Opozita, veçanërisht PDK-ja është treguar e papërmbajtshme në demonstrimin e vullnetit për hakmarrje, duke hedhur paralele arbitrare, të reagimit të Vetëvendosjes, dhe një kohë edhe të AAK-së, kundër demarkacionit dhe Asociacionit në Kuvendin e Kosovës.
E para, pavarësisht fundit të tyre, të reagosh në mbrojtje të territorit, qoftë edhe kur nuk ke të drejtë, është fisnikëri. Është i pamohueshëm fakti se mbi 8230 hektarë tokë kanë qenë nën administrimin e Kosovës, pashkëputshëm, derisa Mali i Zi i mori nën administrim pas miratimit me 2/3 e votave në Kuvend të Marrëveshjes së nënshkruar në Samitin e Vjenës në gusht të vitit 2015, nga, atëkohë, ministri i Jashtëm Hashim Thaçi dhe ministri i Brendshëm Skender Hyseni.
E dyta çështja e asociacionit, ndonëse një dokument bazë i nënshkruar me 2013 po nga Thaçi, dhe një tjetër me 2015 nga Isa Mustafa po në Bruksel, vazhdon të jetë drama e bisedimeve të sotme për institucionet, për të cilën bën trysni Perëndimi dhe po ashtu është kërkesë e Serbisë, duke e ditur rezistencën e institucioneve, për ta paraqitur Kosovën si pengestare në arritjen e një marrëveshje të përgjithshme apo përfundimtare.
Trysnia po bie mbi Serbinë
Ndërsa, Serbia, as atëherë dhe as tani nuk është e gatshme ende ta njohë Pavarësinë e Kosovës, gjithnjë me shpresë se do të vijë një ditë, kur mund të zhbëhet Kosova. Por, nga bisedimet aktuale në Berlin, dhe deklarimeve të palës serbe, ata duket se e kanë të qartë, se tani nuk mund të bëjnë asnjë marrëveshje pa e njohur Kosovën. Humbja e Rusisë në Ukrainë, është në favorin tonë.
Por, ajo çfarë ofronin atëherë partitë në pushtet, dhe çfarë kërkonte opozita ishte përballje konceptesh dhe qëndrimesh atdhetare.
Ndërsa, sot, PDK-ja bënte zhurmë dhe tollovi për themelimin e një komisioni hetimor kuvendar, duke dashur të pengojë mandatin e tij, ose themelimin e një tjetri për të zbardhur të gjitha keqpërdorimet e mundshme nga qeveritë, prej vitit 2006 e deri më sot në lidhje me furnizimin me rrymë, blerjen e saj nga jashtë dhe investimin e shtetit.
Natyrisht që duhet të hetohen të gjitha çështjet, por nuk paraqesin të njëjtën rëndësi për shtetin, për shqiptarët: territori dhe funksionimi i shtetit, me çështjet e korrupsionit apo të një vjedhje dhe të çfarëdo skandali që nuk lidhet me ekzistencën apo funksionalitetin e shtetit.
Madje gjatë atyre viteve kemi parë përpjekje të fuqishme dhe të hapura për ndarje të Kosovës, për një marrëveshje me rishikimin e territorit për të arritur njohjen nga Serbia. Nuk ka një politikanë serioz, pozitë apo opozitë, sot e atëherë, analistë apo intelektualë serioz që nuk e ka kuptuar se me një marrëveshje të atillë, Kosova do të humbiste një territor të konsiderueshëm.
Siç u kuptua edhe nga takimi i djeshëm trepalësh në Gjermani, dhe veç e veç me kancelarin e Gjermanisë Sholc, çështja e ndarjes së Kosovës, apo e ndryshimit të kufijve, nuk është pjesë e asnjë agjende. Dhe po ashtu njohja nga Serbia nuk lihet në fund të procesit integrues të saj në BE, por si pjesë e marrëveshjes Kosovë-Serbi, ashtu siç edhe administrata Biden këmbëngulë.
Motivet: Fshehja e skandaleve në energjetikë, privatizim, në politikë
Vetëm pak muaj më parë, ende zyrtarë të PDK-së, më e shquara në këtë mes, ish-ambasadorja Vlora Çitaku, ndoshta edhe njëri prej personave më përgjegjës, që e ndihmonin Hashim Thaçin, atë kohë president i shtetit, që ta vente në lëvizje idenë për shkëmbim territori, për të gjetur mbështetje në SHBA, u munduan sërish ta rikthejnë këtë si zgjidhje.
Ata kurrë nuk kanë qenë në gjendje të paktën ta ofrojnë një hartë, se si mund të dukej ai shkëmbim territori, përveç atyre informacioneve që e bënin të qartë, si e kishte thënë gojarisht në fillim Thaçi, që Kosova duhet të heq dorë nga Leposaviçi, Zubin Potoku e Leshaku, ndërsa si dilnin informacionet më vonë, mund ta merrte Preshevën dhe disa katunde të Bujanocit e ndonjë të Medvegjes, pa këto dy qytete.
Nisur nga kjo perspektivë, meqë jemi në ditën që u formuan, për një çështje dy komisione hetimore, për abuzimet në furnizimin me energji elektrike, një për vitet 2006-2022 dhe një vetëm për vitin 2022, atëherë, shumë zgjidhje e duhur dhe e mençur do të ishte themelimi i një komisioni hetimor për bisedimet për ndarjen e Kosovës.
Përveç se për hapjen e mundësisë së ndëshkimit të atyre, që ndikuan drejtpërdrejt në atë proces, e mira që do të sillte ishte, rezultati, që shoqëria jonë ta kuptojë, se kush janë patriotët dhe kush tradhtarët, jo vetëm në pikëpamje të retorikës, por edhe sipas asaj që është qendrore sot, ligjit dhe Kushtetutës.
Pra, me sa kuptohet opozita, përkatësisht PDK-ja, nuk revoltohet prej shumë kohësh për çështje të atdheut, por për çështje që atë mund ta nxjerrin zbuluar se ishte kundër mbrojtjes së tërësisë së atdheut, po, edhe kundër mbrojtjes së tërësisë së buxhetit.
Po ashtu, ajo që vihet re, linja hashimiane në PDK, vazhdon ta bëjë politikën e tij, edhe pse lideri i dikurshëm tani ndodhet në Hagë. Abelard Tahiri, nuk këshillohet me kryetarin Memli Krasniqi, por e tërheq atë drejt zgripceve politike të së kaluarës.
Reagimet në Kuvend, as kishin motive atdhedashurie, as motive, ndershmërie dhe as motive drejtësie, kur e sheh se në ballë të tyre, janë një protagonist i blerjes së shurdhuesve në kabinetin Thaçi në qeveri, dhe një tjetër, djali i Sami Lushtakut, të pasuruar thuajse pafundësisht në mënyra, që diskutohen edhe sot, nëse shteti mund të shkojë drejt konfiskimit të pasurisë së tij të pjesshme apo të shumicës së saj.
Këto sjellje, të tyre, dhe zhurmës që bën e shtyn edhe një veteran të PDK-së, por që mban tagrin e intelektualit, dhe që edhe si në rastin e përpjekjes së Thaçit për ndarje të Kosovës, shkëmbim territori ka dalur kundër. Akademiku Arsim Bajrami, ish-rektor në UP, tha sot se ishte i zhgënjyer thellësisht me sjelljen e tyre.