Kosova mund ta kthejë importin e veturave të vjetra

Aktuale

Kosova mund ta kthejë importin e veturave të vjetra

Më: 2 maj 2022 Në ora: 19:51
Foto ilustrim

Qeveria e Kosovës është duke diskutuar lejimin e importit të veturave më të vjetra se dhjetë vjet. Zyrtarë të saj kanë thënë se “në kuadër të analizave për shikimin e politikave tatimore, janë duke e trajtuar një opsion të tillë”.

Por, ata nuk kanë dhënë detaje se cila është arsyeja e ndryshimit të mundshëm të Ligjit për automjete. Neni 44 i këtij ligji, që është miratuar qysh në vitin 2017, thotë se “mjetet rrugore që importohen në Kosovë, nuk mund të jenë më të vjetra se 10 vjet”.

Mbështetësit e ligjit kanë thënë në atë kohë se veturat e vjetra e ndotin ambientin, kryesisht përmes lirimit më të madh të gazrave. Përmbysjen e këtij ligji e kundërshtojnë tani ekspertë të fushës së komunikacionit dhe ambientit.Muhamed Krasniqi, drejtor i Kolegjit Tempulli në Prishtinë, njëherësh njohës i çështjeve të komunikacionit, thotë se Kosova, nëse inkurajon importin e automjeteve të vjetra, do të shndërrohet në “deponi të lëvizshme të Evropës”.

“Kjo do t’i ndihmonte disa shtete të Bashkimit Evropian që t’i pastrojnë rrugët e tyre nga automjetet e vjetra dhe, në të njëjtën kohë, do të kontribuonte në ndotjen e mëtutjeshme të rrugëve të reja të Kosovës”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Disa vende të Evropës, përfshirë Parisin, Berlinin, Stokholmin, Londrën, kanë ndërmarrë masa të ndryshme për kufizimin e automjeteve të vjetra. Disa, madje, janë zotuar se do t’i ndalojnë automjetet me naftë të qarkullojnë në qendrat e qyteteve deri në vitin 2025.

Krasniqi thotë se është mirë që Kosova të nisë të ndërmarrë masa për krijimin e infrastrukturës për transportin e gjelbër, përkatësisht për automjetet elektrike.

Automjetet elektrike lëvizen nga një ose më shumë motorë elektrikë, që përdorin vetëm energjinë e ruajtur në bateri.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme në Prishtinë, që datojnë nga dhjetori i kaluar, në Kosovë janë të regjistruara gjithsej 395,840 vetura. Prej tyre, vetëm 74 janë 100 për qind elektrike, që nënkupton se kanë ndotjen zero ndaj ambientit.

Numri më i madh i veturave është i atyre që përdorin naftën për djegie - saktësisht, 329,403 të tilla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat