A ka dyshime për mënyrën e vrasjes së heroit Ilaz Kodra?

Aktuale

A ka dyshime për mënyrën e vrasjes së heroit Ilaz Kodra?

Nga: Idriz Morina Më: 3 maj 2022 Në ora: 16:52
Ilaz Kodra, më së larti, ku në foto janë edhe heroi Adem Jashari dhe Hamëz Jashari

Padyshim se ndër gjërat më të vështira për të shkruar në kërkim të së vërtetës është ajo, kur njerëzit kanë përsëritur si një mësim në shkollë, historinë e një të vrari në luftë, aq më vështirë të një heroi.

E para është e rëndë dhe mund të preken shumë familjarët, pavarësisht që dikush në familje mund ta dijë të vërtetën, apo të ketë informacione ndryshe. Dhe kjo më ka ndodhur, por bashkëbisedimit, kanë pranuar se për shembull mënyra e vrasjes apo trupi i viktimave, u është thënë se ka ndodhur apo është gjetur në një mënyrë tjetër. Dhe kjo ka qenë goditje për familjen.

Pastaj ka raste, që ne mediat, gazetarë, veprimtarë dhe të tjerë kanë shkruar sipas informacioneve që i kanë marrë nga familjarët, edhe të heronjve të luftës. Por, në mirëbesim u kanë thënë se jo vetë dyshojnë, por besojnë se vrasjet ishin politike, nuk kishin rënë në luftë nga serbët, por nga pabesia. Familjarët i kanë heshtur këto histori, i kanë ndryrë brenda, dhe sot trashëgimtarët e heronjve, nuk duan t’ia dinë për të vërtetën, nëse nuk ka një vendim gjyqësor.

Image
Ilaz Kodra, flet për bashkëpunimin me forcat e Ministrisë së Mbrojtjes, duke treguar se kishte ushtarak karriere në UÇK

Heshtje dhe revoltë ndaj hetimit të vrasjeve politike

Pastaj apo përnjëherë vijnë reagimet e ndonjë komandanti apo bashkëluftëtari, se pse ju ‘po spekuloni’, se pse ‘nxisni përçarje’ dhe ju po e përshkruani si një ‘vëllavrasje’! madje këso reagime kemi pasur nga ndonjë komandant që ka qenë në Koshare. Ndërsa, një komandant tjetër që ka qenë në Koshare, por që mund të mos ketë qenë i kyçur në vijën e luftës drejtpërdrejt, thotë se informacionet e tij, për heronj flasin se ata janë vrarë në pabesi, p.sh. Agim Ramadani e Sali Çeku, për të cilët ka pasur për shumë vite shkrime që shprehnin dyshimet për mënyrën dhe momentin e vrasjes, deri tek ekzistenca e raporteve të dyfishta për një vrasje.

Në shumë raste familjarët as që duan të flasin, për ata janë çështje të mbyllura!

Image
Ilaz Kodra me Adem Jasharin në Tiranë, kur stërviteshin në Shqipëri me 1991

Por, meqë është krijuar gjykata speciale, e cila e ka në mandat të zbardhë çdo vrasje të dyshuar, organizatorët dhe kërcënuesit, jemi motivuar që të shkruajmë, me shpresë se do të mund të zbardhen të vërtetat për historitë që njerëz të caktuar apo që janë familjarë të viktimave, ata i mundojnë.

Nuk mungojnë as ata familjarë që heshtin, sepse tashmë kanë interesa politike apo kanë ndërtuar karrierë politike në emër të asaj historie familjare. Ka edhe ndonjë rast, që mund të jenë irrituar nga versionet e ndryshme të publikuara në media, dhe tashmë të heshtin, dhe të ruajnë privatësinë, kjo një e drejtë e tyre e plotë.

Është edhe një hero lufte, për të cilin kryesisht është shkruar vetëm një version i mënyrës së vrasjes së tij.

Por, që sipas disa informacioneve, dhe sipas atyre që janë munduar të zhbirojnë çdo vrasje në luftë, duke ngritur fillimisht dyshimin se si u vra, dhe për ta hetuar pastaj me profesionalizëm dhe etik, është edhe rasti i heroit Ilaz Kodra, një luftëtar apo i angazhuar i hershëm për çlirimin e Kosovës.

Image
Ilaz Kodra me Brigadën 114, më 28 shkurt 1999, duke nderuar dëshmorët dhe të rënët e Betejës së Likoshanit dhe Qirezit.

Për aq sa dihet ai ishte një nga pjesëtarët e dy grupeve të para që u stërviten në Shqipëri, duke filluar nga tetori i vitit 1998.

Në grupin e parë u stërviten rreth 55 veta, në mesin e tyre ishte edhe Sali Çeku, heroi i Kosovës dhe Koshares, madje ishte emëruar si udhëheqës i grupit. Në grupin e dytë që do të dërgohej për stërvitje në Shqipëri, është edhe Adem Jashari, hero i Kosovës, dhe së bashku me mbi 50 veta të tjerë, do të ishte edhe Ilaz Kodra (1966), edhe ky i shpallur pas luftës hero.

Ai kishte qenë i akuzuar së bashku me Adem Jasharin dhe disa të tjerë, në vitin 1996 nga regjimi okupues i Serbisë, për veprimtari ‘terroriste’.

Në aktvendimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, PP. nr. 136/36, 6.10.1996 ishte vendosur për fillimin e hetimeve për shkak se: “në gjysmën e dytë të vitit 1992, pas qëndrimit të tyre në Republikën e Shqipërisë, ku së bashku, ushtarakisht janë stërvitur me pjesëtarët e armatës shqiptare nën komandën e eprorëve të tyre. Në territorin e komunës së Skënderajt kanë formuar grupin “terrorist armiqësor” dhe së bashku me shumë persona ende të paidentifikuar janë bërë anëtarë të të njëjtit grup, kanë filluar armatosjen e grupit dhe për këtë qëllim kanë siguruar sasi të madhe të armëve, municionit dhe të mjeteve eksplozive, pushkë, automatikë, pushkë me snajper, revolverë, bomba dore, mina, tromblonë dhe pajisje të ndryshme ushtarake. Prej tyre një pjesë e kanë sjellë nga Republika e Shqipërisë, pastaj rregullisht, nga gjysma e dytë e vitit 1992 e deri në fund të shtatorit të vitit 1996, në mal, në afërsi të fshatit Prekaz i Ulët, kanë stërvitur shkathtësitë ushtarake, përdorimin e armëve të zjarrit, rregullisht kanë stërvitur në gjuajtjen e tyre në shenjë, kanë mbajtur mbledhje ilegale, më së shpeshti në Prekazin e Ulët... me ç’rast me dashje kanë privuar nga jeta 4 persona dhe kanë tentuar që t’i privojnë edhe 16-të persona të tjerë, me çka te qytetarët kanë krijuar ndjenjën e pasigurisë.”, citim sipas R. Kosova e Lirë.

Sikurse shumë bashkëveprimtarë të Adem Jasharit, në ditët kritike të tij dhe të familjes së tij, as Ilazi nuk kishte mundur ta ndihmonte.

Por, pas vrasjes së Fehmi Lladrovcit ishte bërë komandant i brigadës 114, dhe njihej si bashkëpunëtori më i afërt i komandantit Adem Jashari.

Image
Ilaz Kodra me disa ushtarë të tjerë

Me 30 prill të vitit 1999 ai do të vritej, sipas rrëfimeve të shokëve në luftime me forcat serbe.

Me të marrë lajmin se forcat serbe po bënin përpjekje të mësynin popullatën civile në fshatin Verboc e Shtuticë, Ilaz Kodra niset për t’i shkuar në ndihmë popullatës. “Atë mbrëmje isha edhe unë me të. Ditën që shkuam atje ishte vonë. Komandanti më urdhëroi që të ndaloja në Shtuticë ndërsa vetë me disa bashkëluftëtarë u nis për në Vërboc. Në mëngjes herët, rreth orës 5.30 fillon breshëria e sulmit nga forcat armike, të cilat kishin rrethuar vendi në formë patkoi. Ilaz Kodra, në luftë ballë për ballë kundër forcave serbe, bie në altarin e lirisë më 30 prill të vitit 1999, në fshatin Shtuticë”, ka deklaruar për media bashkëluftëtari i Ilazit, Zenun Kodra, sipas shkrimit në Radio Kosova e Lirë.

Një figurë shumë interesante, por që bazuar në atë që thamë në fillim, ka jo pak dyshime për mënyrën e vrasjes së tij.

Edhe sipas dëshmisë që sollëm këtu, edhe pse deklarimi duket se është bërë nga perspektiva e dëshmitarit, ai vetë e thotë, se me Ilazin u ndanë në fshatin Shtuticë, ndërsa Ilazi i u vra në fshatin Verbovc, dhe se ky nuk ishte në dijeni se çfarë po ndodhte atje.

Ndërsa, sipas një raporti të Klan Kosovës, ai ishte vrarë ndërsa po kthehej nga fshati i tij për t’iu bashkuar ushtarëve, dhe madje dyshohet se ishte spiunuar nga dikush.

“Atë ditë, Kodra kishte shkuar në Verbovc për të vizituar familjarët dhe në tu kthyer kishte përdorur këtë rrugë, meqë e kishte në plan të takohet me ushtarët e tij. Një gjë e tillë nuk ndodhi meqë dyshohet se dikush e spiunoi vendndodhjen e tij”, thuhet në raport. Pra, sipas këtij rrëfimi, ka pak gjasa që Kodra u vra duke luftuar. Se kush mund të jenë dorasit, dhe kujt i përkisnin, ndoshta mund ta bëjë një gjykatë si specialja.

Ndoshta, është një prej rasteve, qoftë edhe nëse nuk është thënë e vërteta për mënyrën e vrasjes, nuk do të merret vesh kurrë, as për një bashkëluftëtar të Adem Jasharit.

Sikurse edhe Adem Jashari, ai nuk e refuzonte bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Kosovës, të asaj kohe.

Image
Vetura e Ilaz Kodrës, që e kishte vënë në shërbim të UÇK-së.

Lista e 54 emrave nga grupi i dytë i gueriles shqiptare ku bënte pjesë edhe Ilaz Kodra bashkë me Adem Jasharin:

Adem Jashari

Ilaz Kadriu

Osman Ferizi

Avni Zymeri

Adem Maksuti

Shaqir Salia

Avni Rama

Sami Tahiraj

Shkelzen Gjonaj

Naim Gubetini

Xhavit Gubetini

Lutfi Jonuzi

Ramadan Begu

Ilmi Peci

Shahin Bejtollahu

Hasan Ferizi

Ejup Murseli

Isa Xhaferri

Naser Jakupi

Jakup Limani

Sait Jashari

Bujar Zeneli

Nazmi Bajrami

Beqir Saiti

Orhan Ibrahimi

Bujar Hazizi

Faton Gajtani

Shemsi Zeqiri

Samet Rrahmani

Adem Derguti

Muharrem Bobaj

Ferat Çerkezi

Ahmet Berisha

Murat Jashari

Ilmi Bajrami

Fatmir Staveleci

Nuri Bexheti

Shaip Azemi

Fikret Halili

Selman Rreci

Kenan Kelmendi

Qenan Aziri

Fadil Kadria

Isuf Ismaili

Ekrem Sheholli

Dritan Restelica

Fehmi Beqiri

Hamdi Jaha

Ymer Aliu

Mehmet Breznica

Jahi Zeqiri

Zenullah Voca

Halil Palloshi

Faris Xhemaili

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat