Ministri Aliu: Pasojat e krizës klimatike vërehen edhe në Kosovë

Aktuale

Ministri Aliu: Pasojat e krizës klimatike vërehen edhe në Kosovë

Më: 7 maj 2022 Në ora: 20:08

Rreziku që i kanoset sigurisë mbarëbotërore të ushqimit dhe burimeve të ujit, shkaku i ndryshimeve klimatike, është potencuar në Prishtinë, në hapje të konferencës ndërkombëtare arabo-evropiane.

Konferenca, që trajton ndikimin e këtyre ndryshimeve në degradimin e tokës, ka nisur punimet sot. Pjesëmarrës në të janë edhe përfaqësues të Unionit Arab për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Pasojat e ngrohjes së globit u tha se po ndihen edhe në Kosovë.

“Kosova sot ndikohet nga ndryshimet klimatike, ne edhe ndikohemi, por edhe ndikojmë. Edhe ne bëjmë pjesë në ndotjen e përgjithshme dhe prandaj jemi të vendosur që me politikat tona t’i reduktojmë dhe t’i zvogëlojmë këto emisione. Por, në anën tjetër ndikohemi nga ndryshimet kudo në vendin tonë. Besoj që në këtë konferencë, në prezantimet që do të bëhen do të mund ta vëreni se në Kosovë, tashmë ka elemente të ndikimit nga ndryshimet klimatike, rrjedhimisht në sasinë e ujit. Kemi më pak të reshura”, ka thënë ministri i Mjedisit, Liburn Aliu.

Burimet ushqimore, si u potencua, krahas luftës në Ukrainë, përballen edhe me kërcënimin nga ngrohja që po shkakton thatësi në toka bujqësore.

“Shumë organizata të shoqërisë civile kanë tërhequr vërejtjen për rrezikun e degradimit të tokës për shkak të ndryshimeve klimatike që e kanë mbërthyer botën dhe të cilat po shkaktojnë shkretimin e tharjen e tokave, gjë që rrezikon elementet ushqyese të tokës dhe rrjedhimisht degradimin e saj. Shumë shkencëtarë mendojnë që nga pasojat e këtyre ndryshimeve klimatike do të shkaktohen shumë vuajtje, do të shkaktohen edhe ndryshime të mëdha atmosferike siç është thatësia, vërshimet e ujit, ngritjet e temperaturave që është e pamundur të parashikohen. Gjithashtu, ato do të bëjnë prodhimin bujqësor të vështirë, në mos edhe të pamundur”, ka deklaruar Ashraf Abdel Aziz nga Unioni Arab për Zhvillim të Qëndrueshëm.

E, zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti, e çmoi lart mbështetjen që shtetet arabe i kanë dhënë Kosovës, qysh para shpalljes së pavarësisë së saj.

“Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme me vendet arabe, që nga shpallja e pavarësisë… Vendet arabe kanë qenë në anën tonë gjatë luftës, para shpalljes së pavarësisë dhe pas shpalljes së pavarësisë”, ka thënë ai.

Diskutime ka pasur gjatë tërë së shtunës, me akademikë e ekspertë të tjerë të mjedisit e të meteorologjisë. Konferenca vazhdon edhe të dielën, me prezantime e diskutime të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat