Pak ditë më parë, filloi të marrë frymë sërish një mendësi që në frymën e saj, nuk e ka interesin shqiptar.
Ajo beson se duke i fryrë një politike që dëmton interesin shqiptar, duke u bërë më nënshtruese ia arrin, që t’ia hap rrugën vetes apo disa grupimeve, që të vijnë më shpejt në pushtet.
Sapo u tha nga disa diplomatë se Kosova duhet të hyjë në dialog, me turravrap në media, së bashku me korin fatkeq, antishqiptar, iu vërsulën institucioneve, me shpresë për një goditje të madhe, që do të shënonte ‘një fillim të ri për ta’, pavarësisht që të gjitha tezat, janë përtypur prej tyre apo prej kryetutorëve të tyre, prej vitesh.
Një goditje e drejtpërdrejt për Edi Ramën
Së pari, një goditje të drejtpërdrejt mori kryeministri i Shqipërisë, i cili para opinionit të brendshëm mundohet ta paraqes veten, si një proamerikan të ‘thekur’, por, po e tradhton qëndrimi i tij pro Serbisë, duke e paraqitur atë si properëndimore dhe larg Rusisë.
Në të paktën katër raste, Rama ka deklaruar publikisht, se Serbia, sipas tij nuk është antiperëndimore, por është rreshtuar përkrah tij, veçmas pas dy rasteve të votimeve në OKB, të cilat më shumë ishin çështje formale se sa e përmbajtjes, pra në këto raste pa pasoja për Rusinë.
Dy raste të tjera, ishin: Njëri kur Rama mezi arriti t’i bind autoritetet serbe, që t’i zbatojnë kontratat e ligjshme për miell dhe drithëra, për importim nga disa kompani të Shqipërisë, duke e paraqitur tejet pozitivisht Serbinë, dhe kinse si rezultat i “Ballkanit të hapur”, në vend që ta kritikonte për qëndrimet e saj proruse, dhe mosvendosje të sanksioneve, në ditët e para të pushtimit rus ën Ukrainë.
I dyti, shumë më vonë, kur para pak ditësh do të deklaronte, i pyetur nga gazetarët për armatimin serb, se ajo po blen ‘armë për vetëmbrojtje’, dhe sërish nuk tha asgjë për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Serbia do t’i humb aleancat
Ambasadori amerikan në Serbi Kristofer Hill, e bëri të qartë plotësisht, se SHBA-ja dhe BE-ja, nga Serbia, presin vetëm një gjë, e ajo është vendosja e sanksioneve kundër Rusisë.
Perëndimi e ka të qartë më shumë se kushdo në këtë rast, se vetëm duke vendosur sanksione ndaj Rusisë, Serbia shkëputet nga antiperëndimi rus. Duke u shkëputur nga Rusia, Serbia do të jetë një vend pa krekosje, pa vullnetin për luftë ndaj shqiptarëve dhe kroatëve e boshnjakëve, në qëllimet e saj për shkëputje të veriut të Kosovës dhe të Republikës Serbe të Bosnjës.
“Rusia është larguar kaq shumë nga ajo që ne e quajmë dinjitet ndërkombëtar, aq larg nga vlerat perëndimore, kështu që nëse mendoni se Rusia do të ndihmojë disi me Kosovën – duhet ta mendoni përsëri”, theksoi ambasadori amerikan, duke ia drejtuar mesazhin serbëve.
Pra, sipas tij, Serbia është e pashpresë se mund të ndihmohet nga Rusia, sigurisht se diplomati Hill e ka në mendje se çfarë është duke pësuar Rusia në Ukrainë, nga të cilat humbje, nuk do të këndellet dot!
Hill njihet si mik i madh i shqiptarëve, duke qenë njëri nga negociatorët kryesor në Marrëveshjen e Rambujesë, ish-ambasador në Shkup, dhe një kohë diplomat edhe në Tiranë, duke qenë kështu njëri nga njohësit më të mirë të rajonit, mesazhet e tij, janë thuaja qenësore për deshifrimin e proceseve në Ballkan.
Por, Rama vazhdon të sillet sikur ende nuk e ka kuptuar mesazhin, dhe përgjegjësinë që duhet t’i ngarkohet Serbisë dhe mikut të tij Vuçiqit.
Ai edhe e mbrojti Serbinë për armatimin e blerë, kryesisht me qëllim të ndarjes së Bosnjës dhe për një inkursion në veri të Kosovës, ndërkohë, që edhe BE-ja edhe SHBA-të, po e akuzojnë se një armatim i tillë nuk ka se çfarë duhet.
Mesazhet e çakorduara të opozitës
Në ndërkohë, në mediat e Kosovës u paraqit si një farfuri, bashkimi i politikanëve dhe i analistëve bashkëpunëtorë të tyre, me idenë që Kosova duhet të bëjë sa më parë marrëveshje me Serbinë, dhe se Qeveria nuk duhet të vonohet. Mesazhet e tilla i dhanë të gjitha partitë opozitare, në Kuvend, në media dhe në mbledhime të tjera.
Këtë e bënë të gjithë, ata që nuk e thanë asnjë fjalë të vetme për armatosjen e Serbisë, ‘paradën’ e armatimit, të forcave tokësore, ajrore (aeroplanët rusë) dhe kundërajrore dhe sulmuese – të sistemeve raketore, kineze, të bërë të shtunën.
Të gjitha këto më nuk kanë asnjë kuptim, pasi sipas ambasadorit amerikan në Serbi Kristofer Hill, Serbia duhet të heqë dorë nga besimi i saj në Rusinë.
Sipas Kristofer Hillit, aktualisht Rusia nuk mund të jetë tani mik apo aleat për askë, aq më pak që të mund të krenohen.
Sipas tij, lufta në Ukrainë po e përcakton rrugën që duhet të zgjedhin shtetet, përballë kërcënimit rus.
Hill e bënë të qartë se është Serbia, e cila nuk po e mbështet dialogun, sepse është duke llogaritur në Rusinë, pavarësisht që e sheh si parashikim apo vlerësim të gabuar serb.
“Dhe do të isha shumë i kujdesshëm me argumentet se Serbia përfiton nga lëvizjet e Rusisë. ... Serbia duhet të vendosë se çfarë marrëdhëniesh do të ketë me fqinjët e saj dhe si do t’i qaset. Qëndrimi ynë është se Serbia duhet të mbështesë dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, ka deklaruar Hill për “Zërin e Amerikës” në gjuhën serbe.
Opozita duhet të jetë ajo, që nuk i lejon institucionet të gabojnë në çfarëdo hapi për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, duke ushtruar trysni, se ato nuk do të ofrojnë asgjë për negociata, nga shtyllat e Pavarësisë dhe të sovranitetit të Kosovës, dhe jo të jenë ofruesit e kompromisit më të ulët apo të më të dhimbshëm për shqiptarët!