​LDK: Qytetarët asnjëherë s’kanë qenë në pozitë më të pashpresë se tani

Aktuale

​LDK: Qytetarët asnjëherë s’kanë qenë në pozitë më të pashpresë se tani

Më: 20 prill 2022 Në ora: 13:00
Hykmete Bajrami

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka adresuar sot një sërë kritikash ndaj Qeverisë së Kosovës, duke thënë se qytetarët asnjëherë nuk kanë qenë në një pozitë më të pashpresë se tani.

Në një konferencë për medie, anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se pako 100 milionë euro e ekzekutivit nuk do të ketë ndikim në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Bajrami: Qytetarët asnjëherë s’kanë qenë në pozitë më të pashpresë se tani

“Pavarësisht trumbetimeve të Qeverisë për rritje ekonomike, qytetarët e vendit tonë asnjëherë nuk kanë qenë në një pozitë më të pashpresë se tani. S’ka artikull nga shporta e konsumatorit çmimi i të cilëve nuk është dyfishuar, pagat kanë mbetur të njëjta, derisa nuk ka përmirësim të shërbimeve. Në fakt në shumë sektorë ka përkeqësim të gjendjes. Qytetarët ndihen të diskriminuar, mjafton të kujtojmë konkursin e KEK-ut, ku fitues dolën vetëm anëtarët e familjarëve të komisionit përzgjedhës dhe eksponentët e familjarë të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Bajrami.

Shtesa prej 100 eurosh, sipas deputetes Bajrami më shumë do të ndihmojë tregtarët t’i mbajnë çmimet e larta të produkteve bazike.

Bajrami: 100 eurot nuk do të ndihmojnë qytetarët, por tregtarët

“Me pakon 100 milionë euro, ku qeveria tenton të gjejë një zgjidhje për krizën la jashtë të papunët. Mos të harrojmë se numri i tyre është i lartë dhe kjo kategori sociale nuk është në gjendje të mirë ekonomike... Këto 100 euro nuk do të kenë ndikim në përmirësimin e jetës së qytetarëve, por do t’i ndihmojë tregtarët t’i mbajnë çmimet e larta edhe për një kohë”, tha ajo.

Bajrami adresoi edhe disa propozime për krizën ekonomike karshi Qeverisë Kurti.

Bajrami: Këto janë propozimet që duhet t’i merr parasysh Qeveria

“Është e domosdoshme heqja e tatimit mbi vlerën e shtuar për gjithë artikujt bazë. Kemi propozuar të hiqet akciza për të gjitha produktet e energjisë për një periudhë të caktuar kohore derisa të kalojë kriza dhe të fillojë të stabilizohet inflacioni. Kemi propozuar gjithashtu që qeveria të harmonizojë politika të favorshme tatimore, në mënyrë që të tërheqë investime të huaja dhe të krijojë vende të reja pune”, tha Bajrami.

Deputetja opozitare u shpreh kritike edhe për bllokimin, siç tha të institucioneve të pavarura, si Organit Shqyrtues të Prokurimit, Autoritetit Kosovar të Konkurrencës dhe Komisionit për Ndihmë Shtetërore. Ndërsa përsëriti se formimi i komisionit hetimor për energjinë është e drejtë kushtetuese e opozitës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat