​Krasniqi: Shembulli i Skënderbeut mbetet gjithmonë frymëzim për secilin atdhetar

Aktuale

​Krasniqi: Shembulli i Skënderbeut mbetet gjithmonë frymëzim për secilin atdhetar

Më: 6 maj 2022 Në ora: 13:46
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në përvjetorin e lindjes së heroit kombëtar Skënderbeu shkroi se jetëshkrimi i tij 63 vjeçar i Gjergj Kastriotit në trojet shqiptare, është i mbushur me sfida e sakrifica, por, mbi të gjitha, me patriotizëm e atdhedashuri.

“Guximin dhe shkathtësitë e tij prej strategu i kishte dëshmuar në shumë beteja, ndërkaq, aftësinë prej burrështetasi, Skënderbeu e dëshmoi në Lidhjen e Lezhës, duke i bërë bashkë të gjithë princat shqiptarë nën një komandë”, tha Krasniqi.

Kreu i PDK-së shtoi se vepra Skënderbeut mbetet gjithmonë frymëzim për secilin shqiptar.

“Jeta dhe vepra e Skënderbeut ka skalitur dhe mbajtur gjallë në gjenezën e secilit shqiptar guximin për rezistencë, luftën ndaj pushtuesve e dëshirën e flakët për liri. Shembulli i tij mbetet gjithmonë frymëzim për secilin atdhetar”, përfundoi Krasniqi.

Heroi kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu ka lindur më 6 maj të vitit 1405, në një familje fisnike të Dibrës, siç ishte ajo e Gjon Kastriotit. Ai u mor peng nga Sulltan Murati dhe luftoi për Perandorinë Otomane si gjeneral deri në vitin 1443, vit në të cilin u largua gjatë një beteje, duke u rikthyer në Krujë. Në vitin 1444 ai mblodhi të gjithë princërit shqiptarë në Lidhjen e Lezhës, ku u vendos unanimisht të luftohej për marrjen në zotërim të trojeve shqiptare kundër perandorisë otomane.

Në krye të ushtrisë shqiptare, pas fitores së parë kundër otomanëve në betejën e Torviollit, Skënderbeu do të korrte 22 fitore të mëdha kundër Perandorisë osmane, në vitet e luftës në krye të ushtrisë së vet, që kishte si kryeqendër Krujën.

Heroi kombëtar do të njihej për luftën e tij të paepur në një vend kyç mes lindjes dhe perëndimit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat