A e dëgjuat Zelenskin? Shqiptarët kanë shpirt të madh, por një kryeministër shpirtvogël/ ‘Regjenti’ i Vuçiqit!

Aktuale

A e dëgjuat Zelenskin? Shqiptarët kanë shpirt të madh, por një kryeministër shpirtvogël/ ‘Regjenti’ i Vuçiqit!

Nga: Idriz Morina Më: 4 maj 2022 Në ora: 12:32
Kuvendi i Shqipërisë duke e nderuar Zelenskin, i cili dje iu drejtua po ashtu në shenjë falenderimi për mbështetjen që shqiptarët po ia japin Ukrainës

A e dëgjuat Zelenskin? Shqiptarët vend i vogël me shpirt të madh, edhe pse ka vende të mëdha, por kanë shpirt të vogël, ka edhe njerëz me trup të vogël por me shpirt të madh si Shën Nënë Tereza, dhe ka njerëz me trup të madh, por me shpirt të vogël si Edi Rama.

Ky është mesazhi që e dha për Qeverinë e Shqipërisë, Zelenski në fjalimin e tij para Kuvendit të sajë, duke iu treguar shqiptarëve, se keni tepër shpirt fisnik për të shkuar pas një budallai apo një njeriu me prirje të hapura që dëmtojnë interesat e shtetit dhe interesat e shqiptarëve kudo.

A nuk iu përgjigj Edi Ramës, se politikat e tij antishqiptare nuk duhet të kenë vend, sidomos ato me serbët dhe Serbinë, duke i ofruar asaj një pushtim të butë të tokave dhe ekonomisë shqiptare nga Serbia.

Për Zelenskin Rusia dhe Serbia janë një!

A nuk ishte një mesazh narrativ i Zelenskit, se ti që je në paqe, duhet ta ruash si unë që jam në luftë, atdheun nga kafshimet dhe hienat, serbo-ruse! Për Zelenskin Serbia që nuk i ka vënë sanksione Rusisë është një me të, armike e përbashkët! Në fakt, kështu do të duhej të ishte edhe për shqiptarët, Rusia si Serbia, janë një!

A nuk i tha Zelenski në një mënyrë, o t’i shtatgjati (shalëgjati) ‘budalla’, ne po luftojmë me Rusinë të mbrojmë Europën, e ju pasardhësit e Skënderbeut, i cili luftonte po me perandorinë më të pamëshirshme të kohës, atë Osmane, për ta mbrojtur Europën, i hapni dyert dhe u ofroni vendpushime për barbarët rus!? Pra, thirrja e tij është për t’i mbajtur të izoluar rusët, për të ndikuar që të vetëdijesohen, se derisa pranojnë të udhëhiqen nga një diktator, duhet të përjetojnë mohimin e botës demokratike dhe të civilizuar!

Natyrisht që ky është një nëntekst i kuptuar nga kultura jonë atdhetare, jo e thënë nga Zelenski, por që gjithsesi kërkoi sanksione efektive ndaj Rusisë dhe ndalim të ardhjes së turistëve rus. Por, ai i tha: “Dikush është i madh në madhësi, por është shumë i vogël për të qenë trim”.

Sigurisht se kjo ndërlidhet edhe me kujtesën, se Zelenski, nuk i ka harruar takimet e Ramës me Llavrovin, njeriun kyç të Putinit, madje të shpeshta.

Image
Rama Lavrov

Pra, Rama me gjithë shtirjen e tij, nuk është një trim, sepse nuk do t’i nënshtrohej Serbisë, dhe ta nëpërkëmbte vullnetin e shqiptarëve, për t’i vënë sanksione Rusisë, dhe bllokim Serbisë, dhe jo më të bëhet apologjet i saj, siç po bën Rama.

Ku është këtu shpirti i madh e fisnik shqiptarë?! Shpirtvogëlsia e Ramës për të fituar ca lekë në ekonominë që e ka drobitur, me buxhetin e vjedhur vit për vit, me tokën e kthyer në vend droge në vend të drithërave, që e bëri bazë të trafikut ndërkombëtar të drogës në Europë, dhe duke mos përfituar thuajse asgjë shteti krahasuar me shkallën e lartë të trafikimit, pa pasur mundësi as të blejë asnjëlloj arme serioze moderne, asnjëlloj përgatitje serioze për të bërë luftë, bile as mbrojtëse, lë më kundër Rusisë ndaj ndonjë rakete që mund ta nisë Putini i marrë, paradoksalisht në drejtim të saj, por, as për mbrojtje nga Serbia nga sistemet raketore kineze, që Rama ia ‘lavdëronte’ se i ka blerë për vetëmbrojtje, por se nga kush nuk na e thotë Rama dot!

Image
Presidenti ukrainas Zelenski

Sipas Ramës, Serbia ‘po mbrohet’ nga Kosova dhe Bosnja!

Sipas Ramës Serbia po mbrohet nga Kosova dhe nga Bosnja, dy shtete thuajse pa armatë, dhe që mbijetojnë në saje të ndihmës ushtarake ndërkombëtare, se nga Shqipëria nuk mund të hamendësohet të jetë e rrezikuar Serbia, jo për aq kohë, sa ai do të jetë ‘regjent’ i Vuçiqit!

Zelenski nuk është ai që po shpërndan armatime në botë, dhe po ju thotë vendeve luftoni, ja armët ku i keni! Ai po u thotë regjimeve hibride, hiqni dorë nga marrëzitë e pushtetit, autoritarizmi dhe filozofitë që nëpërkëmbin liritë dhe të drejtat e popullit tuaj!

Edhe televizioni gjerman në një hulumtim të tij, arrin në përfundimin se “Rama e ka krijuar Kolumbinë e Europës,1/3 e ekonomisë është droga”.

Pra, nga një vend referent për vlera të larta të traditës njerëzore, që shqiptarët lidhnin të shkuarën e tyre të lashtë e të brishtë, kulturën e tyre fisnike, doke, zakone, etnopsikologji, folklor, veshje, me Besë, me kulturën e sotme të Europës, sot janë kthyer në shembull të karakterit të shthurur, shembull të së ligës, aq sa shumë shpesh transmetohet në Europë, ndërsa shteti dhe qeveria e tij vetëlavdërohen për arritje dhe rol të rëndësishëm edhe përtej rajonit, e që në fakt është kthyer vetëm në levë të Serbisë!

Sipas ZDF-së “Kanabisi është i ashtuquajturi ‘ari i Shqipërisë’. Korrjet e vërteta të kanabisit përbëjnë një të tretën e Prodhimit të Brendshëm Bruto: 4.5 miliardë euro.”

Natyrisht që Zelenski nuk ishte i përqendruar në dhënien e mesazheve për shqiptarët, se si duhet të sillen me Serbinë apo qartësisht me Ramën, por për ne që na intereson fati jonë, karakteri i sjelljes së tij dhe Ukrainës ndaj Rusisë, të jep mesazhet e plota, se si duhet sjellur me një shtet armiqësor, që nuk të njeh dhe tenton të të grabitë në çdo moment, dhe në një moment të përshtatshëm edhe t’ju pushtojë pjesërisht apo plotësisht, t’ju dëbojë dhe asimilojë!

Zelenski tashmë ka krijuar një shkollë politike, apo të paktën po e rindërton një kulturë të tërë perëndimore.

Asgjë nuk ka mbaruar dhe asnjëherë asgjë nuk përfundon, derisa ka shtete dhe mundësi që brenda tyre të udhëheqin njerëz me ligësi të papara, autokrat e diktatorë, dhe shpirt mizorë!

Image
Kuvendi i Shqipërisë duke e aplauduar Zelenskin në këmbë

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat