Shqetësuese: Mbi 70% e rasteve të dhunimeve seksuale nën moshën 16-vjeçare

Aktuale

Shqetësuese: Mbi 70% e rasteve të dhunimeve seksuale nën moshën 16-vjeçare

Më: 24 prill 2022 Në ora: 11:02
Balaj

Në shtatë vjetët e fundit në Kosovë janë raportuar mbi 350 raste. Numri i rasteve po rritet nga viti në vit, ka thënë Nazlie Balaj, këshilltare në Ministri të Drejtësisë.

Sipas saj, 70 për qind të rasteve kanë të bëjnë me moshat nën 16 vjet.

Prandaj për këtë çështje në kuadër së Ministrisë së Drejtësisë është duke u hartuar protokolli shtetëror për adresimin e dhunimeve seksuale, thotë Balaj.

Sipas saj, ky protokoll ka për qëllim të mbrojë të drejtat e viktimave të dhunës seksuale, duke garantuar ofrimin e një pakete të plotë të shërbimeve për viktimën.

Kah fundi i majit veç se do të startojmë me draftin e parë sa i përket draftimit të protokollit për adresimin e dhunimeve seksuale. Është shumë me rëndësi me theksuar se dy vitet e fundit jemi duke u ballafaquar me numrin në rritje sa i përket dhunimeve seksuale. Vitin 2020 në kohën e pandemisë kishim rritjen më të madhe sa i përket dhunimeve seksuale, vetëm në atë kohë kishim 67 raste, dhe kështu pasimi nga viti në vit. Na total në 7 vjetët e fundit kemi mbi 350 raste të dhunimeve seksuale. Mbi 70 për qind të dhunimeve seksuale i takojnë moshave nën 16 vjeç”, tha Balaj.

Tutje ajo shtoi se shumë shpesh ndodh dështimi i rasteve në gjykata dhe prokurori në mungesë të provave dhe fakteve, prandaj ky protokoll do ta ketë parasysh ruajtjen e fakteve dhe provave gjatë procesit të ekzaminimit.

“Viktima është kryeqendra e këtij protokolli, dhe të gjitha shërbimet do të ofrohen për viktimën, të gjitha institucionet janë rreth viktimës, ndërsa viktima është vëmendja e institucioneve në ofrimin e shërbimeve. Kur i adresojmë dhunimet seksuale nuk e adresojmë vetëm një gjini, por pavarësisht se cilës gjini i ndodh. Kemi dështim të rasteve në gjykata dhe prokurori në mungesë të provave dhe fakteve, sepse qysh në start nuk janë mbledhur, janë dëmtuar apo eliminuar, apo nuk janë marr fare parasysh, prandaj ky protokoll do ta ketë parasysh ruajtjen e fakteve dhe provave gjatë procesit të ekzaminimit”, thotë Balaj.

Sipas saj, ky protokoll do ta ketë edhe rolin e thirrjes së përgjithshme në momentin kur ndodh dhunimi në mënyrë që mos të humbin provat.

“Ky protokoll do ta ketë edhe rolin e thirrjes së përgjithshme në momentin kur ndodh dhunimi mos me prit 4 ditë, 5 ditë sepse humbin provat, por menjëherë me raportuar rastin, dhe obligimet detyrat, përgjegjësitë e Policisë, mbrojtësit të viktimave, prokurorit, gjykatësit, strehimoreve, karshi veprimit dhe shërbimit ndaj viktimës. Është një procedurë e përgjithshme e cila specifikon në detaje se kush çfarë detyre dhe përgjegjësie ka dhe nuk guxon rasti me dështuar në momentin kur një hallkë e këtij zinxhiri del nga funksioni. Dhuna fizike, psikike, emocionale, seksuale, kontrolli shantazhi të gjitha këto do të detajohen përmes procedurave të protokollit”, thotë Balaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat