Kancelari gjerman Olaf Sholc ka dhënë mesazhe pozitive për mundësinë që të arrihet një marrëveshje me Serbinë, duke përfshirë njohjen e Kosovës nga ajo.
Edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti është dukur optimist, por duke kërkuar që në qendër të marrëveshjes të jetë njohja.
“Dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohje reciproke, pra jo në një njohje që vjen si fund i një procesi të gjatë, por si dialog për marrëveshje me njohje reciproke në qendër. Pikëpamja e bindja jonë është që njohja reciproke duhet të jetë në qendër dhe jo në fund”, ka thënë sot para mediave në Berlin, Kurti.
Ky mesazh i tij vjen, në përpjekje për të korrigjuar ofertën apo qëndrimin e Gjermanisë, përkatësisht të kancelarit Sholc, që me shumë gjasë njohja nga Serbia të jetë në fund të marrëveshjeve, në mos e fundit.
“Kjo do të funksionojë vetëm përmes marrëveshjeve konkrete që do të arrijnë të dyja vendet dhe janë shumë detaje por natyrisht këtu bën pjesë edhe ajo që ka bërë Gjermania prej kohësh pra është njohja e Kosovës”, ka thënë Scholz.
Gjermania një hap para pro Kosovës
Ajo që thotë Sholc, është të paktën një rikonfirmim i politikës konsekuente gjermane lidhur me Kosovën, përkatësisht se çfarë duhet të vendosë si parim Gjermania për të penguar ambiciet serbomëdha.
Por, risia në këtë takim sipas mendimit tim, duke lexuar mesazhet e Sholcit, është se për dallim nga qëndrimi i deritashëm gjerman, përkatësisht i zotuar nga kancelarja e nderuar Merkel, se Serbia do të kushtëzohet me njohjen e Kosovës për anëtarësim në BE, ka lëvizur shumë pozitivisht në kohë. Pra, derisa në kohën e Merkelit, premtimi për njohje nga Serbia, do të vinte shumë kohë pas një marrëveshje, dhe vetëm atëherë kur Serbia të pranonte të bëhej pjesë e BE-së, tash, koha është përshpejtuar pozitivisht.
Njohja të paktën është përfshirë në përmbyllje të procesit ose se Marrëveshja nuk mund të përmbyllet pa njohje nga Serbia.
Pra, në këtë kontekst qëndrimi i institucioneve tona, i shprehur nga Kurti, se njohja nga Serbia duhet të jetë në qendër të marrëveshjes është edhe më i favorshëm, pasi kërkon që çështja kryesore e marrëveshjes të jetë njohja, pra qendra e saj, dhe më pas mund të diskutohen edhe çështje të tjera, që gjenerohen nga ‘qendra’ e marrëveshjes.
Në aspektin e retrospektivës së ngjarjeve, kjo është një hap më pozitiv, cilësor.
SHBA-të, tashmë ka disa vite, që kanë kërkuar një marrëveshje përfundimtare, e cila e kërkonte njohjen nga Serbia. Por, bisedimet në Presidencën Tramp rrodhën negativisht, kryesisht për shkak të qëndrimit të Presidencës së Thaçit, i cili ofroi për marrëveshje, shkëmbim ose korrigjim të territorit!
Qëndrimi i Presidencës Biden, dhe reagimet e fuqishme shqiptare, e korrigjuan këtë tendencë. Vetë Presidenti Biden, në fushatën zgjedhore presidenciale kishte premtuar respektimin e sovranitetit dhe integritetit tokësor të Kosovës.
Këtë e rikonfirmoi disa herë pasi e mori mandatin. Në koherencë me qëndrimet e Bidenit, mesazhet për sovranitet, integritet të plotë, dhe paprekshmëri të territorit, i solli edhe i dërguari i tij, ambasadori Hovenier.
Ndikimi i luftës së suksesshme ukrainase
Duket se një ndikim të madh pati lufta në Ukrainë, dhe veçanërisht fitorja e saj ndaj trupave ruse, fillimisht duke e penguar pushtimin e plotë të vendit, dhe më pas me luftën e suksesshme në dëmtimin e fuqisë së jashtëzakonshme ushtarake ruse.
Sigurisht që kjo po bëhet edhe me ndihmën e madhe dhe të shumëfishtë të Perëndimit. Pa të cilën rezistenca ukrainase tashmë mund të ishte shuar.
Ndikimi i këtyre zhvillimeve është bërë në dy kahe. Perëndimi ka lëvizur në drejtim të përkrahjes apo të ripërkrahjes së çështjes së Kosovës, duke ripranuar se shqiptarët janë viktima të Serbisë, dhe se më nuk duhet t’i bëjnë lëshime.
Dhe në anën tjetër, ai sukses në Ukrainë po e shtyn detyrimisht Serbinë, të zbutë qëndrimet, dhe të flet për domosdonë, që kinse ajo të bëjë kompromise, sepse atë që ofron Serbia, nuk është kompromis. E mbetur pa përkrahjen e fuqishme dhe kërcënuese të Rusisë, dhe duke mos i vënë sanksione asaj, edhe për shkak të obligimeve që i ka nga marrëveshjet e fshehta, ajo jo, se nuk ka vullnet, siç shprehet Vuçiqi, por është e interesuar më shumë se kushdo për marrëveshje me Kosovën.
E para, sepse e dinë se çdo vonesë dhe me humbjen e luftës nga Rusia, ajo që mund të marrë nga Kosova dhe BE-ja, do të jetë shumë më e pavlefshme.
E dyta, një marrëveshje me Kosovën, do t’ia shes Perëndimit si lëshim të saj, për të ‘përmbushur dëshirat apo vullnetin Perëndimor’!
“Do ta bëjmë më të mirë për të lëvizur drejt një zgjidhjeje me kompromis, do të përpiqemi që të gjejmë një marrëveshje kompromisi…”, ka thënë Vuçiqi, sot në Berlin.
Prandaj, vlerësimet tona për t’mos u ngutur me marrëveshje se gjërat mund të ndryshojnë për të mirën tonë, që në kohën kur insistonte Thaçi për marrëveshje dhe mbështetësit e tij, madje me arrogancë, dhe thirrjes tonë, pas krizës së Ukrainës që të prisnim zhvillimet pozitive atje, po dalin të vlefshme, dhe të sakta, konsistente në rreth pesë vjet analiza për çështjen e bisedimeve.
Dhe të mirat tjera janë, se po vijnë edhe mundësitë tjera, liberalizimi i vizave, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, Programi i Partneritetit për Paqe me NATO-n dhe ndonjë befasi tjetër.