasjes.

“Vizionari politik e strategu ushtarak, Sali Çeku, me besa-besë, e filloi rrugëtimin për lirinë e Kosovës, duke implementua Kushtetutën e Kaçanikut, qoftë si Koordinator i krijimit të UK/UÇK, qoftë me hartimin e Statutit të Komunës së Deçanit, në frymën e asaj Kushtetute.

Me besa-besë, u bashkua me idealet e Jusuf Gërvallës në Shqipëri e mërgatë, Ibrahim Rugovës në Kosovë e diplomaci, Adem Jasharit në Drenicë, Sadri Zenelit në Jablanicë, e me Agim Ramadanin në Koshare dhe pushkët e lirisë kudo që luftohej”, shkruan ndër të tjera në vlerësimin e tij për heroizmin e Salihut, ushtaraku Berisha.

Image
Salih Çeku gjatë luftës

Ndërsa, sipas datës apo kalendarit zyrtar të komandës së UÇK-së në Koshare, Salihu është vrarë me 19 prill, dhe trupi i tij është tërhequr nga njësia “Cobra” me 21 prill, 48 orë afërsisht pas vrasjes. Edhe këtë vit në manifestimin e përvitshëm të Betejës së Koshares, “Ditët e shqipes”, shënohet 19 prilli si dita e vrasjes së Salihut.

Këtu edhe nisin dyshimet se nëse po fshihet mënyra e vrasjes dhe autorët!

Që nga pas lufta, autor të ndryshëm shkrimesh kanë pohuar se edhe Agim Ramadani edhe Sali Çeku janë vrarë nga shqiptarët, në pabesi nga grupimi që ka kryer vrasje politike, dhe nuk ishin viktimë e drejtpërdrejtë e luftimeve, pavarësisht se ku ndodheshin në pozicione gjatë përleshjeve me armë me forcat serbe.

Image

Salih Çeku me Agim Ramadanin, Anton Qunin...

Ushtari Flamur Kajtazi nuk jep datë, por në rrëfimin e tij të dhënë për një libër kushtuar Koshares nga Nimon Muçaj, ai jep një pamje tjetër, të panoramës, pra ambientit dhe mosshfaqjes së Salihut.

Kjo dëshmi është e ndryshme nga ajo, se ku është gjetur trupi i Sali Çekut, edhe pse nuk e jep një pozicion të qartë, por në një mënyrë, tregon se Salihu pak gjasa kishte të ndodhej, siç thonë të tjerët, tek lisi.

“...Unë, tha po shkoj atje naltë dhe menjëherë kthehna. E dij si sot që ka pasë diçka tue ngranë. Më ka lanë aty dhe më tha; Flamur qeta asht për ty. E ka marrë armën qe e ka posedue. Në dorë armën dhe a nisë përpjet. Ndërkohë kam pritë me u kthye...Por...ma në fund komandant Salih Cekaj, por...nuk arriti. Kish ra...Heshtje...Kushedi a thirri. Dëshmitarë ka e nuk ka?!”, thuhet në rrëfimin e luftëtarit.

Pra, Salihu kishte lëvizur drejt bazës, apo një pike më të sigurt, dhe që nga nënteksti kuptohet se nuk është fjala se ai po lëvizte drejt pikës së tij, siç thuhet nga shumë veta, se qëndronte në një pikë strategjike tek një lis.

Salihu i kërcënuar në Koshare?

Sipas dëshmisë së një tjetër bashkëluftëtari, Sali Çekaj, edhe pse ishte thyer kufiri, nuk po ndihej aspak më i sigurtë nga shqiptarët. Ai madje i kishte kërkuar në një mënyrë ndihmë urgjente, mikut të tij Saim Tahirajt.

“Një javë para vrasjes më ka thirr Salih Çeku në telefon, edhe më ka thënë hajde ti, lajmëro Zymer Lulin, mere edhe Ismet Çekun, (që jetonte në Tiranë), dhe ejani te unë nalt, se punët keq i kam”, thotë Tahiraj, duke treguar se vetë Sali Çeku, nuk do ta kishte bërë këtë ftesë, sikur të mos ndodhej në një pozicion të rëndë në kampin e ushtarëve shqiptarë, pra të luftës.

Salihu kishte treguar se nga kush ndihej i rrezikuar.

Tahiraj ishte nisur me disa automjete ushtarake për t’i dërguar edhe si përforcim në Koshare, por në Bari të Italisë ishte ndaluar dhe bllokuar. “Aty isha kur ma dhanë lajmin e rëndë se Salihu ishte vrarë”, thotë Tahiraj për “Bota sot”.

Po ashtu, një çështje qoftë si interpretim apo informacion ishte dhënë në një takim të protagonistëve të luftës, ku i ndjeri Agim Mehmeti ish-zëvendësministër i Mbrojtjes, jo vetëm që e besonte se Sali Çekaj ishte vrarë nga shqiptarët, por sipas tij, nuk përjashtohej mundësia që Saliu është vrarë në shator, dhe pastaj trupi i tij është dërguar në vendin e përmendur.

Image
Salih Çeku me Rrustem Bruqin gjatë veprimtarisë politike në Gjermani

Një komandant, përkatësisht një udhëheqës grupi, në një rast më pat thënë, se pasi ishte goditur nga predhat dhe duhej të shërohej, më nuk e çonte në mend të kthehej në luftë, sepse nuk dihej më se ‘kush me kë ishte’, ishte thuaja çdo gjë jashtë kontrollit. Nuk ishte e sigurt sipas tij, të thuhej se kush e vrau Agimin e kush Salihun!

Por, ndoshta Gjykata speciale e ndriçon!

Luftëtari i Koshares Jeton Pajaziti, e përshkruan momentin e tërheqjes së trupit të Salihut me 21 prill 1999. “Ajo ditë ishte me mjegull të kohëpaskohshme dhe riga shiu duke e bërë më të lehtë afrimin deri të trupi i ushtarit të vrarë. Fati deshi që unë të arrij i pari pranë trupit të vrarë. Unë u vendosa afër tij rreth 10 metra në pozicion luftimi që shokët të afrohen tek trupi i tij, dhe kontaktin e parë me ushtarin e vrarë e kishte Isni Rma, pastaj ka arritur Naseri, Afrimi me Fadilin – Bjeshkën, kurse Arbeni u vendos në pozicion luftimi, por në anën e kundërt. Raketa pasi e kthej trupin në shpinë menjëherë ka filluar të qajë dhe ka thënë kuku po Komandant Saliun e paskan vra dhe e përqafonte, dhe aty u kuptua që prapa ushtarit të rëndësishëm qëndronte Komandant Saliu”, ka thënë në një rrëfim të mëhershëm për “Bota sot” Pajaziti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat