Nis bojkoti i madh i opozitës, kuvendi njofton pasojat

Aktuale

Nis bojkoti i madh i opozitës, kuvendi njofton pasojat

Më: 20 prill 2022 Në ora: 18:12
Kuvendi i Kosovës

Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë filluar që të bojkotojnë punën e Kuvendit të Kosovës.

Krahas, lëshimit të seancës së Kuvendit gjatë ditës së djeshme, deputetët e këtyre partive, sot nuk kanë marrë pjesë në tri mbledhje të komisioneve, duke bërë që këto të fundit të dështojnë.

Ndonëse kishte shkuar për të raportuar në Komisionin për Legjislacion, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk arriti ta bëjë një gjë të tillë. Kjo sepse, deputetët e opozitës, anëtarë të këtij komisioni deklaruan se nuk do të marrin pjesë derisa kuvendi të formojë Komisionin hetimor për krizën energjetike.

Në rend dite të këtij komisioni ishte votimi dhe shqyrtimi i amandamenteve ku parashihej formimi i Policisë Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ndërkohë, që nga Kuvendi i Kosovës kanë njoftuar që në mungesë të kuorumit sot kanë dështuar të mbahen edhe mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe ajo Komisionit për Integrim Evropian.

Ky veprim i opozitës për bojkotim u bë pasi të martën, më 19 prill, në seancën e Kuvendit të Kosovës, nuk u arrit të futej në rend të ditës formimi i një komisioni hetimor parlamentar që do të kishte për qëllim hetimin e menaxhimit të krizës energjetike, si dhe shkeljet eventuale gjatë punësimeve së fundi në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Këtë komision hetimor parlamentar e kishte inicuar Partia Demokratike e Kosovës.

Partitë opozitare dje lëshuan edhe seancën e Kuvendit të Kosovës pasi nuk u arrit formimi i komisionit hetimor. Këta të fundit kanë deklaruar se deri në formimin e këtij komisioni, nuk do të votojnë asnjë projektligj.

Arben Gashi i LDK-së dje tha se pasi “u mohua një e drejtë kushtetuese”, LDK-ja do nuk do të marrë pjesë në asnjë mbledhje.

“Meqënëse opozita iu mohua një e drejtë kushtetuese, GP i LDK-së nuk do të marrë pjesë në asnjë mbledhje”, tha Arben Gashi i LDK-së.

Një gjë e tillë më pas u tha edhe nga Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

“Si GP i PDK-së nuk do të marrim pjesë në votimet e mëtutjeshme as në seancat e tjera”, tha ai.

Njëjtë deklaroi edhe Besnik Tahiri, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndërkohë që Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, dje tha se Ligji për hetimin parlamentar nuk lejon formimin e komisionit hetimor për krizën energjetike.

Ajo tha se kryesues i komisionit duhet të zgjidhet nga partitë që nuk janë iniciuese të themelimit të komisionit.

Madje ajo inkurajoi opozitën që të kërkojë interpretim në Gjykatë Kushtetuese.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar kishte ndarë 20 milionë euro për Korporatën Energjetike të Kosovës. Këto mjete kishin synim që të shërbejnë për mbështetje të tejkalimit të krizës energjetike. Ndërkohë, që në janar të këtij viti Ministria e Ekonomisë kishte ndarë 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset.

Kurse, një muaj më vonë, më 9 shkurt 2022 kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të energjisë elektrike, të cilat janë më të shtrenjta për 100% për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat/ orë në muaj.

Mirëpo, Gjykata Themelore në Prishtinë më Prill të këtij viti ka vendosur masë të përkohshme ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Në vendimin e Gjykatës thuhet  se “ shtyhet ekzekutimi i vendimit Nr.077/22 i datës 09.02.2022 i publikuar më datë 16.02.2022 i të apditurës Zyra e Rregullatorit për Energji me seli në Prishtinë derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditëses”.

Ky vendim kishte ardhur pasi PDK-ja më 18 mars e kishte paditur Zyrën e Rrregullatorit të Energjisë.

Pavarësisht kësaj Zyra e Rregullatorit të Energjisë(ZRrE) ende nuk ka pezulluar vendimin për shtrenjtimin e rrymës.

Këta të fundit kanë paraparë ta ankimojë në Apel vendimin e gjykatës, dhe të vazhdojë aplikimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike, ashtu sikur që është bërë prej 9 shkurtit e këndej.

Kurse, nga Partia Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar kallëzim penal ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), nëse vazhdon që t’i shpërndajë faturat e energjisë me rritje.

Kundër vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike kishin dalë edhe partitë e tjera opozitare.

Kurse, Partia Socialdemokrate (PSD), kishte organizuar edhe një protestë për të kundërshtuar këtë shtrejntim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat