Kurti fton qeverinë dhe kompanitë austriake për ndërtimin e hekurudhës Prizren-Durrës

Aktuale

Kurti fton qeverinë dhe kompanitë austriake për ndërtimin e hekurudhës Prizren-Durrës

Më: 21 prill 2022 Në ora: 10:06
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti, i ka bërë thirrje qeverisë dhe kompanive austriake që t’i bashkëngjiten Kosovës në ndërtimin e hekurudhës Prizren-Durrës.

Gjatë fjalës së tij në Forumin Ekonomik Kosovë-Austri, Kurti mori shembull punën e Karl Gegës, i cili inxhinier i njohur për dizajnimin e hekurudhave, duke shtuar se Kosova ka nevojë për një ekspertizë teknike si ajo e tij.

Kryeministri madje tha se ‘pse jo mos ta emërojmë hekurudhën me emrin e tij, Karl Gega”.

“Karl Gega herët ka marr titull doktor i shkencave matematikore, ishte inxhinier i njohur. Iu dha titull kalorës nga Mbretëria e Austrisë dhe është varrosur pranë personave më eminent të Austrisë, si Mozarti. Ndërtimi i linjave hekurudhore në Austri janë rezultat i Karl Gegës. Ai ka jetuar në Austri, prandaj e dimë se duhet të kesh ekspertizë të madhe për të ndërtuar projekte të mëdha”.

“Ftoj qeverinë dhe kompanitë austriake që të na bashkëngjiten në projekte infrastrukturore që përfshijnë hekurudhat. Duam të ndërtojmë hekurudhën Prizren-Durrës dhe neve na duhet një ekspertizë teknike si ajo e Karl Gegës dhe pse jo edhe ta emërojmë linjën hekurudhore Karl Gega”.

Kurti ndër të tjera para austriakëve tha se Kosova është vendi më i mirë për bërje të biznesit.

“Kushdo që nuk e di si të investojë në Kosovë, këtu do ta keni një pasqyrë të qartë të bërjes së biznesit. Sipas raporteve ndërkombëtare, Kosova është një ndër vendet më të mira për bërje të biznesit dhe vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka rritur pikët në zhvillimin demokratik”, tha kryeministri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat