“48 deputetë hapën xhirollogari për herë të parë”, Kuvendi i reagon Selmanajt

Aktuale

“48 deputetë hapën xhirollogari për herë të parë”, Kuvendi i reagon Selmanajt

Më: 20 prill 2022 Në ora: 14:41
Driton Selmanaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Driton Selmanaj, mbrëmë në Kanal 10 ka deklaruar se ka informacion nga administrata e Kuvendit të Kosovës se 48 deputetë kanë hapur për herë të parë xhirollogari bankare kur e kanë marrë mandatin e deputetit.

Selmanaj tha se i bie që të njëjtit s’kanë punuar kurrë më herët ose kanë punuar në “të zezën”.

Ai theksoi se nuk janë të gjithë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, por ai beson se shumica janë të kësaj partie.

“Albin Kurti a ka punuar dikund? Punë e kanë Lëvizjen Vetëvendosje, pa asnjë përvojë. Madje, unë mora informata që 48 deputetë, nuk po them që janë të gjithë të LVV-së, por besoj shumica, për herë të parë kanë hapur xhirollogari bankare kur janë bërë deputetë. Që i bie këta nuk kanë punuar kurrë përpara, ose kanë punuar në të zezën dhe s’kanë marrë rrogë zyrtarisht. I kanë ik tatimeve ose kanë punuar në mënyrë informale. Unë kështu po e shoh. Sipas informative të administratës, për herë të parë kanë hap xhirollogari kur kanë hy në Kuvend të Kosovës. Tani, nëse flasim për një Qeveri të tillë jo kompetente, edhe për nga dija edhe për nga eksperienca, sepse s’kanë punuar përpara kurrë asnjë punë tjetër, normalisht që rezultatet kanë me qenë në ekonomi keq, në drejtësi keq, në kapje klasike të shtetit keq”.

Por, deklaratat e deputetit të LDK-së u mohuan nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Sipas njoftimit nga Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun, administrata e Kuvendit nuk kërkon të dhëna nga deputetët lidhur me vendet e tyre të mëparshme të punës.

“Administrata e Kuvendit nuk kërkon të dhëna nga deputetët lidhur me vendet e tyre të mëparshme të punës e rrjedhimisht nuk ka bërë dhe as nuk bën analiza e statistika përkitazi me këto punësime. Andaj, thirrja në administratë është e paqëndrueshme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat