Krasniqi në Studime të Vushtrrisë, kujton vrasjen e 116 civilëve nga paramilitarët serbë

Aktuale

Krasniqi në Studime të Vushtrrisë, kujton vrasjen e 116 civilëve nga paramilitarët serbë

Më: 2 maj 2022 Në ora: 13:39
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka qëndruar sot në Studime të Vushtrrisë, në përvjeyorin e 23’të të masakrës së kryer nga forcat paramilitare të Serbisë mbi popullsinë civile shqiptare.

Lideri i PDK-së ka kujtuar nëpërmjet faqes së tij në Facebook tmerrin e 2 majit 1999 që ndodhi në Studime të Vushtrrisë.

“Me 2 maj të vitit 1999, në Studime të Vushtrrisë, forcat kriminale serbe kishin marrë peng Xhemajl, Selatin dhe Shaban Gërxhaliun dhe, para syve të tyre, u kishin ekzekutuar familjarët një nga një. Atë ditë të kobshme, familjes Gërxhaliu iu ekzekutuan 36 anëtarë të familjes. Sebahudini, djali i Selatinit ishte vetëm 5 vjeç, ndërkaq, nëna e tij, Sala, ishte 85 vjeç”, tha Krasniqi.

Ai ka thënë se në Studime, krimet çnjerëzore të një ushtrie të etur për gjak e masakra mbi civilë të pambrojtur, vazhduan edhe mbi familjet Gërguri, Rashica, Sfarça e shumë familje të tjera.

Postimi i plotë:

Me 2 maj të vitit 1999, në Studime të Vushtrrisë, forcat kriminale serbe kishin marrë peng Xhemajl, Selatin dhe Shaban Gërxhaliun dhe, para syve të tyre, u kishin ekzekutuar familjarët një nga një. Atë ditë të kobshme, familjes Gërxhaliu iu ekzekutuan 36 anëtarë të familjes. Sebahudini, djali i Selatinit ishte vetëm 5 vjeç, ndërkaq, nëna e tij, Sala, ishte 85 vjeç.

Në Studime, krimet çnjerëzore të një ushtrie të etur për gjak e masakra mbi civilë të pambrojtur, vazhduan edhe mbi familjet Gërguri, Rashica, Sfarça e shumë familje të tjera. 116 civilë, të paarmatosur e të pafajshëm, nga të gjitha moshat e gjinitë – fëmijë, gra, burra e pleq, u ekzekutuan pa asnjë mëshirë atë ditë të kobshme. Edhe 23 vite më pas, drejtësia vazhdon të heshtë për të gjithë këta martirë, edhe për Sebahudinin 5 vjeçar, i cili atëkohë ende nuk kishte nisur shkollën.

Sot, ai do të kishte qenë 28 vjeç! Prandaj, ne nuk guxojmë të harrojmë asnjëherë vuajtjet dhe sakrificën që ka kaluar populli ynë në rrugën e lirisë. Sot, nesër dhe secilën ditë tjetër, ne do të kërkojmë drejtësi dhe ndëshkim të kriminelëve. Lavdi martirëve të Studimes!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat